Please enter at least 3 characters.

Dion Ajvazi nënshkruan me Hertha Berlinin

Mesfushori shqiptar Dion Ajvazi ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me klubin e njohur gjerman Hertha Berlin. 

Kjo kontratë të cilën e nënshkroi 21-vjeçari do të jetë e vlefshme deri në vitin 2027 ka konfirmuar klubi përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Hapi tjetër në rrugën drejt Berlinit për Dion Ajvazin: Mesfushori ka nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me klubin tonë të kryeqytetit. Kontrata e re e 21-vjeçarit është e vlefshme deri në vitin 2027”.

“Jemi të kënaqur që kemi një tjetër lojtar vendas që luan tek Hertha. Dioni ishte një lojtar absolutisht kyç për ekipin tonë U23 sezonin e kaluar. Tani duhet ta ndihmojmë atë të bëjë hapin tjetër në zhvillimin e tij", ka thënë  drejtori sportiv Benjamin Weber.

I lumtur për nënshkrimin me Hertha Berlinin ishte edhe Ajvazi, i cili falenderoi të gjithë për besimin që patën tek ai.

"Jam shumë i lumtur dhe falënderoj ata që janë përgjegjës për besimin e tyre tek unë. Kjo kontratë është një motivim i madh për mua që të vazhdoj të jap gjithçka për Herthën në të ardhmen”, ka thënë Ajvazi.

Ajvazi nga BFC Dynamo u transferua në akademinë e Herthas në vitin 2017.

 Pas 12 paraqitjeve gjatë dy sezoneve të mëparshme, Ajvazi u bë një lojtar i rregullt në grupmoshat U23 të Hertha Berlinit në sezonin 2024/25.

Reprezentuesi i Shqipërisë U21 bëri 30 paraqitje në Regionalliga Nordost dhe gjithashtu shënoi katër gola dhe pati nëntë asistime./Telegrafi/