Please enter at least 3 characters.

AlbaHealth nis misionin për bashkimin e profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër

Me pjesëmarrjen e dhjetëra profesionistëve të sektorit të kujdesit shëndetësor, u prezantua zyrtarisht AlbaHealth, një organizatë e krijuar për të bashkuar profesionistët dhe infermierët shqiptarë që veprojnë në Zvicër, me synimin për të forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe kontributin në zhvillimin e sistemit shëndetësor.

Në fjalën hapëse u rrëfye edhe historia e krijimit të organizatës, një rrugëtim që nisi nga një ide e thjeshtë e lindur në vitin 2022 gjatë një takimi në Bern.

"Çdo organizatë ka një datë themelimi, por historia e saj fillon me një ide. Rrugëtimi i AlbaHealth nisi në vitin 2022 gjatë një takimi në Bern, ku tre profesionistë shqiptarë të kujdesit shëndetësor ngritën një pyetje të thjeshtë: Pse ta bartim këtë barrë të vetëm?", u tha në fillim të ceremonisë.

Sipas organizatorëve, kjo ide u shndërrua në një vizion të përbashkët për krijimin e një platforme që do të lidhte profesionistët shqiptarë të kujdesit shëndetësor në Zvicër.

Gjatë prezantimit u shpjegua se në shtator të vitit 2025 u hodhën themelet organizative të iniciativës, ndërsa në janar 2026 u hartua statuti, u përcaktua misioni, u ndërtua struktura organizative dhe u përzgjodh emri AlbaHealth. Më pas u zhvillua identiteti vizual i organizatës, ndërsa në prill të këtij viti ajo u regjistrua zyrtarisht.

Presidenti, Ekrem Hasani, theksoi se misioni i AlbaHealth nuk është të largojë profesionistë nga Kosova, por të krijojë mundësi integrimi dhe zhvillimi profesional në Zvicër, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me vendlindjen.

Presidenti i AlbaHealth: Ekrem Hasani

"Ideja jonë nuk është që ne të marrim profesionistë nga Kosova, por qëllimi ynë është që t'ua mundësojmë një vend pune apo një integrim në Zvicër. Me përvojën dhe fuqinë që kemi krijuar këtu, synojmë të ndërtojmë diçka që i duhet Kosovës dhe ta ndajmë modelin që kemi ndërtuar në Zvicër", deklaroi ai.

Hasani prezantoi edhe statistika që, sipas tij, dëshmojnë rolin e rëndësishëm të profesionistëve shqiptarë në sektorin e kujdesit shëndetësor në Zvicër.

"Vetëm gjashtë kompani të kujdesit shëndetësor në shtëpi (Spitex) kanë ofruar shërbime për: 1,247 pacientë shqiptarë, 640,517 orë kujdesi gjatë një viti, 1,106 punonjës të angazhuar", bëri të ditur ai.

Hasani shtoi se këto shifra i referohen vetëm pacientëve shqiptarë dhe vetëm gjashtë kompanive, duke vlerësuar se kontributi real i komunitetit shqiptar është dukshëm më i madh.

"Në vetëm gjashtë kompani realizohen rreth 1,750 orë shërbimi çdo ditë, vetëm për pacientët shqiptarë. Kjo tregon se sa i madh është potenciali ynë dhe pse duhet të bashkëpunojmë më shumë mes vete", u shpreh Hasani.

Sipas tij, shqiptarët dominojnë në këtë sektor në kantonet gjermanishtfolëse të Zvicrës, ndërsa krijimi i AlbaHealth synon të rrisë cilësinë e shërbimeve, bashkëpunimin profesional dhe shfrytëzimin më efikas të resurseve që disponon komuniteti shqiptar.

Organizatorët theksuan se AlbaHealth synon të shërbejë si një platformë profesionale për rrjetëzim, edukim, zhvillim profesional dhe bashkëpunim ndërmjet profesionistëve shqiptarë të kujdesit shëndetësor, duke kontribuar njëkohësisht edhe në projekte që mund të sjellin përvoja dhe modele të suksesshme në Kosovë.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ermal Dredha, ambasadori i Shqipërisë, Rexhep Demiri, ambasador i Maqedonisë së Veriut, Shukrije Ramadani – bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, njëherit edhe zëvendës ambasadore e Kosovës në Zvicër, Arsim Berisha, zëvendësministër në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Vigan Berisha, konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Zvicër dhe Gazmen Haliti, kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër. /Telegrafi/