"50 plumba kallashnikovi", detaje të reja nga ekzekutimi i babë e bir në Dukagjin të Shkodrës
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ekzekutimin e babë e bir, Lekë dhe Prel Gjoni, një ditë më parë në fshatin Mgull të Dukagjinit.
Dyshohet se ndaj fuoristradës me të cilën udhëtonin dy viktimat dhe L.B, i cili mbeti i plagosur, është qëlluar me rreth 50 plumba kallashnikovi.
Babë e bir po udhëtonin nga fshati Mgull në drejtim të Shkodrës, kur u zunë në pritë në një kthesë pranë fshatit Xhan, rreth dy kilometra larg rrugës që lidh zonën e Pultit me Shoshin.
Pas breshërisë së plumbave, L.Gj dhe P.Gj humbën jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, L.B, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, mbijetoi. Fillimisht ai mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe më pas u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia dyshon se në atentat kanë marrë pjesë më shumë se një person. Pas të shtënave, autorët dyshohet se janë larguar me një automjet fuoristradë.
Ende nuk është përcaktuar motivi i krimit. Një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e gjakmarrjes, pasi, sipas të dhënave paraprake, familja Gjoni ka qenë e përfshirë vite më parë në një hasmëri. /Telegrafi/


