Please enter at least 3 characters.

Droni ukrainas ndjek mercenarin afrikan që lufton në anën e Rusisë

Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale tregon momentin kur një dron ukrainas i tipit FPV (First Person View) ndjek një mercenar afrikan që lufton në anën e forcave ruse në Ukrainë.

Pamjet, të cilat janë shpërndarë gjerësisht në internet, ilustrojnë përdorimin gjithnjë e më intensiv të dronëve kamikazë në vijën e frontit.

Nuk është bërë e ditur se ku është regjistruar videoja dhe as identiteti i mercenarit, ndërsa autenticiteti i pamjeve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Moska ka rekrutuar mijëra luftëtarë të huaj për të plotësuar mungesën e personelit ushtarak.

Përveç mercenarëve nga Azia dhe Lindja e Mesme, në radhët e ushtrisë ruse janë parë edhe luftëtarë nga disa vende afrikane, përfshirë Kamerunin, Nepalin (jo Afrikë), Sierra Leonen, Somalinë dhe Republikën Demokratike të Kongos, të cilët janë joshur me premtime për paga të larta, kontrata ushtarake dhe mundësi për të marrë shtetësi ruse.

Një pjesë e këtyre rekrutimeve janë organizuar përmes rrjeteve të lidhura me ish-grupin mercenar rus Wagner, i cili për vite me radhë ka qenë aktiv në disa shtete afrikane si Mali, Republika e Afrikës Qendrore, Libia dhe Sudani. Pas riorganizimit të strukturave ushtarake ruse, shumë nga këta luftëtarë janë integruar në njësi të kontrolluara nga Ministria ruse e Mbrojtjes ose nga formacione të tjera paramilitare.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar në disa raste se në fushëbetejë janë përballur me shtetas të huaj që luftojnë për Rusinë, ndërsa shërbimet e inteligjencës perëndimore kanë raportuar se Kremlini vazhdon të mbështetet te rekrutimi ndërkombëtar për të kompensuar humbjet e mëdha në luftë.

Nga ana tjetër, Ukraina gjithashtu ka në radhët e saj vullnetarë të huaj që luftojnë në kuadër të Legjionit Ndërkombëtar, duke bërë që konflikti të përfshijë luftëtarë nga dhjetëra vende të botës. /Telegrafi/