Please enter at least 3 characters.

Bardhezi nga qyteti i ngjyrave

Në historinë e gurëve u ngritën shumë kështjella. Kështjellat e shumta determinuan qytetin. E gurë-gurë u bë Prizreni. Natyra e ka përdorur gjithë mjeshtërinë në pikturimin e tij.

Lumbardhi e ndan në mes qytetin e lashtë. Njeriu e bashkoi me ura, te cilat jo vetëm që i lidhin dy brigjet e qytetit te lashtë, por këto ura kanë lidhur edhe zemrat e shumë të rinjve që e vizitojnë qytetin, për të parë bukuritë e tij. Si rezultat i shumë veçorive, Prizreni u bë një qytet shumë i dashur për të tjerët.

Por, sa jemi ne në gjendje për ta ruajtur këtë Lumbardh?

Dora e vet njeriut duket sikur po e shkatërron dalëngadalë pa e kuptuar fare këtë qytet, edhe pse hijeshitë e tij janë të shumta. Dhuratën më të bukur Prizrenit i ka dhënë natyra, por sa jemi ne në gjendje ta çmojmë atë ?

Mundësitë shumë të mëdha, e shumë pak të shfrytëzuara e kanë bërë Prizrenin një qytet me shumë mangësi. Shumë premtime u bënë për shtratin e lumit, për stadiumin e qytetit dhe për rregullimin e infrastrukturës rrugore. Diçka për këtë të fundit u bë, mirëpo për dy të parat asgjë. Pamja që ka lumi dhe shtrati i tij, si dhe stadium i qytetit, është lehtësisht i krahasueshëm me vendet e Lindjes së Mesme.

Të marrësh parasysh Kalanë e Prizrenit, monumentin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, xhamitë e kishat e vjetra sa vetë qyteti, copëza historie do të bëhen pjesë e kujtesës sonë. Përjashto disa rrugica të ngushta me kalldrëme, shumë objekte të vjetra janë rrënuar duke u zëvendësuar në mënyrë të paskrupullt me ato të rejat. Asgjë nuk u bë për t’u konservuar apo restauruar që këto objekte që shprehin pjesë të identitetit të Prizrenit të ruhen dhe të bëhen pika interesante për t’u vizituar nga turistët.

Jeta kulturore në Prizren është degraduar tërësisht pothuajse. Në teatrin e Prizrenit buxheti për të bërë teatër është qesharak e skandaloz. Si rezultat i kësaj dukurie nuk jepet pothuajse asnjë shfaqje premierë. Ky fakt ka bërë që të rinjtë të orientohen rrugëve, kafeneve dhe t’u ekspozohen dukurive negative si droga dhe të tjera dukuri përcjellëse. Jashtë organizimit shtetëror, mirëpo organizim qytetar dhe me ndihmën e shumë sponsorëve, dashamirë të artit, mbahet çdo vjet festivali tashmë tradicional “DokuFest”.

Sa i përket festivalit të lartpërmendur, është një festival filmi, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, që Prizrenit i sjell çdo vit miliona euro fitime. Po ashtu shumë njerëz nga katër anët e botës, si aktorë, regjisorë e skenaristë, vijnë që t’i bëjnë vizitë Prizrenit. Duhet të bëjmë përpjekje maksimale që këtyre vizitorëve (turistëve) t’u japim një përshtypje më të mirë për vendin tonë.

Përmendëm ngecjet në qytetin tonë të cilat vijnë si pasojë e mosgatishmërisë së pushtetit për ta përmirësuar infrastrukturën e qytetit dhe për t’i promovuar bukuritë e veçoritë e këtij qyteti. Nuk mjaftohet me iniciativa vetanake. Ato janë të mira për fillime të reja, por nuk janë të denja për të vazhduar të vetme rrugën e sensibilizimit. Kërkohet shumë përkrahje.

Toleranca fetare në qytetin e Prizrenit, bashkëjetesa etnike, ngjyrat kulturore dhe kujtesa e bujshme historike janë veçori që përbëjnë një stimul shtesë për t’i dhënë shtytje zhvillimit të qytetit. Është koha e fundit që t’i shikojmë gjërat bardh e zi në qytetin e ngjyrave. Është koha e fundit që të zgjojmë të përgjumurit e një qyteti që fle. Duhet të zgjohemi dhe qytetit t’ia rikthejmë jetën. Më e rëndësishmja: t’ia rikthejmë shpresën.

Të japim secili kontributin tonë në vendin ku e zhvillojmë aktivitetin tonë jetësor, në shkolla, në rrugë, në sferën e kulturës dhe kudo që shohim mangësi që e pengojnë zhvillimin e qytetit tonë. T’ia rikthejmë ngjyrat...!