Një ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka zgjeruar fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre që pengojnë marrëveshjet për njohjen reciproke.
Ky hap, i cili ka të bëjë me ata që pengojnë proceset e njohjes reciproke ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ekspertëve, e veçanërisht në lidhje me situatën politike në Kosovë dhe ndikimin e mundshëm të këtij vendimi për shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Deklarata e presidentit Biden mund të interpretohet si një mesazh i fortë për ata që përpiqen të minojnë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.
Në një prononcim për Telegrafin, ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, theksoi se mesazhi i zgjerimit të sanksioneve të SHBA-së është i rëndësishëm për Kosovën.
Ai tha se integriteti territorial i Kosovës është vazhdimisht i cenuar dhe mesazhi amerikan mund të vlerësohet si forcim për shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, në këtë kuptim, mund të shihet si një bazë ligjore e zgjeruar ndaj të gjithë atyre që cenojnë shtetin e Kosovës.
“Së dyti, që është e veçantë në këtë situatë, është fakti që është përfshirë Rezoluta 1244 dhe minimi i institucioneve të pasluftës. Nëse kjo kombinohet me formulimin që këtu përfshihen zyrtarë të qeverive aktuale në Ballkan apo të qeverive të kaluara, atëherë mund të vlerësohet si një mesazh se askush nuk është imun nga mundësia e goditjes së individualizuar amerikane”, ka vlerësuar Ramadani.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij zgjerimi sanksionesh është fakti se ai është shpallur vetëm disa ditë përpara betimit të presidentit të ri amerikan.
Ramadani shprehet se kjo mund të shihet si një “politikë e përbashkët Biden-Trump”, duke e lidhur këtë veprim me politikën e sigurisë kombëtare amerikane, e cila është në zhvillim dhe ka mbetur në linjë për sa i përket prioriteteve të SHBA në rajon.
“Jo më pak e rëndësishme është fakti se urdhri u zgjerua tash rreth 10 ditë para se të betohet Presidenti i ri amerikan.
Pra, kjo mund të kuptohet si politikë e përbashkët Biden-Trump, sepse tashmë sa javë në SHBA ekziston ekipi i transicionit të pushtetit dhe kjo sidomos në politikat e sigurisë kombëtare amerikane”, tha Ramadani për Telegrafin. /Telegrafi/