Site icon Telegrafi

Vepra e Barletit, burim kryesor për jetën e Skënderbeut!

Nga: Feride Papleka

Humanist i shquar dhe historian, Marin Barleti është i pari autor i njohur dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë së hershme shqipe. Vepra e tij “Historia e Skënderbeut” u shkrua në latinisht dhe, siç thotë F. Pall, u përkthye pothuaj në të gjitha gjuhët e Evropës, sepse në të vërtetë lufta çlirimtare e arbërorëve, të udhëhequr prej Skënderbeut, sipas mendimit politik të njerëzve më të qartë të kohës, kishte një funksion evropian, e cila gjeti shprehjen te ideja për një front të gjerë kundërosman, që mbeti sidoqoftë në letër nga politika e mbyllur e disa shteteve. Pas rreth 500 vjetësh, më 1965, kjo vepër iu dha edhe publikut shqiptar në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare të autorit, me përkthimin mjeshtëror të Stefan I. Priftit.

Duke na njohur me një të kaluar të lavdishme, vepra është edhe një dëshmi e zjarrtë atdhedashurie e shqiptarizmi, burimi kryesor i një literature të gjerë dhe veprash artistike në pikturë, në skulpturë, në muzikë dhe në kinematografi. Me emrin e Gjergj Katriotit-Skënderbeut lidhen identiteti ynë dhe krenaria jonë kombëtare. Lavdia e tij ka qenë përherë simbol qëndrese në vitet e rënda e të gjata pesëshekullore të robërisë turke. Kujtimi i tij i ndriçoi rilindësit për realizimin e epopesë së zgjimit kombëtar për pavarësi dhe emancipim historik. Emri i tij është simbol i përjetshëm frymëzimi.

Cili ishte Marin Barleti?

Për jetën e tij nuk ekzistojnë shumë të dhëna, ato i mësojmë kryesisht përmes veprave që ka botuar, në të cilat kur e sjell rasti, ai flet edhe për veten. Barleti lindi në Shkodër. Këtë e pohon në krye të librave të tij, kur thotë: “Marin Barleti, prift shkodran”. Në fillimet e adoleshencës përjetoi rrethimin e parë të qytetit (1474). “Kështu më kujtohet se në Rrethimin e Parë të Shkodrës armiqtë u dukën rrëzë mureve gati më parë se të merrnim vesh për ta” (Historia e Skënderbeut, IV, 229). Ndërsa më 1478-1479, gjatë rrethimit të dytë, ai bënte pjesë në garnizonin mbrojtës të kështjellës. Për këtë bastion të fundmë të qëndresës shqiptare ai thotë se ka luftuar me armë në dorë, i frymëzuar nga lavdia e Skënderbeut për të mbrojtur atdheun, “por pa fat” (VI, 339). Në kreun e trembëdhjetë, apo librin e trembëdhjetë sipas Barletit që është edhe epilogu i veprës Historia e Skënderbeut, ai njofton se ka botuar edhe një “libërzë” për Rrethimin e Shkodrës.

Pas tragjedisë së rënies së Shkodrës më 1479, që shënon edhe rënien e krejt Shqipërisë, Barleti i ri mori rrugët e mërgimit përtej detit me luftëtarët që kishin mbetur, duke ruajtur në shpirt kujtimin e prindërve që iu vranë gjatë rrethimit dhe emrat e atyre që kishin rënë në atë luftë të pabarabartë. Më 1479 dhe 1480 u arratis në dhe të huaj gjithë popullata e qytetit që nuk duronte dot të jetonte në robëri. “Banorët e tij u larguan pothuajse të gjithë” (Histori e Shqipërisë, Tiranë 1973, f. 67). Dhe, është paradoksale kur dëgjon ndonjë studiues të fushës së historisë mesjetare shqiptare që guxon të pohojë se “turqit nuk kanë qenë pushtues, por administratorë”. Kjo është jashtë së vërtetës historike po të lexojmë në vetë kronikat osmane vrasjet, shkatërrimet dhe djegiet e panumërta deri në shkretim të krahinave ku shkelte pushtuesi.

Dihet se Skënderbeu i fitoi të gjitha betejat kundër ushtrive osmane, që nga ajo e Torviollit (qershor 1444) e deri në atë të Albulenës (shtator 1457), që nga ajo e rrethimit të parë të Krujës (verë 1450) e deri në rrethimin e saj të tretë (korrik 1467), gjithsej njëzetepesë beteja, përveç asaj të Beratit korrik (1455) në të cilën për një rastësi fatkeqe Skënderbeu nuk mori pjesë (shkak u bë një armëpushimi i imponuar); humbja aty qe aq e rëndë sa pothuaj të gjithë komandantët shqiptarë u zunë rob dhe u masakruan. Të mos harrojmë se çdo fitore ka pasur dëshmorët e saj, humbje jetësh të pakthyeshme dhe dëme të mëdha; vetëm në Torvioll që mbahet si beteja me më pak humbje, numri i të vrarëve ishte 1,600 ushtarë dhe komandantë, i cili u bë 2,000 me 400 te tjerët që u plagosën rëndë dhe vdiqën pas një kohe të shkurtër. Por, gjithë kjo gënjeshtër bën pjesë në fushatën strategjike për të shtrembëruar çdo të vërtetë, në mënyrë që ky popull mos të gjejë kurrë qetësi e të realizohet qëllimi famëkeq për zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Në Venedik, Barleti kreu studime teologjike, kuptohet, i ndihmuar ekonomikisht për të përballuar jetën edhe nga fakti se Shkodra kishte qenë zotërim i Republikës së Venedikut dhe ai gëzonte të drejtën si qytetar i saj. Pas diplomimit punoi si prift në rrethinat e Republikës. Me dije të thella për letërsinë dhe filozofinë greke e latine, ai u pajis me kulturë humaniste dhe e zotëronte aq mirë latinishten, sa arriti t’i shkruante veprat në këtë gjuhë. Jeta e përbashkët me të mërguarit shqiptarë, mes të cilëve kishte edhe nga ata që kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut, e ndihmoi të njihej gjerësisht me kujtimet për heroin dhe për epokën e qëndresës shqiptare ndaj pushtuesve osmanë e të plotësonte kështu me fakte veprën Historia e Skënderbeut, të cilat i pasuroi pastaj edhe me të dhëna nga historia e botës, nga letërsia dhe nga mitologjia.

Barleti pohon se ka i ka përjetuar fort të dyja rrethimet e Shkodrës, 1474 dhe 1478. Për rrethimin e dytë ai ka shkruar veprën “Rrethimi i Shkodrës”, duke mbetur kështu historiani i parë shqiptar dëshmitar sypamës, ashtu si e përkthen Noli fjalën “okular” i një lufte të një ushtrie të vogël, me ushtrinë e një prej perandorive më të fuqishme të kohës. Ky libër është botuar më 1504. Më në fund si datë vendimtare është edhe vepra e tretë, në të cilën flitet për papët deri në vitin 1512. Nga kjo e dhënë e fundit merret vesh se ai është ndarë nga jeta përafërsisht kur ndalet vepra për jetëshkrimin e papëve. Mendohet se ka lindur rreth vitit 1460 në Shkodër dhe ka vdekur rreth viteve 1512 ose 1513 në Padova. Sipas gjuhëtarit të shquar Eqrem Çabej, Barleti vjen nga trajta shqipe Bardheci. Këtë e dëshmon edhe Thalloczy në librin “Gjurmime iliro-shqiptare”. Madje në tri botimet e para të librit Rrethimi i Shkodrës, shënohet Barleci.

Prej Marin Barletit njihen tri vepra:

1. “De obsidione Scodrensi” (Rrethimi i Shkodrës, Venedik, 1504), në të cilën përshkruhet historia dramatike e luftës për jetë a vdekje të banorëve të rrethuar për një vit nga Osmanët. Vepra pati edhe tri ribotime të tjera më 1576, 1578, dhe më 1596. Në shqip u përkthye më 1964 nga Henrik Lacaj.

2. “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis” (Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve, Romë, midis viteve 1508-1510), të cilës i janë bërë jo vetëm shumë ribotime në gjuhën e origjinalit, latinisht, por në fillim të shekullit XVI edhe ribotime nga përkthimet në gjuhët kryesore të Evropës si gjermanisht (1533), italisht (1554, 1560), portugalisht (1567), polonisht (1569), frëngjisht (1576), spanjisht (1582), anglisht (në fund të shekullit)… Përkthimit shqip në vitin 1965, i janë bërë dhe tri ribotime të tjera para ’90-s si dhe një ribotim, pas vitit 1990.

3. “Compendium vitarum summorum pontificum imperatorumque Romanorum” (Pasqyrë e shkurtër e jetës së papëve dhe perandorëve romakë, Romë, 1553), vepër që i kushtohet Pjetër Engjëllit, njërit prej bashkëluftëtarëve kryesorë të Gjergj Kastriotit, i cili e pati nxitur dhe ndihmuar autorin për të shkruar një histori për Skënderbeun.

Vepra e dytë dhe më e rëndësishme e Barletit si historian është “Historia e Skënderbeut”, e cila u bë shumë shpejt e njohur gati në të gjithë Evropën nëpërmjet përkthimeve dhe pati jehonë si vepër me frymë të lartë humaniste. Përkthyesi i saj në shqip, e ka shoqëruar tekstin me një studim të admirueshëm për veprën dhe vlerat e saj historike e stilistike. Ai e ka pajisur atë edhe me shënime sqaruese për ngjarje dhe figura të ndryshme, duke e bërë më të kuptueshëm për lexuesin e sotëm: “Katërqindepesëdhjetë vjet më parë Barleti ynë shkroi në gjuhën latine sipas zakonit, veprën e tij monumentale për Gjergj Kastriotin, ‘Historinë e Skënderbeut’. Në faqen e parë titulli zgjerohet me një nëntitull: Mbi sjelljet e jetës dhe punët, veçanërisht kundrejt turqve, bëmat e Gjergj Kastriotit, princi i shkëlqyer i epirotëve, i mbiquajtur Skanderbeg për veprat e tij, ndryshe Aleksandri i Madh. Shkruar prej Marin Barlet Shkodranit… (lat. De Vita Moribus Ac Rebus Praecipue Aduersus Turcas, Gestis, Georgii Castrioti, Clarissimi Epirotarum Principis, qui propter celeberrima facinora, Scanderbegus, hoc est, Alexander Magnus, cognominatus fuit, libri Tredecim, per Marinum Barletium Scodrensem conscripti…)”!

Në parathënie Barleti na njeh me konceptin e tij të drejtë për historinë si shkencë, e cila mbështetet te e vërteta. “[…] Rregulli dhe ligji i historisë është që, kur shumë gjëra të gabuara janë të përziera me të vërteta, të rrihen e të shoshiten mirë, me qëllim që të pastrohen si në ujë të kulluar përrenjsh dhe të ngelin të llagarta për ata që do të lexojnë këto shkrimet tona” (VII: 380). Ai mendon se është shumë e rëndësishme që e kaluara të mos gjykohet me sytë e së tashme, duke iu kushtuar njëkohësisht shumë rëndësi të dhënave të cilat duhet të jenë “të padyshimta” e “të besueshme”, në mënyrë që të ishte objektiv për lexuesin. Të tilla janë ato që ai ka parë vetë, pra i ka përjetuar dhe mbi të cilat është mbështetur në veprën e parë Rrethimi i Shkodrës, por të besueshme ai i quan edhe kujtimet e pashlyeshme të atyre që kanë qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut e mbi të cilat ai është mbështetur për të shkruar veprën “Historia e Skënderbeut”. Një ndër ata ka qenë edhe Pjetër Engjëlli, pjesëmarrës në epopenë e Skënderbeut, i cili i siguroi “shumë të dhëna të sakta”. Vëllai i tij Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit dhe hartues i qarkores “Formula e pagëzimit” (1462) në gjuhën shqipe, ka qenë njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i Skënderbeut për çështjet diplomatike. Kur thëniet e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut përputhen me përfundimin e ngjarjeve, autori është i bindur se i është afruar të vërtetës. Në raste të ndërlikuara ai e lë të vërtetën në dorë të lexuesit të ardhshëm, te paanësia e tij: “Megjithëkëtë, paanësia e lexuesve […] le ta nxjerrë gjithë të vërtetën nga shqyrtimi i kujdesshëm i rrethanave të kohës” (III: 175). Ai që në fillim shkruan “barra që kam marrë përsipër më rëndon e më tremb […], padashur mua po më rrëmben prej kohësh kjo dëshirë […] kam pritur me shpresë e me zjarr në zemër që kjo lëndë kaq e gjerë të nxiste ndonjë shkrimtar […] Por asnjeri deri tani s’e ka pëlqyer një mund kaq të shenjtë, megjithëqë nuk pushojnë së botuari çdo ditë kujtime të panumërta deri në shpërdorim” (Parathënie: 59, 60). Sidoqoftë Barleti është i bindurr “se më pas do të jenë të shumtë ata që do të provojnë të hyjnë në rrugën e hapur […]” (Parathënie: 61).

Vepra ka 13 libra. Kësaj radhe ai ia kushton nipit të Skënderbeut që kishte emigruar në Napoli, “Princit shumë të ndritur të epirotëve, Kastriotasit Donferand” (57).

Duke e ndier si detyrim që t’u lëjë brezave të ardhshëm emrin dhe lavdinë e Skënderbeut, Barleti ka menduar të shmangë rrezikun “që vepra e kryetrimit të mbulohet nga harresa”. Heshtja në një rast të tillë do të ishte “krim ndaj atdheut, dashuria ndaj të cilit është vlera më e madhe e çdo vepre (Parathënie, I: 60).

Në këtë ligjërim, në radhë të parë ai krijon të gjallë figurën e Skënderbeut dhe përmes saj jep edhe madhështinë e epokës skënderbejane. Vepra hapet me dërgimin e Gjergjit peng bashkë me vëllezërit e tij në oborrin e Sulltanit në Stamboll qysh në moshë të vogël. Noli, i mbështetur në dokumente të zbuluara rishmëzi, në librin e tij “Historia e Skënderbeut” (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë, 1921, e kundërshton këtë fakt me argumente dhe thotë se ai është marrë peng në moshë të rinisë. Kronikat osmane nuk përcaktojnë një moshë të saktë, por mjaftohen me termin “i vogël”. Gjergji ishte biri i princit të Krujës, Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës, bijë e familjes feudale të Pollogut. Ishte më i vogli i nëntë fëmijëve, pesë vajza: Mara, Jella, Angjelina, Vlajka, Mamica e katër djem: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji.

Sipas konceptit të autorëve klasikë, Skënderbeu i Barletit, i cili herë quhet Skënderbe, herë Epiroti, e herë Kastrioti, mishëron çdo gjë të lartë, të bukur, të fuqishme, e të mrekullueshme. Që i vogël ai thurte plane të mëdha. Në shkollë u shqua mes shokëve, ndërsa kur u rrit, fitoi famë me trimëritë që tregonte. Gjergjit në oborrin e sulltanit ia ndërruan emrin dhe e quajtën Iskander bej, falë talenteve që shfaqi e që iu kujtonte Aleksandrin e Madh.

Teksti nis me ardhjen e tij në Krujë më 1443 dhe me çlirimin e saj të gjithë kishin në gojë lirinë. Kudo oshëtinte emri i ëmbël i lirisë (I: 89); me ngritjen e flamurit të kuq e zi, më 28 nëntor mbi kështjellën e Krujës; me krijimin e ushtrisë mbrojtëse; me Besëlidhjen e Lezhës më 2 mars 1444, në të cilin ai mblodhi princat shqiptarë për luftë kundër pushtuesve osmanë; me betejat e njëpasnjëshme fitimtare për marrjen e kështjellave; me fjalimet që u mban ushtarëve; me martesën e tij me Donikën, bijë e Gjergj Arianit Komnenit, një princ tjetër i fuqishëm i kohës; me brengat dhe dëmet që shkaktuan tradhtia e Hamza Kastriotit dhe ajo e Gjergj Stres Balshës, përkatësisht djali i vëllait dhe i motrës së Skënderbeut, e gjer te Moisi Golemi apo ndonjë tjetër; me përballimin e intrigave të ndonjë princi deri edhe për ta asgjësuar; me letrat; me rregullimet e jetës së shtetasve të vet në kohë paqeje; me përpjekjet e Ballaban pashës dhe Jakup Arnautit, dy renegatëve shqiptarë që erdhën në krye të ushtrive osmane, të përbetuar për ta vrarë me porosi të sulltanit; me tre rrethimet e Krujës; me aleancat diplomatike etj.

Që nga dita e parë që erdhi në Krujë e gjersa e çliroi mbretërinë “mezi i bënte dy orë gjumë çdo natë, mrekulli kjo veçanërisht e një trupi hyjnor dhe e një trimërie të pashterur” (I: 98). Barleti i ka dhënë ngjarjet me një stil tërheqës që të rrëmben për pasionin dhe kulturën e gjerë. Për veprën e tij Noli shkruan: “Me latinishten e tij elegante dhe shtyllën (stilin) e tij të kujdesur fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekur kujtimin e Skënderbeut në Evropë”. Vepra mbyllet me vdekjen e Skënderbeut në Lezhë kur mendonte të bënte një kuvend të ri me princat shqiptarë, me vajtimin në qytet të Lekë Dukagjinit dhe me varrimin madhështor e tronditës në kishën e madhe të Shën Kollit (Shën Nikollës); për një rastësi të lumtur, ai vdiq atje ku kishte shpallur Besëlidhjen. Kjo vepër dëshmon se autori ishte një shkrimtar i nivelit të lartë dhe historian që përpiqet të ndërtojë kuadrin e saktë të jetës së heroit. Me gjithë vështirësitë objektive për të siguruar burimet, jep njohuri të gjera për shekullin XV.

Pavarësisht nga dobësitë që kanë të bëjnë me ndonjë pasaktësi kronologjike dhe nganjëherë me mungesën e të dhënave të sigurta për ngjarje të veçanta, me teprimet në frymën lëvduese (panegjerike), që është karakteristike e historiografisë humaniste, të cilat nuk e zbehin qëllimin e ligjërimit, Historia e Skënderbeut e Marin Barletit deri tani mbetet e para në bibliotekën gjigante që ka krijuar emri dhe historia e luftërave të kryetrimit shqiptar. Sipas Biemit mëtohet se ka edhe një autor tjetër të mbiquajtur Anonimi i Tivarit, i cili ka shkruar për Skënderbeun dhjetë vjet pas vdekjes së tij, por që nuk i gjendet origjinali. Lidhur me këtë problem At Athanas Gegaj shkruan: “Botimi i Biemit njohu afërsisht të njëjtin fat të origjinalit prej nga u frymëzua, pa dyshim ai nuk ka humbur, por qëndron ende i panjohur nga specialistët e shumtë të historisë ballkanike”.

Vepra e Marin Barletit shënon një arritje me vlera të mëdha origjinale, ajo mbetet një burim i dorës së parë e i pazëvendësueshëm për historinë e shekullit XV të Shqipërisë, si dhe të Evropës juglindore. Kostantin Jireçek, bashkautor i veprës Gjurmime iliro-shqiptare, e ka cilësuar si burimin kryesor për historinë e jetës dhe veprës së Skënderbeut. Krahasimi me të dhënat dokumentare të sotme i hedh poshtë disa vlerësime negative të bëra në të kaluarën për veprën.

Ka shumë kronikanë osmanë, venedikas, raguzianë, anonimë, ka shumë autorë të tjerë që kanë shkruar për betejat e ushtrive osmane kundër Arbërisë apo për betejat mbrojtëse të Skënderbeut. Pas Barletit kanë shkruar edhe të tjerë, si Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu, Frang Bardhi, Fan Noli, Athanas Gegaj (studime doktorate), Aurel Plasari… Historiani i mirënjohur Kristo Frashëri në studimin Skënderbeu, jeta dhe vepra, një punë e mbështetur në dokumente dhe materiale arkivore e nxjerr Gjergj Kastriotin jo vetëm udhëheqës të luftërave çlirimtare në Mesjetë, por edhe nismëtar të shtetit të organizuar shqiptar. Sidoqoftë Barleti është si të thuash guri i themelit, ai i ka ngritur i pari një monument të shkruar heroit tonë kombëtar, në mënyrë të atillë që ai duket i gjallë edhe tani pas pesë shekujsh. Historia e Skënderbeut e Marin Barletit duhet të jetë një ndër librat më të çmuar në bibliotekën e çdo shqiptari.

Barleti është përfaqësues i humanizmit në shekujt XV dhe XVI. Dashuria për njeriun, atdheun e lirinë dhe për çdo gjë të mirë e të bukur janë pasqyruar me një frymë të thellë optimizmi në të gjithë veprën e tij. “Skënderbeu” i Barletit udhëhiqet nga ide të larta morale. Kur çliron Krujën, përpara qytetarëve të lirë ai mban një fjalim të zjarrtë: “[…] Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. […] Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat dhe në ushtat” (I: 94, 95). Artin e tij të përsosur luftarak Skënderbeu e demonstron me taktikat dhe strategjinë e betejave, që janë përherë taktika të reja, me të cilat ai i njeh gjithnjë edhe ushtarët e tij para luftimit. Ja si u flet sfetigradasve para betejës së Sfetigradit: “[…] O sfetigradas, […] Gjer tani ne kemi luftuar për fitoren, për nderin e mbretërisë, tani ju duhet të luftoni për shpëtimin, për lirinë, për muret e atdheut […]” (IV: 235).

Taktikat e tij që do të shpalosen, zhvillohen dhe pasurohen më tej gjatë luftimeve mbrojtëse janë: bindja në qëllimin e betejave, goditja në befasi e armikut, shpejtësia në veprime, veprimi në përputhje me rrethanat dhe kalitja e përhershme fizike. Kalitjen fizike, si dhe disiplinën dhe pastërtinë morale Skënderbeu i quan vendimtare, prandaj Barleti shkruan: “Me këto mënyra, ndoshta, u ruajt dhe u rrit për vjete me radhë me aq lavdi e fatbardhësi mbretëria; me këto i bënë për vete perënditë, që u jepnin pastaj aq shumë zemër dhe ua mprehnin aq fort shpatat” (IX: 470). Zotësinë dhe trimërinë e Skënderbeut e njeh edhe armiku. Sulltan Murati II ose Tirani, si e emërton shpesh në libër autori, e quan “ luan të pazbutur”. Barbarët, domethënë pushtuesit osmanë pasi kanë hasur kundërpërgjigjet e Skënderbeut, janë të bindur se trimëria e jashtëzakonshme e tij dhe e ushtarëve të tij është pengesa kryesore që nuk i lë të përparojnë ushtritë osmane. Ata e kanë cilësuar “mjeshtrin më të madh të pritave” (XI: 563). Duke u shfajësuar përpara sulltan Mehmetit II për shpartallimin, Ballaban pasha thotë: “Shumë gjëra dëgjoj të thonë, o prijës i ndritur, për Skënderbeun, gjëra, për Herkulin (për zotin), mbinjerëzore, se ai është i pathyeshëm në luftë, i pamposhtur në armë, që s’merr plagë nga hekuri” (XI: 460). Barleti e quan Skënderbeun “mrekulli e shekullit” (II: 133).

Barleti shkruan se Skënderbeun e donin shumë për karakterin e tij të natyrshëm e popullor, ai tregohej i arsyeshëm me ushtarët, u shkonte pranë kur plagoseshin, u jepte zemër, u shpëtonte jetën kur viheshin në rrezik. Ai këshillohej gjithnjë me shokët e tij të armëve dhe lutjet e tyre e preknin në zemër edhe në rrethana të vështira (VI: 336). Skënderbeu është trim, por edhe mendjemprehtë, me dije të gjera e të sakta; këto duken sidomos në letrat që u dërgon sulltan Muratit (III: 171) dhe sulltan Mehmetit (XI: 567). Ai është i matur e i përmbajtur edhe në situata të rënda dhe dallohet për qëndrime të urta, si bie fjala kur Vrana Konti e qorton (V: 256), apo kur armiku është dorëzuar. Ai i fal jetën një armiku të mundur, Hasan beut, i cili merr guximin e i thotë: “Kështu […] do të kesh më tepër lavdi nga triumfet e butësisë sate, sesa nga triumfet e ushtrive dhe të fitoreve armike” (XI: 561). Shpirtbutësinë e Skënderbeut Barleti e quan hyjnore, veçanërisht kur përshkruan faljen e gjeneral Moisiut të penduar. Fjalimet e gjata që vë Barleti në gojën e Skënderbeut para betejave, janë një mjet për të shpalosur idetë humaniste të autorit. Në shtratin e vdekjes ai i porosit shqiptarët se po të jenë të bashkuar, nuk mund t’i thyejë asnjë armik: “Dhe me të vërtetë, s’ka asnjë shtet aq të fuqishëm dhe aq të shëndoshë, saqë mos të shembet dikur e të mos rrënohet, kur u lëshon vend mërive dhe grindjeve të përbashkëta, kur vë përpara së mirës së përgjithshme dobinë dhe përfitimin vetjak” (XIII: 650).

Barleti shpesh jep shpjegime, duke arsyetuar atë që shkruan, si për shembull, kur tregon përse Skënderbeu i mblidhte aq shpejt ushtarët e tij (VII: 398), por nuk rri pa e qortuar kur ndonjëherë rrëmbehet, sepse Skënderbeu nuk mund të rrinte pa vepruar menjëherë kundër armikut. Besimi i njerëzve te Skënderbeu ishte i madh e i përhershëm: “Qyteti ishte derdhur nga çdo anë dhe kishte dalë kudo për t’i pritur, sepse besonin që, me praninë e Skënderbeut mund të ngjalleshin edhe të vdekurit e të ktheheshin prapë” (VIII: 446). Trupi i Skënderbeut nuk merr plagë, sepse ai është “hyjnor” (VIII: 442), prandaj kur Mehmeti II erdhi “në Arbëri dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës […]”, ushtarët e tij hapën varrin e Skënderbeut dhe i nxorrën eshtrat për të bërë hajmali që t’i varnin në qafë “si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë e vendimtare për fatin e tyre” (XIII: 656, 657).

Skënderbeu mishëron çdo gjë të lartë e të ndritur të popullit të vet, dëshirën e tij të zjarrtë për liri, ëndrrat dhe idealet e tij më të pavdekshme. Ai ka luajtur nje rol të madh në bashkimin e shqiptarëve.

Emri i Skënderbeut është përjetësuar në Shqipëri dhe në botë. Libra mbi princin shqiptar filluan të shfaqen që në fillim të shekullit XVI, sepse vepra e Barletit pas botimit ka qarkulluar në Evropën perëndimore. Përkthimi dhe botimi i veprës së Barletit në shqipe me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar është shoqëruar edhe me një botim serioz, përmbledhje dokumentesh të kohës, kryesisht kronika osmane. Dy shtatore në kalë i janë ngritur atij në Tiranë dhe në Krujë. Në Krujë, në kryeqytetin e Arbërisë së kohës së Skënderbeut është një muze modern, i cili mund të krahasohet me shumë muze të atij lloji në botë; për fat të lumtur ai është ndër objektet e rrallë që i ka shpëtuar shkatërrimit në emër të luftës kundër komunizmit. Shkolla ushtarake mban emrin e Skënderbeut, shumë rrugë në Shqipëri dhe në botë mbajnë emrin e tij. Arbëreshët e Italisë e kanë të pranishëm në shumë vendbanime me bustin e tij dhe në emrat e shumtë të rrugëve, në këngët dhe në vallet e tyre.

Janë të shpeshta rastet kur figura dhe emri i Skënderbeut kanë shërbyer si shembull në vepra të ndryshme historike apo filozofike. Bie fjala Voltaire e nis Rënia e Kostandinopojës, duke bërë një krahasim gjenial: “Sikur perandorët grekë të kishin vepruar si Skënderbeu, perandoria e Lindjes ende mund të ishte ruajtur”; Skënderbeu është personazh në disa tragjedi të shekullit XVIII; poetë dhe kompozitorë janë frymëzuar nga lufta e tij për liri; Ronsard, poet francez i shekullit XVI i kushtoi një poemë, ashtu si edhe poeti amerikan i shekullit XIX Longfellow shkroi një poemë të gjatë për figurën e tij; Skënderbeu dhe luftëtarët e tij trima përmenden edhe në poemën e Bajronit “Shtegtimet e djaloshit Harold” e të tjerë; italiani Antonio Vivaldi ka shkruar operën me titull “Skënderbeu” që u vu në skenë më 1718, kurse opera e francezit Fançois Francoeur me të njëjtin titull “Skënderbeu”, u vu në skenë më 1763. Edhe Fan Noli ka shkruar muzikën e një opere për Skënderbeun.

Autorë shqiptarë të shumtë janë frymëzuar nga vepra e Skënderbeut. Po përmendim vetëm disa në listën e gjatë të krijimeve kushtuar atij ose të frymëzuar nga emri i tij: “Skënderbeu i pafan” (De Rada); “Kënga e Sprasme e Balës” (Gavril Dara, i Riu); “Historia e Skënderbeut” (Jani Vreto); “Historia e Skënderbeut” (Naim Frashëri), “Kështjella” (Ismail Kadare); “Skënderbeu” (Sabri Godo) e të tjerë.

Skënderbeu është cilësuar trim i rrallë si Rolandi i poemës “Kënga e Rolandit” në epikën franceze dhe si shumë heronj të tjerë kombëtarë të vendeve me histori luftërash çlirimtare. Historianë dhe filozofë të ndryshëm e kanë konsideruar Skënderbeun si një ndër njerëzit më të mëdhenj të kohërave, strateg luftarak dhe të ditur.

Marin Barleti në historinë e kulturës shqiptare vlerësohet si një autor shumë i rëndësishëm. Ai pati dhuntinë të transmetonte historinë e një jete, por të përgjithësonte edhe një epokë. Vepra e tij ka edhe tipare të një jetëshkrimi letrar. Ai përfaqëson mendimin më të pëparuar të kohës, atë që e bëri të njohur Skënderbeun në opininonin evropian e më gjerë. Vepra e tij “Historia e Skënderbeut”, edhe mbas kaq shekujsh ruan vlera të patjetërsueshme.

Koncepti i lartë i Barletit për historinë e vërteton atë si një mendimtar të shquar. Idetë humaniste të tij janë model i triumfit të mendimit të lirë, te ai historiani, kleriku dhe humanisti shkrihen në një zë të vetëm që tingëllon fort për lirinë dhe atdheun. Historia për të ishte fryt i veprimit të njerëzve dhe jo i fuqive hyjnore. Veprën e vet ai e mendonte si një përmendore që ia kushtonte luftës për liri të atdheut dhe popullit të vet; ajo nuk do të kishte një funksion thjesht estetik, por do t’i shërbente së vërtetës, si mësuese e jetës, që do t’i nxiste njerëzit për “të hapur sytë e për të drejtuar si duhet punët e njerëzimit”. Marin Barleti mund të përfshihet me dinjitet në panteonin e emrave të mëdhenj të traditës që ka nxjerrë vendi ynë dhe kultura jonë.

Historia e Skënderbeut e Barletit është gjithnjë burim i pashtershëm nga ku atdhetarët shqiptarë në kohëra kanë mësuar historinë e luftërave të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe janë frymëzuar në përpjekjet e tyre për shpëtimin dhe lirinë e Shqipërisë. Atdhedashuria e zjarrtë e Barletit ka derdhur në letër heroizmin e popullit shqiptar, ka përjetësuar udhëheqësin trim të shqiptarëve. “Skënderbeu” i Barletit është simboli më i madh kombëtar, ylli i fatit shqiptar që ka ardhur në agim të shekullit XXI me sfida të reja. Barleti u ka lënë kështu brezave trashëgim një dhuratë të paçmuar, pavdekësinë e Gjergj Kastriot-Skënderbeut.

Prandaj, Marin Barleti duhej ta kishte shtatoren e tij në mes të Tiranës. Vepra e tij është nder për kulturën shqiptare, por edhe për atë evropiane. /Milosao/

Exit mobile version