Nga: Tom Joudrey / BBC (titulli origjinal: An unmistakable stab at the USSR’: Could Amadeus be the most misunderstood Oscar winner ever?)
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur u dha premiera 40 vjet më parë, Amadeusi fillimisht mori një mori lëvdatash. Drama historike, që zhvillohej rreth rivalitetit midis dy kompozitorëve, Wolfgang Amadeus Mozart dhe Antonio Salieri, fitoi tetë çmime Oscar, duke përfshirë atë për filmin më të mirë. Miloš Forman mori çmimin për regjinë më të mirë, Peter Shaffer për skenarin më të mirë të adaptuar, dhe të dy aktorët kryesorë u nominuan: F. Murray Abraham, i cili luajti Salierin, mundi aktorin Tom Hulce që luajti Mozartin.
Lexo po ashtu:
Mes shqiptarëve vritet Mozarti!
Shfaqja “Amadeus”: Gjeniu me sjellje të mbrapshta fëmijërore
Hirshmëria e Mozartit
Por, në vitet që pasuan, shtohej reagimi ndaj asaj që disa njerëz e perceptonin si përsëritje të gabimeve historike. Një artikull në The Guardian thoshte se “shakatë e kota nuk mund të fshehin faktin se sa gabime qesharake filmi ka”, ndërsa BBC komentoi se “filmi pa pikë turpi shpërfill faktet historike”. Salieri, theksonin kritikët, nuk ishte burrë i devotshëm (siç dëshmohej nga gruaja, tetë fëmijët dhe dashnorja e tij), dhe se pas gjithë atij rivaliteti të çuditshëm, Mozarti i vërtetë ia besoi Salierit edukimin muzikor të djalit të tij. Sa i përket humorit të shthurur të Mozartit, ajo indiferencë e pacipë ishte në të vërtetë e zakonshme në shoqërinë vjeneze të klasës së mesme. Skandali më i madh ishte se Mozarti, me famë botërore, nuk u hodh në një varr të varfanjakëve të panjohur. Nëse ky ishte një homazh ndaj historisë, vazhdonin ankesat, kjo ngjante me skenën ku perandori Joseph II ngatërrohej në pianoforte duke e huq secilën notë.
Por, këto reagime mund të mos kenë kuptim. Synimi i Formanit për Amadeusin mund të shihet si diçka krejt ndryshe nga një film tipik biografik, dhe ai përdori një version të trilluar të një përplasjeje epike midis kompozitorëve, për të bërë një alegori për rivalitetin global të mesit dhe fundit të shekullit XX: Luftën e Ftohtë. Thënë më thjesht, filmi mund të ketë qenë shpërfillës ndaj vitit 1784, sepse preokupimi i tij i vërtetë ishte viti 1984.
Filmi hapet me një skenë në Vjenën e vitit 1823. Kompozitori i thinjur i oborrit, Salieri, bërtiste prapa një dere të mbyllur duke thënë se ai e kishte vrarë Mozartin, dhe më pas e lëndoi veten. Disa ditë më vonë, teksa shërohej në një azil, një prift shkoi për të dëgjuar rrëfimin e tij. Salieri tregoi se si, si djalë i ri, bëri një betim për dëlirësinë ndaj Zotit, si shprehje mirënjohjeje për atë që, sipas tij, nxiti vdekjen e babait të tij, për të hapur kështu rrugën për zhvillimin e tij muzikor.
Kthehet prapa për disa vjet dhe Salieri shfaqet si një kompozitor i shquar në oborrin e Josephit II (Jeffrey Jones), ku me padurim priste paraqitjen e gjeniut Mozart. Padurimi i tij u pasua nga zhgënjimi kur shikoi atë njeri prej mishi e gjaku, që doli të ishte një vulgar që ta lodhte veshin. I bindur se Zoti po tallej me mediokritetin e tij, Salieri hodhi kryqin në zjarr dhe u zotua për hakmarrje. Pasi vdiq babai i Mozartit, Salieri e shfrytëzoi fatkeqësinë me një mashtrim të poshtër: mashtroi Mozartin të besojë se babai i tij ishte ngritur nga varri për ta porositur kompozimin e rekuiemit, pastaj për ta vrarë atë dhe për ta përvetësuar kryeveprën si të veten. Mozarti vdiq i sëmurë nga ethet dhe i zhytur në pije, duke e lënë Salierin plot hidhërim dhe të destinuar për të përfunduar në harresë.
Premisa nuk ishte origjinale për Formanin. Duke u frymëzuar nga drama e Alexander Pushkinit e vitit 1830, Mozarti dhe Salieri, Peter Shaffer shkroi një dramë shumë të stilizuar të quajtur Amadeus, e cila pati premierën në Londër në vitin 1979. Formani, i pranishëm në shfaqje, u mahnit nga rivaliteti dramatik dhe e bindi Shafferin të bashkëpunonte me të, jo thjesht për të përshtatur shfaqjen për ekran, por për të “përmbysur origjinalin dhe pastaj për ta rikrijuar ndryshe për film”. Gjatë katër muajve të lodhshëm, mbyllur në një shtëpi në Konektikat me Shafferin, Formani e rindërtoi krejt ndryshe narrativën me një gamë të re rezonancash politike.
Procesi i caktimit të aktorëve për rolet e lakmuara të Mozartit dhe Salierit – që rivalizoi filmin Përftoi me erën [Gone With the Wind] për nga shtrirja e intrigave të prapaskenave – zgjati mbi një vit dhe përfshinte takime me mijëra aktorë. Kenneth Branagh ishte gati për të fituar rolin e Mozartit, por më pas nuk u mor parasysh kur Formani u përcaktua për kastin amerikan. Mark Hamill humbi orë të tëra në audicionet rraskapitëse dhe në fund e dëgjoi këtë fjali nga Formani: “Askush nuk beson se Luke Skywalker [karakteri i tij në Star Wars] është Mozart”. Al Pacino loboi shumë për pjesën e Salierit dhe ishte në konkurrencë me Mick Jaggerin, Burt Reynoldsin, Donald Sutherlandin dhe Sam Watersonin. Në fund, Formani shmangu të famshmit dhe u përcaktua për Hulcein dhe Abrahamin, por drama me aktorët sërish shpërtheu kur Meg Tilly, që duhej të luante rolin e gruas së Mozartit, Constanze, theu kyçin e këmbës duke luajtur futboll: ajo u zëvendësua nga Elizabeth Berridge, një javë përpara se të fillonin xhirimet. Me rindërtimin e komplotit dhe caktimin e kastit, më shumë se një rivalitet ishte gati që të dilte në pah.
Formani, me origjinë çeke, kishte qenë një forcë e madhe prapa Valës së Re çekosllovake në vitet 1960, duke arritur kulmin me filmin e tij të vitit 1967, Kallu, zonja ime [Hoří, Má Panenko], që satirizoi absurdin dhe dështimin e komunizmit në Evropën Lindore. Filmi fillimisht u prit ngrohtësisht brenda mjedisit reformist të Pranverës së Pragës, por kur tanket sovjetike hynë në Pragë në vitin e ardhshëm dhe futën Çekosllovakinë në bllokun lindor, Formani, i cilësuar si “tradhtar” i shtetit, u detyrua të ikte në Perëndim dhe gjeti strehim në ShBA.
Pothuajse e gjithë puna filmike e Formanit, më pas, kishte kundërshti ndaj censurës, izolimit dhe fuqisë së përqendruar të stilit sovjetik. Suksesi i tij i parë në ShBA, për shembull ai i vitit 1975, Fluturimi mbi folenë e qyqes [One Flew Over the Cuckoo’s Nest], përshkroi një repart të shëndetit mendor që ishte mizor dhe imponues ndaj pacientëve – nën maskën e përkujdesjes dashamirëse. Audiencat nuk kishin nevojë të hulumtonin më shumë për ta parë azilin si gulag dhe infermieren Ratched si mishërim të burokratit sovjetik të dehur nga pushteti. Po kështu, filmi i Formanit i vitit 1996, Populli kundër Lari Flintit [The People vs. Larry Flynt], përshkroi themeluesin e revistës Hustler duke u përballur me censurën, me çmimin e burgosjes, mbylljes në një institucion psikiatrik dhe paralizës nga plumbi i një vrasësi.
Alegoria sovjetike mund të shihet qartë tek Amadeusi. Ndoshta Formani ishte më pak i shqetësuar për t’iu përmbajtur fakteve biografike kur e paraqiti Mozartin si një gjeni ekstatik, i cili, si peng i patronazhit, ndrydhet dhe më në fund shtypet nga aparati represiv i shtetit. Josephi II, sundimtari absolut i monarkisë së Habsburgëve, këshillohet në oborr nga një tufë zvarranikësh që minojnë arritjet e Mozartit dhe njollosin reputacionin e tij. Cilado qoftë shmangia nga shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, kjo kritikë mund të lexohet si një goditje ndaj BRSS-së – një burokraci e centralizuar, armiqësore ndaj ideve dhe inovacionit. Por, Formani tregoi se Mozarti do të kishte të qeshurën e fundit. Në vitin 1823, meloditë e pakuptimta dhe të sponsorizuara nga shteti të Salierit, ishin harruar, ndërsa disa tema të Mozartit tërhoqën menjëherë kureshtjen e priftit. Në tregun e lirë të shijeve, shtytja e shtetit ndaj Salierit u mbyt nga triumfi i gjeniut.
Sipas Formanit, Perandoria e Habsburgëve kishte shenjat dalluese të pushtetit sovjetik. Maskarada dhe identitetet e maskuara ngjallnin konfuzionin dhe paranojën që ishte përhapur nën sistemin sovjetik. Shërbëtorja spiune e Salierit (Cynthia Nixon) bënte mbikëqyrje të fshehta, duke i ngjarë KGB-së të shekullit XX që kishte mijëra spiunë që futeshin në jetën private të artistëve dhe disidentëve. Ndërkohë, djegia heretike e kryqit nga Salieri dhe lufta kundër Zotit të kujtonte luftën ideologjike midis botëkuptimit të krishterë dhe arrogancës laike sovjetike. (Pasi nëna e Abrahamit – një grua e devotshme italiane – pa skenën e djegies së kryqit, ajo e kritikoi aq shumë djalin e saj saqë ai rrëfeu atë që tani për BBC-në shprehet se ishte gënjeshtër: “I thashë, ‘nënë, ishte një aktor tjetër – dikush tjetër e hodhi [kryqin]'”!)
Dhe, pastaj është varri masiv ku u hodh kufoma e Mozartit. Ky përshkrim nuk përputhej me faktet që dihen për vdekjen e tij, por ka kuptim nëse lexohet si një aktakuzë ndaj praktikave sovjetike – fshirje e identitetit individual dhe vrasje masive. Hapjet e këtyre varreve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Formani, prindërit e të cilit vdiqën në kampet naziste të përqendrimit, e kuptoi fuqinë e këtij imazhi.
Jeff Smith, autor i librit Kritika e filmit, Lufta e Ftohtë dhe Lista e Zezë [Film Criticism, the Cold War, and the Blacklist], thotë për BBC-në se lufta e Mozartit kundër statuskuosë ndikoi në zhgënjimet e vetë Formanit me censurën sovjetike. “Vlerësimi i kotë i perandorit për operën e Mozartit – ‘shumë nota’ – është lloji i akuzës që u përdor kundër artistëve dhe mendimtarëve avangardë, për të nënkuptuar se puna e tyre nuk është e këndshme apo edukuese për veshët sovjetikë. Habia e tërbuar në atë skenë pasqyroi përbuzjen e kahershme të vetë Formanit për stagnimin dhe represionin sovjetik”.
Xhirimet u bënë në vitin 1983, në një periudhë gjashtëmujore, në Pragën që ofronte bazilika, pallate dhe sheshe me kalldrëm të pandryshuara që nga fundi i shekullit XVIII. Megjithatë, edhe me rënien e pushtetit sovjetik, Çekosllovakia mbeti pjesë e bllokut lindor dhe Formani ishte ende persona non grata, kështu që u arrit kjo marrëveshje: regjisori nuk do të takohej me disidentët politikë dhe regjimi do të lejonte miqtë e Formanit të takoheshin me djalin plangprishës.
Kujtimet e vetë Formanit nga xhirimet përqendroheshin te problemet që vinin nga ndërhyrjet sovjetike. Qiradhënësja e paralajmëroi se telefoni i tij ishte i përgjuar. Informatorët futeshin në çdo dhomë. Dy makina e përcillnin kudo, gjë që dukej e tepërt kur dihej se edhe shoferi i tij ishte agjent sekret. Në autobiografinë e tij, Formanit thjesht i vinte turp të shprehte nivelin në të cilin temat e represionit sovjetik u zbuluan në Amadeus. “Ashtu duhej të ishte në Pragën socialiste”, shkroi ai, “shpirti i Franz Kafkas qëndronte mbi veprën tonë.”
Ndoshta edhe më shumë flet historia që ai tregoi për negociatat me drejtorin e përgjithshëm të filmit në Çekosllovaki, Jiří Purš, i cili, siç ka thënë Formani, donte siguri absolute se Partia Komuniste nuk do të kishte asgjë për t’u frikësuar: “Supozoj se politikisht nuk ka asgjë në skenar ku ata do të mund të kapeshin”! Përgjigja e Formanit është model i mohimit të besueshëm dhe ironisë së hidhur: “Shiko, bëhet fjalë për Mozartin”!
F. Murray Abraham ndjeu tendosjen e kontrollit të detyrueshëm kur shkonte e vinte nga Shtetet e Bashkuara (për rolin në filmin Scarface), ndërsa Amadeus po realizohej në Pragë. Abrahami thotë për BBC-në: “Në fund të çdo dite të xhirimeve më duhej të kaloja kufirin për të arritur në aeroportin e Vjenës, për t’u kthyer në Holivud. Në pikën e kontrollit, policia çekosllovake na detyronte të rrinim kot, si një mënyrë për të treguar peshën që kishin, për të bërë me dije se kush ishte kryesori. Ndjesia e ngacmimit dhe frikësimit ishte kudo”.
Ai tension midis ekipit amerikan dhe agjentëve sovjetikë doli në pah më 4 korrik. Produksioni ishte duke xhiruar një skenë opere dhe ekipi u organizua ashtu që, kur Formani të bërtiste “aksion”, flamuri amerikan do të shpalosej dhe himni kombëtar do të luhej në vend të muzikës së Mozartit. Rreth 500 aktorë shtesë çekë u emocionuan nga kënga, duke zbuluar simpatinë e tyre me Perëndimin. Por, jo të gjithë. Formani ka thënë: “Të gjithë u ngritën në këmbë – përveç 30 burrave dhe grave, të cilëve frika u vërehej në fytyrë, duke parë njëri-tjetrin [duke pyetur] se çfarë duhej të bënin. Ata ishin nga policia sekrete, të shpërndarë midis aktorëve”.
Derisa Amadeusi vazhdon të rivlerësohet në 40-vjetorin e tij, rëndësia e Luftës së Ftohtë duket gjithnjë e më e madhe. Paul Frazier, autor i librit Lufta e Ftohtë në Film [The Cold War on Film], i thotë BBC-së se filmi u fut në damarin e thellë të zilisë sovjetike: “Salieri është një ‘Lada’ sovjetike që përpiqej të ishte një ‘Ford Mustang’. Ai nuk mund të jetë i madh se Mozarti, kështu që iu drejtua minimit dhe manipulimit. Kjo ishte edhe qasja e BRSS ndaj Perëndimit: në vend që të ishin më të mirë se Perëndimi, sovjetikët iu drejtuan minimit dhe diskreditimit të Perëndimit”.
Historiani Nicholas J. Cull i bën jehonë kësaj analize. “Kujtojeni vargun e Jonathan Swiftit: ‘Kur një gjeni i vërtetë shfaqet në botë, ju mund ta njihni atë nga shenja se të gjithë budallenjtë do të bashkohen në një konfederatë kundër tij’. Qoftë në vitet 1780 apo 1980, ajo që keni parë është gjeniu i vërtetë përballë burokratëve mashtrues dhe mediokër. E shihni të njëjtën dinamikë në filmat e Luftës së Ftohtë, si Openhajmeri [Oppenheimer] i verës së kaluar, i cili në një farë mënyre është një Amadeus me A-bombë. Ka kuptim që kineastët refugjatë si Formani dhe ekipi i tij krijues ishin të prirur që të flasin për alegorinë e mbrapshtisë komuniste”.
Jo të gjithë e kuptuan idenë se Amadeusi luftonte me totalitarizmin sovjetik. Kevin Hagopian, profesor i studimeve mediatike thotë se ekziston rreziku që alegoria ndaj çdo gjëje si kërcënim i paparë sovjetik, përfundon duke e bërë artin thjesht një shërbëtore të politikës. “Kjo në fund shndërrohet në rrugë qorre për të vlerësuar bukurinë emocionale të muzikës së Mozartit”, thotë Hagopian për BBC. Megjithatë, shton ai, nuk mund të anashkalohen rezonancat politike. “Alegoria që sollën kineastët satirikë çekë, si Formani, nënkuptonte se audienca nisi të kërkonte, madje ndoshta të shpikte, kuptimin alegorik politik”, thotë ai. “Të gjithë filmat mund të lexohen kundër thelbit të një regjimi të cilit i mungonte jo vetëm njerëzorja, por çdo ndjenjë ironie për veten e tij. Pra, nëse Amadeusi nuk ishte në të vërtetë për tiraninë e stilit sovjetik, por audienca thjesht mendoi se ishte, në rregull, kam një ndjenjë se Miloš Forman nuk do të ishte kundër”.
Nga ana e tij, Abrahami është i sinqertë për ato që ai beson se janë veprime bashkëkohore politike të filmit, siç i tha BBC-së në qershor: “Veç mendoni se sa shumë amerikanë e adhurojnë Putinin tash. Këta autokratë papritmas çmohen. Është zhgënjyese, me të vërtetë demoralizuese, por nëse Amadeusi mund të na ndihmojë të shohim situatën tonë aktuale me një vështrim më të qartë, kjo tregon se sa fuqishëm jehon mesazhi i tij”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme