Afati për deklarimin e koalicioneve në KQZ mbyllet nesër, deri tani të regjistruara vetëm dy
Partitë politike kanë në dispozicion edhe një ditë për të deklaruar zyrtarisht koalicionet e tyre pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Afati i nisur më 24 nëntor përfundon nesër, më 30 nëntor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Telegrafin se deri më tani janë deklaruar vetëm dy koalicione parazgjedhore.
Koalicioni i parë është ai midis tre partive: PAI – PDAK – LPB, të përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).
Koalicioni i dytë i regjistruar në KQZ është VAKAT, i cili përfshin tri subjekte politike boshnjake: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV).
Elezi rikujtoi se koalicionet duhet të përbëhen nga të paktën dy parti politike dhe se, sipas rregullave të KQZ-së, një parti nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor.
Po ashtu, një parti që vepron brenda një koalicioni nuk mund të garojë paralelisht në një koalicion tjetër apo si subjekt i veçantë në të njëjtat zgjedhje./Telegrafi/


