“Dëshmuam potencialin në sport”
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe sportit, Memli Krasniqi prezantoi prioritetet e MKRS-së për 2014 në Konferencën e II-të të Ambasadorëve të Kosovës Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi prezantoi sot të arriturat dhe prioritetet e MKRS-së për vitin e ardhshëm në panelin me temën “Integrimi i Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare” në kuadër të Konferencës së II-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Krasniqi një theks të veçantë i dha sportit ku kujtoi pjesëmarrjen e Kosovës në konferenca dhe forume të ndryshme ndërkombëtare si Peace and Sport në Monako dhe Doha Goals në Katar, si dhe takimet me ministra nga shtete të ndryshme.
“Ekipet tona në basketboll kanë hyrë në Ballkan Ligë, e mbi të gjitha si rezultat i një pune të madhe në lobim, pas anëtarësimit të Federatës së Xhudos së Kosovës në arenën ndërkombëtare, xhudistja Majlinda Kelmendi u kthye në Kosovë me medaljen e artë nga kampionati botëror në Brazil dhe xhudistë të rinj në kampionate evropiane morën medalje të argjendta. Me këtë dëshmuam potencialin e madh në sport, siç po e dëshmojnë edhe të rinjtë tanë në futboll”, shtoi ai.
Ministri njoftoi edhe për anëtarësimin e 18 federatave kosovare në arenën ndërkombëtare, 12 prej të cilave olimpike, nga këto 6 me të drejta të plota. Sfida kryesore për MKRS-në sipas Krasniqit mbetet anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të sportit, të cilat edhe pse janë të pavarura, shpesh janë burim i përballjeve politike.
“Është synim i yni që të bëhemi pjesë e UEFA-s, FIFA, FIBA-s, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar e shumë federata të tjera. Ne kemi shkëmbyer shumë letra e kemi pasur mjaft takime dhe kemi kërkuar që Kosova të bëhet pjesë e barabartë e këtyre mekanizmave, duke apeluar që të lihen anash motivet politike me qëllim që t’i jepet përparësi sportit si një simbol i bashkimit dhe i paqes. Presim që në janar të vitit 2014 FIFA të marrë një vendim rreth kërkesës së Kosovës për zhvillim të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare”, tha ai duke kërkuar nga ambasadorët e Kosovës që të ndihmojnë në këtë drejtim. /Sporti1/Telegrafi/


