Akuza se me veturë shkaktoi tentimvrasje të rëndë ndaj dy personave, i akuzuari deklarohet rreth fajësisë

I akuzuari, Edvin Alushi pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Perlinqeviq, për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë është deklaruar i pafajshëm në seacën e së martës më datë 27.01.2026.
Alushi akuzohet nga Prokuroria se ka goditur me veturë G. S. dhe M. N. duke ju shkaktuar lëndime.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës e cila është ngritur më datë 03.04.2025, i pandehuri më datë 07.08.2023 në orën 03:50 të mesnatës i kishte goditur dy persona me veturë, pasi i kishte vërejtur se të njëjtit janë duke ecur në këmbë.
Kjo ngjarje nga prokuroria përshkruhet të ketë ndodhur pasi G. S. dhe M. N., kishin dalë nga një klub nate në periferi të Prishtinës dhe ishin nisur në këmbë që të kërkojnë taksi.
Tutje Prokuroria pretendon se i akuzuari Edvin Alushi i cili ishte duke vozitur veturën e tipit “Audi A7” posa kishte vërejtur të dëmtuarit teksa ecnin, kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe i kishte goditur duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit G. S., kurse lëndime të lehta kishte pësuar M. N.
Në aktakuzën e Prokurorisë shkruhet se i akuzuari gjendej në arrati.
Prokuroria përshkruan se i njëjti pasi i kishte goditur viktimat ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.



















































