Please enter at least 3 characters.

Agon Elezi zyrtarizohet te Sarajeva

Pasi ndërpreu kontratën me klubin gjerman Bochum, anëtari i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Agon Elezi, ka nënshkruar marrëveshje me Sarajevën deri në vitin 2028. 24-vjeçari rikthehet në rajon pas një eksperience në Kroaci dhe Gjermani, duke shpresuar në më shumë minuta loje, njofton Telegrafi.

Mesfushori shkupjan, Agon Elezi është zyrtarisht futbollist i ri i FK Sarajevo. Përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut ka firmosur kontratë deri në vitin 2028 me klubin boshnjak, duke u bërë një nga përforcimet kryesore të verës.

Elezi së fundmi ishte pjesë e klubit gjerman VfL Bochum, me të cilin ndërpreu bashkëpunimin si lojtar i lirë. Në sezonin e kaluar, ai ishte i huazuar te Gorica në Kroaci, ndërsa pas rikthimit në Gjermani, vendosi që për më shumë hapësirë të rikthehet në futbollin e rajonit.

24-vjeçari është produkt i akademisë së FC Shkupit, ku edhe hodhi hapat e parë në karrierë. Nga aty, ai kaloi te Caen në Francë, por nuk arriti të konsolidohej dhe më pas vijoi rrugën me Vëllazërimin, Skënderbeun e Korçës dhe më pas me sukses te Varazhdin në Kroaci – periudhë që i hapi rrugën drejt transferimit në Bundesligë.

Rikthimi në Ballkan për Elezin është një tjetër sfidë, ku me fanellën e Sarajevës synon të rigjejë formën më të mirë dhe të kontribuojë në sukseset e klubit të njohur boshnjak. /Telegrafi/