Please enter at least 3 characters.

Barcelona pas Fisnik Asllanit? Sulmuesi kosovar po pret lëvizjen e gjigantit katalanas

Fisnik Asllani është i gatshëm të presë Barcelonën përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij, pasi sulmuesi i Hoffenheimit shpreson të transferohet te klubi katalanas në rast se Ferran Torres largohet këtë verë, raporton SPORT.

Reprezentuesi i Kosovës pritet të largohet nga Hoffenheimi pas një sezoni shpërthyes në Bundesligë dhe aktualisht po shqyrton vetëm dy destinacione të mundshme: Barcelonën dhe RB Leipzigun.

Asllani ka marrë disa oferta gjatë kësaj periudhe, por thuhet se ka shtyrë vendimin përfundimtar, duke pritur të shohë nëse Barcelona do të bëjë një lëvizje konkrete për transferimin e tij.

Klubi katalanas e ka monitoruar 23-vjeçarin gjatë gjithë sezonit të kaluar dhe raportohet se ka zhvilluar kontaktet e para me përfaqësuesit e tij në fillim të kësaj vere.

Klauzola e largimit të Asllanit nga Hoffenheimi është rreth 29 milionë euro, megjithatë klubi gjerman besohet se është i gatshëm të negociojë një çmim më të ulët, nëse në marrëveshje përfshihen bonuse të lidhura me paraqitjet ose një huazim i mundshëm i ndonjë lojtari.

Prioriteti kryesor i Barcelonës mbetet transferimi i një sulmuesi të nivelit të parë, me yllin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, që vazhdon të jetë në krye të listës së dëshirave të klubit.

Vetëm pasi të qartësohet situata rreth argjentinasit dhe të vlerësohet e ardhmja e Ferran Torresit, i cili është lidhur me një kalim te Paris Saint-Germain, Barcelona do të vendosë nëse do të investojë për një tjetër qendërsulmues.

Asllani pati një sezon të jashtëzakonshëm në edicionin 2025/26, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të Bundesligës.

Barcelona pritet gjithashtu të monitorojë gjatë fazës përgatitore talentin egjiptian Hamza Abdelkarim, përpara se të marrë vendimin final për repartin ofensiv./Telegrafi/