Please enter at least 3 characters.

Avokati i Popullit: Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara ende nuk po zbatohen si duhet

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Avokati i Popullit ka theksuar përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie dhe u ka bërë thirrje institucioneve për veprim më të vendosur.

Në deklaratë theksohet se kjo ditë na rikujton rëndësinë e përfshirjes, respektimit të diversitetit dhe dinjitetit njerëzor për secilin individ”.

Avokati i Popullit kujton se institucionet publike kanë obligim ligjor që të sigurojnë trajtim të barabartë, por se shumë persona me aftësi të kufizuara vijojnë të përballen me pengesa serioze në qasjen në shërbimet shëndetësore, arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike.

Institucioni ka theksuar se përmes ndërhyrjeve të tij ka arritur të ndikojë në ndryshime të rëndësishme. Ndër to përmendet edhe rishikimi i procedurave të rivlerësimit mjekësor për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilat më parë kishin qenë në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë dhënë rekomandime për “ulje të tarifave të energjisë elektrike për personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, në pajtim me ligjet përkatëse.”

Në deklaratë përmendet edhe trajtimi i rasteve që lidhen me të drejtën e votës për persona me kufizim të pjesërishëm të zotësisë së veprimit, si dhe çështje të qasjes në arsim për personat e shurdhër.

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha.

“Zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit mbetet i ulët”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se shumë komuna ende nuk ofrojnë qasje të përshtatshme fizike në objektet publike dhe se “udhëzimet administrative për uljen e tarifave të energjisë elektrike nuk janë miratuar ende".

Institucioni i Avokatit të Popullit kujton se edhe pse Gjykata Kushtetuese më 3 gusht 2023 konfirmoi amendamentin për përfshirjen e Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, “miratimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk ka ndodhur.”

Në përmbyllje, Avokati i Popullit thekson se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e kësaj kategorie pa kompromis.

“Avokati i Popullit do të vazhdojë të avokojë në mënyrë të palëkundur që këto të drejta të respektohen dhe të zbatohen në praktikë”, duke vlerësuar barazinë dhe përfshirjen si “vlera thelbësore të një shoqërie demokratike". /Telegrafi/