A mund ta besoni? Sivjet asnjë vrasje në Pejë!

Janë me dhjetëra vrasje që kanë ndodhur në këtë qytet, duke e kthyer kështu këtë qytet në “teksasin” e Kosovës.
Por, si duket viti 2015 ka filluar mbarë për qytetin e Pejës – dhe me shumë gjasë (shpresojmë) do të përfundojë edhe ashtu.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, nga periudha 1 janar deri me 27 tetor në rajonin e Pejës nuk ka ndodhur asnjë vrasje.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur vrasje gjatë kësaj periudhe kohore”, ka thënë Ibraj për Telegrafin.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë për Telegrafin se meritor që në qytetin e Pejës ka dhjetë muaj që nuk ka ndodhur asnjë vrasje, janë fillimisht qytetarët e Pejës, pastaj Policia dhe institucionet tjera që funksionojnë.
Ai ka sqaruar se ai takohet dy herë në javë me Komandantin e Policisë për rajonin e Pejës.
“Këshilli Komunal për Sigurinë në Bashkësi i ka mbajtur gjashtë takime deri më tani. Shpresojmë që të vazhdojë edhe në të ardhmen kjo situatë e qetë, që qytetarët të ndihen të sigurt në qytetin e Pejës. Pejës po i kthehet normaliteti. Besojmë se me investimet që priten të ndodhin vitin e ardhshëm, Peja do të normalizohet edhe më shumë”, ka thënë Muhaxheri.
Ndryshe, vrasja e fundit në Pejë, ishte shënuar më 31 dhjetor të vitit 2014, në orët e hershme të mëngjesit. Viktima ishtë një punëtor i një pompe të benzinës, e cila ndodhej në dalje të qytetit. /Telegrafi/





















































