Please enter at least 3 characters.

Deco flet për të ardhmen e Ter Stegen: Trajneri vendos se kush do të luaj

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur për La Vanguardia mbi planet afatgjata të klubit dhe të ardhmen e portierit Marc-Andre ter Stegen, pas mbërritjes së Joan Garcias nga Espanyol.

“Nuk kam pse të flas me të,” tha Deco, i pyetur për situatën e Ter Stegen.

“Puna ime është të ndërtoj ekipin më të mirë të mundshëm për trajnerin. Vendimet për formacionin i takojnë vetëm atij. Nuk ka asnjë klauzolë në kontrata që garanton minutat në fushë”.

Deco shpjegoi se nënshkrimi i Joan Garcias nuk ishte pjesë e planeve fillestare të klubit, por u bë i domosdoshëm. “Nuk ishte një përparësi, por tregu na ofroi një mundësi. Po të prisnim, kostoja mund të rritej ose lojtari mund të shkonte diku tjetër. Duhej të vepronim”, tha Deco.

Sipas tij, ardhja e Garcias është një investim për të tashmen dhe të ardhmen.

“Duhej të mendonim për të dyja. Joan është një portier i ri, me cilësi të larta. Mund të luajë menjëherë ose ndoshta pas një ose dy vjetësh. Të gjithë e nisin nga zero, askush nuk ka avantazh”, u shpreh Deco.

Ai theksoi se konkurrenca është e shëndetshme dhe e nevojshme në një klub si Barça. “Ky është realiteti i një klubi të madh. Çdo lojtar duhet të tregojë vlerat e tij në stërvitje dhe ndeshje.”

Garcia shihet si një investim strategjik për të forcuar portën në një periudhë afatgjatë, duke ruajtur presionin e vazhdueshëm për cilësi maksimale në këtë pozicion.

Në fund, Deco nënvizoi se çdo vendim për portierin titullar do të jetë ekskluzivisht përgjegjësi e trajnerit, pa ndërhyrje nga drejtuesit e klubit. /Telegrafi/