Drita zyrtarizon rikthimin e qendërmbrojtësit Hajdin Salihu
Kampionia e Kosovës, Drita, ka zyrtarizuar rikthimin e qendërmbrojtësit Hajdin Salihu, duke përforcuar repartin defensiv për sezonin e ri.
24-vjeçari rikthehet në Gjilan pas aventurës jashtë vendit, ndërsa synon të japë kontributin e tij në objektivat e klubit në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Salihu ishte pjesë e Dritës gjatë edicionit 2023/24, para se në verën e vitit 2024 të transferohej te skuadra ukrainase LNZ Cherkasy për shumën prej 250 mijë eurosh.
Sezonin e kaluar ai e kaloi në formë huazimi te Polonia e Varshavës, ndërsa pas përfundimit të aventurës në klubin polak ka vendosur të rikthehet në futbollin kosovar dhe sërish te Drita.
Klubi gjilanas e ka konfirmuar rikthimin e mbrojtësit përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale.
“FC DRITA ka kënaqësinë të ju njoftojë me përforcimin tonë të ri Hajdin Salihu, i cili rikthehet për të veshur sërish fanellën bardhekaltër dhe për të forcuar repartin e mbrojtjes me cilësinë, karakterin dhe përvojën e fituar në arenën ndërkombëtare. Mirë se u ktheve në shtëpi, Hajdin! Le të shkruajmë bashkë kapituj të rinj të historisë së Dritës”, thuhej në njoftimin e Dritës.
Gjatë karrierës së tij, Salihu ka qenë pjesë edhe e Lokomotivës së Zagrebit, Laçit dhe Llapit, duke grumbulluar përvojë si në futbollin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar./Telegrafi/


