Blerja e naftës ruse, SHBA pezulloi sanksionet ndaj Hungarisë për një vit
Një zyrtar i paemëruar i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar për BBC-në se presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur që vendi i tij ta përjashtojë Hungarinë nga sanksionet për një vit, për shkak të blerjes së naftës dhe gazit rus.
Trump më herët kishte thënë se do të shqyrtonte mundësinë që Hungaria të përjashtohej nga sanksionet, për të cilat ai pretendon se synojnë t’i japin fund agresionit rus ndaj Ukrainës.
Gjatë takimit të djeshëm me kryeministrin hungarez, Viktor Orban në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se arsyeja për këtë është fakti që Hungarisë i është shumë e vështirë të sigurojë naftë dhe gaz nga rajone të tjera.
A major outcome of today’s meeting between President @realDonaldTrump and @PM_ViktorOrban: the United States has granted Hungary a full and unlimited exemption from sanctions on oil and gas. We are grateful for this decision, which guarantees Hungary’s energy security.
— Péter Szijjártó (@FM_Szijjarto) November 7, 2025
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, pas këtij takimi shkroi në rrjetin social X se Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit të tij “përjashtim të plotë dhe të pakufizuar nga sanksionet”.
Kjo ndodhi pasi SHBA muajin e kaluar kishin vendosur sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha ruse të naftës dhe kishin kërcënuar me sanksione ata që do të blinin naftë ruse.
Përjashtimi i Hungarisë nga sanksionet konsiderohet një fitore e madhe për Orbánin. Ai më parë kishte deklaruar se sanksionet mund ta shkatërronin ekonominë hungareze. /Telegrafi/


