Please enter at least 3 characters.

Diaspora të ndërhyjë në politikën e Maqedonisë

Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni, në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, lidhen me statusin e tyre kushtetues, me kërkesën për të qenë sovran në tokat e tyre, për përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar në të gjitha nivelet në mënyrë të barabartë, si dhe për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe. Pra, shqiptarët ende kërkojnë barazi dhe trajtim të barabartë në të gjitha hallkat institucionale, kërkojnë punësime në mënyrë proporcionale, zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor etj.

Subjektet politike shqiptare, që nga vitet e ’90-ta e deri më tani në sistemin pluralist, nuk e gjetën veten si duhet në politikë. Këtij dështimi i prinë politikanët me epshe shumë të mëdha për të ardhur deri te posti me çdo kusht, pa marrë parasysh pasojat që i sollën popullatës shqiptare në trojet etnike në Maqedoni.

Dështimet e politikanëve shqiptarë sollën edhe përçarjen e subjekteve politike shqiptare, që për prioritet kishin eliminimin me çdo kusht të oponentëve politikë shqiptarë nga skena politike, të ndihmuar çdoherë nga qeveritarët maqedonas - pa marr parasysh se kush ishte në pushtet. Këtë e dëshmojnë e takimet e fshehta me krerët e partive maqedonase që ndodheshin në qeveri, filluar nga Klusevi, Brankoja, Lubça e deri te Gruevski, duke e nënçmuar veten me rolin e lypësit.

Shumë probleme që u kanë lindur partive shqiptare janë rezultat i këtyre takimeve. Pjesëmarrësit shqiptarë në qeveritë e Maqedonisë, pa marrë parasysh se cili subjekt politik na ka përfaqësuar, çdoherë kanë vendosur të mbeten qorras në prehrin e kryeministrave maqedonas, që për fat të keq edhe pas 10 viteve, nga lufta e 2001-shit, mundohen t’ua shpërlajnë trurin shqiptarëve se të zgjedhurit e tyre janë duke i realizuar të drejtat e tyre kombëtare.

Kjo parullë politike shqiptarëve të Maqedonisë do t’ju sjell pasoja të rënda, nëse shqiptarët nuk organizohen dhe nuk mbështesin organizimin për të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë. Organizimet e tilla çdoherë kanë filluar dhe kanë ardhur nga diaspora shqiptare, andaj edhe kësaj radhe përgjegjësinë për një organizim të mirëfilltë duhet ta mbaj ky organizëm. Këtë e them nga fakti se shumë herë diaspora na i ka imponuar ose i ka mbështetur në mënyra të ndryshme prijësit tanë të mëvonshëm. Andaj, edhe tani duhet ajo dalë më e mobilizuar, me program konkret dhe me platformë politike për rregullimin njëherë e mirë të statusit të shqiptarëve në Maqedoni.

Për organizimin e këtillë, barrën dhe përgjegjësinë do ta kenë të gjithë shqiptarët, e posaçërisht shoqatat joqeveritare shqiptare, kudo që veprojnë. Ndihma dhe përkrahja duhet të vijë nga shqiptarët e Maqedonisë në Evropë, por edhe nga Shqipëria e Kosova.

Me sa duket, apelet që u bëhen përfaqësuesve politik shqiptarë për unitet dhe për një bashkëpunim shqiptar për realizimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve, hasin në veshë të shurdhët nga liderët e partive shqiptare në Maqedoni. Kjo u qartësua edhe me partitë e reja që për punë bajraktarizmi refuzuan apelin e një pjesëmarrjeje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, ku u humb edhe një numër i madh i deputetëve shqiptarë.

Për fund, duhet haptas të deklarohen BDI, PDSH, RDK dhe partitë tjera se janë kundër sistemit unitarist dhe kushtetutës joparimore në Maqedoni, ku njëri subjekt përdor si parullë mashtruese Marrëveshjen e Ohrit - edhe pas dhjetë viteve - kurse tjetri mundohet të mashtrojë shqiptarët me marrëveshje të reja pa definimin e qartë të statusit të shqiptarëve si popull shtetformues në Maqedoni.

Edhe përkundër përkrahjes që dhanë shqiptarët më tepër se dy dekada në pluralizëm, luftëtarët, dëshmorët, invalidët, përkrahësit e kësaj lufte me financa nga diaspora mbetën të mashtruar, ngase pozita e shqiptarëve në Maqedoni u përkeqësua edhe më shumë në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Pas vrasjes së ushtarëve më të mirë të UÇK-së, proceseve të montuara gjyqësore, rasti i Sopotit, Kumanovës, Manastirit, Brodecit, Smilkovcit, botimi i Enciklopedisë false të akademikëve sllavë për historinë e shqiptarëve në Maqedoni dhe shumë nënçmimeve tjera që ju bënë shqiptarëve në punësim, arsim, kulturë, sport... pushtetarët shqiptar heshtin ose fajtorin e kërkojnë diku tjetër.

Ndërkohë, partitë shqiptare duhet të ndryshojnë politikën e tyre, me qëllim të vetëm: faktorizimin politik të shqiptarëve dhe dhënies fund të servilizmit ndaj qeveritarëve maqedonas, që sollën deri te kjo gjendje e shqiptarëve në Maqedoni.

Njëherazi, politikanët shqiptarë që ndanë pushtetin e qeverive unitariste - duke filluar që nga viti 1992 kur në krye të qeverisë partiake erdhi Brankoja e deri në qeverinë e sotshme të Nikolla Gruevskit - t’i kërkojnë ndjesë popullit shqiptar, ngase kur e deshi nevoja ata i përkrahën edhe përkundër premtimeve të shumta në interes të popullit shqiptar (pos pasurimit të tyre, të afërmve të tyre dhe aferave korruptive, gati se kurrgjë nuk realizuan ashtu siç duhet).

Tani është koha e fundit që shqiptarët të marrin hisen e vet në Republikën e Maqedonisë me ose pa maqedonasit, e këtë mund ta realizojë ai subjekt politik që mbështetet në unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, me një platformë të qartë kombëtare shqiptare, siç bën Gruevski me maqedonizmin e tij.