Site icon Telegrafi

579-vjetori i Beslidhjes së Lezhës, Presidenti Begaj: Një nga faqet më të rëndësishme të historisë sonë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar sot 579-vjetorin e mbajtjes së Kuvendit të Lezhës. 

Në një postim në Facebook, Presidenti ka shkruar se kuvendi krijoi “Besëlidhjen e Lezhës” që ishte pikënisja e formimit të shtetit shqiptar.

“Sot nderojmë Kuvendin e Lezhës, që krijoi “Besëlidhjen e Lezhës”, pikënisjen e formimit të shtetit shqiptar. Duke bashkuar princa të shquar shqiptarë nën udhëheqjen e Skënderbeut, Besëlidhja e Lezhës ia doli që për vite të tëra të mbronte truallin arbëror”, tha Begaj.

“Ta kujtojmë këtë ditë jo vetëm për të nderuar një nga faqet më të rëndësishme të historisë sonë, por edhe për të përcjellë mesazhin jehonues, se sfidat e mëdha që ne shqiptarët kemi përpara, mund t’i fitojmë vetëm duke punuar bashkarisht”, tha Presidenti.

Besëlidhja e Lezhës u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë.

Si organizatorë të kuvendit merret i posa kthyeri nga Stambolli, gjenerali shqiptar në perandorin osmane Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë fisnikëve e principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit.

Exit mobile version