Arrestohen dy reperë italianë për therjen e futbollistit shqiptar Aldi Shipliati
Juri Margini dhe Emilio Finizio, i njohur me emrin artistik Malacarne, janë arrestuar nga karabinierët italianë dhe mbi ta rëndon akuza e tentativës për vrasje.
22-vjeçari Margini dhe 36-vjeçari Malacarne akuzohen për plagosjen me thikë të një shqiptari 20-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në Scandiano, në Reggio Emilia.
I plagosur ka mbetur futbollisti shqiptar Aldi Shipliati, i cili luan si sulmues në ekipin Arcetana Calcio.
Viktima është therur jo shumë larg stacionit hekurudhor Scandiano, pas një grindjeje që lindi për arsye të kota.
Sipas gazzettadireggio.gelocal.it, ai kishte ndërhyrë në mbrojtje të një miku.
A.Sh. thuhet se ka marrë tri goditje me thikë, ndërsa autorët kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Ata më vonë janë arrestuar nga Karabinierët dhe ngarkohen me akuzën për tentim vrasje.
Gjatë hetimeve, karabinierët, jo shumë larg vendit të ngjarjes, e gjetën thikën prej 8.5 cm me gjurmë gjaku, ndërsa në shtëpinë e Marginit i kanë konfiskuar rrobat për të gjetur shenja të tjera gjaku. /Telegrafi/


