Arrestohen dy persona në Prishtinë dhe Mitrovicë, dyshohen për keqpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Sipas autoriteteve, operacioni është realizuar më 20 maj 2026, në kuadër të rastit “Pronat në Prizren”, pas një hetimi disa mujor dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.
Urdhri për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm është zbatuar në rajonet e Prishtinës dhe Mitrovicës.
Gjatë aksionit, janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë falsifikuar letërnjoftimin e një shtetasi të Serbisë, i cili kishte vdekur dekada më parë, duke e përdorur identitetin e tij në mënyrë fiktive për realizimin e marrëveshjeve të ndërmjetësimit dhe procedurave në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit.
Sipas hetimeve, përmes këtyre veprimeve dyshohet se janë tjetërsuar 18 parcela toke me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë në një fshat të Prizrenit, me vlerë të përafërt rreth 1 milion euro.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një laptop, dy telefona, 14,600 euro në para të gatshme, si dhe dokumentacion të ndryshëm që mund të shërbejë si dëshmi në procedurën e mëtejme hetimore.
Njëri nga të dyshuarit, me urdhër të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje, një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një person i tretë është në kërkim policor.


