AAK dhe LVV i bashkojnë forcat për balotazhin për kryetar të Junikut
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për Komunën e Junikut, me ç’rast LVV do ta mbështesë kandidatin e AAK-së, Agron Kuçi, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në balotazhin e 9 nëntorit për të parin e Junikut do të përballen kandidati i AAK-së, Agron Kuçi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu.
Lajmin për marrëveshjen e konfirmoi Jetmir Tofaj, kandidati i LVV-së për kryetar të Junikut, i cili përmes një postimi në Facebook tha se vendimi është marrë pas një “vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional”.
“Ky vendim është rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional, me qëllim që të sigurojmë një qeverisje stabile, të përgjegjshme dhe në interes të qytetarëve të Junikut”, shkroi Tofaj.
Sipas tij, ky bashkëpunim siguron shumicën në Kuvendin Komunal të Junikut, duke mundësuar stabilitet politik dhe zbatim të projekteve zhvillimore në interes të qytetarëve.
“Ky koalicion bazohet në mirëkuptim të ndërsjellë dhe në vizionin e përbashkët për zhvillimin e Junikut. Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për një Junik më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar”, theksoi Tofaj.


