Please enter at least 3 characters.

Andrew Tate rikthehet në ring, rrahet keq nga Chase DeMoor

Andrew Tate u largua nga ringu i gjakosur dhe me shenja të rënda në fytyrë pas një humbjeje të rëndë në rikthimin e tij shumë të diskutueshëm në sportet luftarake.

Influencuesi 39-vjeçar, u rikthye në ring në ndeshjen kryesore të spektaklit “Misfits Mania” në Dubai, pas një pauze pesëvjeçare, por u dominua qartë nga ylli i reality show-ve, Chase DeMoor.

Rikthimi i Tate në botën e sporteve luftarake u bë nga organizata Misfits, një vendim që ngjalli reagime të shumta dhe polemika të forta në opinionin sportiv.

Ish-kikboksieri kishte paralajmëruar para përballjes se do t’i tregonte DeMoorit se “ekzistojnë nivele në luftë” dhe se do ta nxirrte nga loja me nokaut. Megjithatë, skenari rezultoi krejtësisht i kundërt.

Në fund të meçit, ishte DeMoor ai që ruajti titullin e peshave të rënda në Misfits, duke e lënë Tate me një çarje të madhe mbi syrin e djathtë dhe mavijosje të theksuara nën të dy sytë, pamje që treguan qartë intensitetin e duelit.

Paraqitja e fundit e Andrew Tate në ring para kësaj ndeshjeje datonte në dhjetor të vitit 2020, kur ai zhvilloi një meç kikboksi në Rumani. Në atë përballje, Tate kishte fituar me nokaut teknik në raundin e dytë ndaj Cosmin Lugarar, duke e çuar bilancin e tij në kikboks në 76 fitore, nëntë humbje dhe një barazim.

Megjithatë, humbja ndaj Chase DeMoor shënon një fillim negativ për Tate në boksin profesionist, pasi ai tani regjistron një rekord 0-1 në këtë disiplinë, duke e bërë rikthimin e tij gjithçka tjetër veçse të suksesshëm./Telegrafi