Please enter at least 3 characters.

​25 minatorë të rinj nisin punën në Minierën e Stantërgut

Njëzet e pesë minatorë të rinj kanë nisur sot zyrtarisht punën në Minierën e Stantërgut, duke u bërë pjesë e gjeneratës së re në këtë sektor.

Drejtori i Minierës Trepça, Shyqyri Sadiku, tha për KosovaPress se kjo është gjenerata e tretë e minatorëve të rinj dhe se ata do t’i nënshtrohen një procesi të plotë trajnimi.

“Sot, fatmirësisht, po flas se kanë filluar edhe gjenerata e tretë. Ata që e kanë filluar janë 25 minatorë, të gjithë janë punëtorë në minierë, do të thotë të gjithë janë të dedikuar për prodhim, që në të ardhmen, me një përvojë më të gjatë në prodhim brenda dy apo tri viteve, ne mendojmë se me trajnime dhe me certifikimin e tyre, do të kalojnë edhe në minatorë të së ardhmes,” tha Sadiku.

Ai sqaroi se trajnimi do të jetë gjashtëmujor dhe do të përfshijë pjesën teorike dhe praktike.

“Gjithsesi, por së pari na duhet të njihemi bashkërisht me ta, duhet t’iu tregojmë edhe për procedurat që janë në sektorin e mineraleve në minierë. Ne e kemi edhe programin e trajnimeve për të gjithë ata minatorë që nuk e kanë kryer trajnimin në minierë, që është një trajnim gjashtëmujor. Ne e kemi për detyrë, me programin që e kemi, të fillojmë trajnimin teorik që përfshin 120 orë dhe pastaj vazhdon trajnimi praktik në minierë me 180 orë. Të gjitha nivelet do t’i prekin gradualisht, duke filluar me teorinë, rreziqet, problemet, të gjitha me të cilat mund të ballafaqohen. Pastaj, në fazën e dytë, kalojnë në praktikë në minierë, ku janë inxhinierët që do t’i udhëheqin dhe do t’i kryejnë trajnimet brenda gjashtë muajve. Pas gjashtë muajve, do t’i nënshtrohen një testi dhe të gjithë ata që e kalojnë testin me sukses, besoj se do të vazhdojnë më tutje,” deklaroi ai.

Sadiku theksoi se nevoja për punëtorë të rinj është e domosdoshme, pasi çdo vit një numër i madh minatorësh dalin në pension.

“Tash varet gjithçka, sepse edhe këtë vit, ku po flasim, shkojnë në pension rreth 31 minatorë. Çdo vit shkojnë të tillë. Unë besoj se, për aq sa shkojnë në pension, për aq kemi nevojë edhe për prurje të reja, sepse gjithmonë miniera duhet të ripërtërihet me gjenerata të reja. Pavarësisht se këtu është një moshë, fatkeqësisht, në aspektin ligjor, ku minatorët ende nuk kanë një ligj të veçantë dhe janë të detyruar të punojnë deri në 65 vjet. Nuk është dashur që një minator të punojë deri në këtë moshë, sepse pavarësisht sistemit të mëhershëm, një minator që ka punuar në kushte të rënda dhe të vështira në minierë, duhet të dalë në pension në moshën 50-vjeçare,” ka thënë drejtori i minierës, Shyqyri Sadiku.

Sipas tij, aktualisht Miniera e Stantergut numëron 675 punëtorë dhe rreth 30 inxhinierë, të shpërndarë në disa departamente kyçe.

“Miniera në Stanterg me këta të sotit numëron 675 punëtorë. Këtu është miniera me flotacion. Në kuadër të minierës me flotacion janë edhe departamentet e ndara, të cilat janë si hallka zinxhirore, që njëra pa tjetrën nuk bëjnë. Është departamenti i prodhimit, departamenti i makinerisë, departamenti për investime dhe hulumtim, departamenti i mbrojtjes, sigurisë dhe shëndetit në punë, departamenti i shërbimeve të përbashkëta dhe departamenti i flotacionit, ku përpunohet xeha dhe finalizohet si produkt. Inxhinierë aktualisht janë rreth 30, të cilët i kryejnë këto punë. Sa i përket administratës në Stanterg, kemi një numër shumë të vogël, rreth 10 apo 11 punëtorë. Drejtpërdrejt në administratë punojnë gjithsej 5 punonjës: 3 në shërbimin e pagesave dhe 2 në burime njerëzore,” tha ai.

Mes minatorëve të rinj është edhe Liridon Meholli, i cili tha se puna në Trepçë ka qenë një ëndërr e kamotshme për të.

“Një ëndërr që gjithmonë e kam pasur si djalë i minatorit. Si çdo i ri, ndoshta e kam pasur ëndërr me punu në Trepçë,” tha ai.

Ndërsa Fehmi Gërguri u shpreh se vjen nga një familje me traditë minerare dhe se ky profesion për të ka domethënie të veçantë.

“Përshtypjet e para janë shumë të mira, një ndjenjë e mirë. Unë personalisht, si fëmijë, jam rritur në një familje ku kemi pasur minatorë në vazhdimësi, me gjenerata. Ëndrra ime ka qenë që një ditë të jem pjesë e minierës Trepça ose pjesë e të gjithë sektorëve të Trepçës,” ka thënë ai.

“Prindi im ka punuar në pjesën e baterive, ku janë prodhuar bateritë. Në atë kohë, gjigandi Trepça ka qenë i njohur ndërkombëtarisht për bateritë e prodhuara nga plumbi dhe zinku, të cilat janë nxjerrë nga miniera Trepça,” përfundoi ai.

Ky hap vlerësohet si i rëndësishëm për funksionimin dhe zhvillimin e Minierës së Stantërgut, duke krijuar kushte për ripërtëritjen e vazhdueshme të stafit dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese. Drejtuesit e minierës theksojnë se investimi në gjenerata të reja dhe në trajnim profesional mbetet kyç për sigurimin e stabilitetit dhe vazhdimësisë së punës në Trepçë.