Telegrafi

“Vjeshta dhe vargjet” – në kujtim të shkrimtarit të njohur, Rifat Kukaj

Asociacioni i letrarëve dhe artistëve, Art Club “Rifat Kukaj” në Drenas, mbajti Edicionin e V-të të manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargjet”.

“Ëndërr jona është botimi i kompletit të veprave të Rifat Kukajt. Shpresojmë t’ia dalim”, ka thënë në këtë takim, kryetari i Art Clubit, Izet Abdyli.

Në këtë takim, Halil Xani foli për krijimtarinë e Kukajt dhe shpalli të hapur ekspozitën e veprave të shkrimtarit të njohur, e cila zgjoi interesim të madh të pranishmëve.

Manifestimi vazhdoi me orën poetike “Rifat Kukaj”, ku u lexuan poezitë e dërguara me shifër në konkursin e shpallur letrar. Pas deklamimit të poezive, juria në përbërje të Sali Bashotës, Nexhat Rexhës e Nexhmije Kastratit, ndau këto çmime: Çmimi i parë i takoi poezisë “Arbëria e vogël”, me shifrën “Arbëria e vogël” dhe autorin Hajdin Morina; çmimi dytë poezisë “Kuteli”, me shifrën “Gjaku gjakon” me autorin Rrahim M. Sadiku; çmimi i tretë poezisë “Kumt” me shifrën “Shpend Sokoli i Sokol Shpendit”, me autorin Ramë Oraca. Me këtë rast u nda edhe çmimi motivues për të rinj, “Iljaz Prokshi”, të cilin e fitoi poezia “Tre e mëngjesit”, me shifrën “Stina e pestë”, të autores Marigona Kelmendi.

Çmimi special “Rifat Kukaj”, për vepër jetësore, iu nda poetit Adem Gashi. /Telegrafi/