Carrick lë pas rivalët dhe hyn mes më të mirëve në Ligën Premier
Trajneri i përkohshëm i Manchester United, Michael Carrick, është përfshirë në listën prej gjashtë kandidatëve për çmimin “Trajneri i Sezonit” në Ligën Premier.
Carrick, i cili ka drejtuar vetëm 15 ndeshje që prej emërimit të tij në janar pas largimit të Ruben Amorim, konkurron përkrah emrave të mëdhenj si Mikel Arteta dhe Pep Guardiola, të cilët po luftojnë edhe për titullin kampion këtë sezon.
Në listën e kandidatëve janë gjithashtu edhe trajneri i Bournemouth, Andoni Iraola, tekniku i Brentfordit, Keith Andrews, si dhe trajneri i Sunderlandit, Regis le Bris.
Fernandes dhe Haaland në garë për lojtarin e sezonit
Në kategorinë “Lojtari i Sezonit”, pjesë e listës me tetë kandidatë janë tre futbollistë të Arsenalit, David Raya, Gabriel Magalhaes dhe Declan Rice, si dhe dy lojtarë të Manchester Cityt, Erling Haaland dhe Antoine Semenyo.
Në garë janë edhe kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, sulmuesi i Brentfordit Igor Thiago dhe mesfushori i Nottingham Forest, Morgan Gibbs-White.
Mainoo dhe Cherki mes talenteve më të mira të sezonit
Në kategorinë “Lojtari i Ri i Sezonit”, ku përfshihen futbollistët deri në moshën 23-vjeçare, janë nominuar mesfushori i West Hamit Mateus Fernandes, mbrojtësi i Newcastle Lewis Hall, lojtari i Brentfordit Michael Kayode dhe talenti i Manchester United Kobbie Mainoo.
Në listë bëjnë pjesë edhe dy futbollistët e Bournemouthit, Junior Kroupi dhe Alex Scott, si dhe dy lojtarët e Manchester Cityt, Rayan Cherki dhe Nico O'Reilly.
Fituesit e të gjitha kategorive do të përcaktohen përmes kombinimit të votave të tifozëve dhe një paneli ekspertësh të futbollit.
Drejtuesit e Manchester United pritet t’i besojnë zyrtarisht postin Carrickut pas rezultateve mbresëlënëse gjatë periudhës si trajner i përkohshëm.
Nën drejtimin e tij, United ka fituar 66.7% të ndeshjeve dhe ka siguruar rikthimin në Ligën e Kampionëve, duke u ngjitur nga vendi i shtatë në të tretin në tabelë.
Që prej emërimit të Carrick më 13 janar, asnjë skuadër në Ligën Premier nuk ka grumbulluar më shumë pikë se Manchester United, që ka arkëtuar 33 pikë në këtë periudhë.
Ndërkohë, Arteta është vetëm dy fitore larg titullit të parë kampion me Arsenalin që nga viti 2004, megjithëse ende përballet me rivalitetin e Guardiolës, i cili synon ta fitojë për herë të gjashtë çmimin e trajnerit të sezonit.
Nga ana tjetër, Iraola e ka afruar Bournemouthin drejt një kualifikimi historik në garat evropiane, ndërsa Andrews mund të arrijë të njëjtin sukses me Brentfordin në sezonin e tij të parë si trajner.
Edhe Sunderland, nën drejtimin e Le Bris, ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit në gjysmën e sipërme të tabelës, larg zonës së rrezikut për rënie nga liga. /Telegrafi/


