LAJMI I FUNDIT:

Ushtari i UÇK-së, me 5 plagë, tregon si e shëroi Bajram Rexhepi: Me shëndet plagët e lirisë (Foto)

Ushtari i UÇK-së, me 5 plagë, tregon si e shëroi Bajram Rexhepi: Me shëndet plagët e lirisë (Foto)

Dy fjalë që tregojnë dy jetë: një të shpëtuar, e një tjetër të mbyllur me krenari. ‘I bajsh me shëndet plagët për lirinë e Kosovës’, i kishte thënë Bajram Rexhepi ushtarit të UÇK-së, Burim Idrizit, i cili tri ditë më parë atëbotë kishte marrë 5 plagë në trupin e njomë, por të fortë të një 18 vjeçari.

Lotët e ushtarit i kishin rrjedhur, jo në fytyrë sa në zemrën e ‘plagosur’ por të fortë që i kishte siguruar mbijetesën dikur, kur kishte marrë lajmin për vdekjen e doktorit dhe ish-kryeministrit.

‘Heroi im doktor’, e quajti dje ushtari Bajram Rexhepin, Burim Idrizi, i cili gjallë thotë të jetë falë tij.


Këto janë dy fjalë në periudha të ndryshme, por që tregonin dy jetë: një që shpëtohet, e disa vite pas, tregojnë edhe një që mbyllet me krenari për shërbimin në luftë.

Por, si rrëfen ushtari kohën kur u plagos dhe kur Bajram Rexhepi i premtoi se ‘do t’i shkonte pas kudo’, vetëm e vetëm për ta shëruar? Burim Idrizi, tash veteran i UÇK-së tregon për GazetaMetro ditën kur u plagos dhe ditën kur u mjekua së pari nga doktori Bajram Rexhepi, tashmë i ndjerë.

Liria ishte vetëm në zemrat dhe mendjet e ushtarëve në atë ditë. Në realitet vinin akoma predha. Ishte luftë e padenjë sipas tyre, pasi në pamundësi të shkëmbimit të zjarrit, ata duheshin përdorur strategji për t’i shpëtuar predhave që gjuheshin nga largësia. Shpesh disa metra, e herë milimetrat, i shpëtonin nga një goditje që s’do t’i shpëtonte as ndonjë mbinjeri. Por, dita e kobshme e njëkohësisht fatlume për t’i bartur ‘plagët e lirisë’ në trup, për Burim Idrizin po trokiste në derë.

Ishte ditë e zakonshme 15 shtatori i 1998’ës kur në pozicionin e krijuar për tre persona ishte futur edhe ai bashkë me shokë. Mbronte shokun e luftës i cili kishte në duar automatikun. Atë ditë serbët kishin përdorur një strategji tjetër. Ishin nisur me këmbësori për t’u kthyer menjëherë pas nga plumbat e ushtarëve të Brigadës 141 ‘Mehë Uka’, dhe për t’i sulur përsëri predhahedhësit. Në fushën ku luftohej binin parreshtur predha të tilla, aq sa lisat afër ishin bërë ‘blozhë’ nga copëzat e tyre. Kështu ishte rrezik të bëheshin edhe trupat e ushtarëve po që nuk kishte pak kujdes.

Dita e plagëve kishte nisur. Një rinosh po aq sa Burimi kishte pranuar një copëz granate në këmbë. Ai vrapoi, doli në fushën e hapur dhe i shkoi në ndihmë.

‘Më l’sho, kam ardhë për m’e vdekë k’tu’, tregon t’i ketë thënë ushtari.

Burimi si hajgarexhi që shquhej edhe në luftë, duhet t’i largonte mendjen nga vdekja. E po, edhe s’ishte koha për një gjë të tillë, ishte vetëm shtatori i 98’ës.

‘Çohu more, se hala nuk e ke shpagu veten në luftë’, i kishte thënë Burimi, dhe e kishte kapur nga rrypi i pasëm për ta tërhequr. Afër tij ishte afruar një ushtar tjetër, Saim quhej, dhe i kishte dhënë një dorë ndihmë. Ishin këto minutat kur ai dëgjonte me veshët e vogël por vigjilent një zhurmë. Ishte e një predhe, fishkëllima e të cilës tregonte se ishte afër.

‘Nga predhat e shpeshta e dinim me saktësi ku do të binin. Atë ditë llogarinë e kisha bërë gabim, ra vetëm pak përtej meje, ani pse ‘duhej’ të binte mbi 10 metra larg’, tregon Burimi me nënqeshje, si për të treguar se lufta bëhet me humor për t’u fituar. Madje, edhe vdekjes i buzëqeshet.

‘Fluturova pas disa metra. Mbaja shokun për brezi, por fuqia e predhës ishte e madhe. Kur u përmenda, pashë që më ishte mbuluar dora nga gjaku. Pashë që kisha humbur gishtat, por fatmirësisht pashë se më kishin shpëtuar dy: i madhi dhe i vogli. Si lëvozhgë bananeje duken’, tregon përsëri me shpoti Burimi.

Atë moment nuk ndiente dhimbje. Ai thotë se çapëllente sytë duke thënë me vete se ishte ëndërr. Nuk e kishte ndjerë as këmbën. Përsëri kishte mbyllur sytë duke besuar se ishte ëndërr. Dikur kishte dëgjuar zërin e ushtarëve serbë dhe kishte kuptuar se ëndrrat me serbë atë kohë nuk ishin për t’u parë me aq neglizhencë. Ishte munduar të ngrihet dhe kishte parë që s’arrinte ta bënte. Aty u bind që pas ëndrrave të paktën ngrihesh dhe se kjo nuk ishte fare e tillë.

Pak minuta më vonë, ai kishte parë edhe dy shokë të tij të palëvizshëm nga plagët. Kishte kuptuar se mund t’i binin të gjallë në dorë serbëve. Këtë s’e donte as në ëndërr, ani pse ëndrra do të ishte zgjidhja më e mirë për t’i shpëtuar atij momenti. Për të mos i lënë asgjë rastit, ai kishte hequr këmbëzën e një granate dore. E kishte futur nën këmbën e tij dhe nuk i priste duarthatë kundërshtarët.

‘Edhe n’ardhshin, do t’ua ** nanen atyne e vetes’, tregon ai me fjalorin e zakonshëm që s’e fshehë.

Por kishte bërë pak prapa dhe kishte ndier dorën e shokëve. As tash thotë se nuk i kujtohet kush kishte qenë i pari, por i kishin tërhequr nga aty. I kishin shpëtuar ata që pak më parë donin t’i shpëtonin shokët e tjerë.

Pas kësaj ai tregon se i kishin transportuar dikur në fshatrat e Vushtrrisë. Më pas pasi kishte ardhur urdhri që të transportohen të gjithë të plagosurit për në një vend të quajtuar Gradicë, ai nuk ishte dakord. Kishte thënë se donte të shkonte në shtëpi, aty ku më pas do ta mjekonte Bajram Rexhepi. Me gjithë vështirësitë, e kishin dërguar atje tek axhallarët në Vaganicë, së bashku me një shok. Aty tregon të ketë ardhur Bajram Rexhepi trupmadh e hijerëndë. Me buzëqeshje në buzë iu kishte drejtuar Burimit që lëngonte nga plagët tri ditë me radhë, për ta kthyer sërish ‘ me këmbë në shpresë. ‘I bajsh me shëndet plagët e lirisë së Kosovës’, i kishte thënë Rexhepi. Burimi tregon të ketë marrë zemër aq sa besonte të bëhej edhe më i fortë. Kishte në trup 5 plagë të rënda, e prapë besonte. E kishte bërë të besonte mjeku që ai e quan ‘hero’.

Mjekimi kishte nisur me një kontroll. Rexhepi i kishte parë gjithë plagët dhe i kishte thënë se ‘ishte mirë’. E si mund të ishte mirë një 18 vjeçar me 12 copëza granate në trup në 5 plagë? Mirëpo, doktori e kishte bërë të besonte. Ishte puna e tij, tek e fundit.

Burimi tregon edhe një rast komik gjatë mjekimit të tij, sa për të vërtetuar se humori i mbante gjallë. I rrinin luftës ballëlartë andaj. Doktori po e kryente punën e tij duke pastruar dorën të cilën tashmë i mungonin 3 gishta. Nxirrte gjithçka nga aty. Nga mbetjet e dushkut e deri të copëzat e granatës. Ishte bërë një ‘minierë’ e gjërave të paduhura në dorën e tij. Burimi i kishte tërhequr vërejtjen doktorit se mund të haste në ndonjë minë aty, s’i dihej. Dhe ngjashëm ndodhi. Ani pse jo minë, ai provoi fuqinë e grushtit tani të gjysmuar të ushtarit. I kishte prekur një nerv që nuk e kontrollonte dot, dhe dora ishte ngritur mu në fytyrën e doktorit, të cilën e kishte afruar për të parë më mirë.

‘Eh po të thash kujdes se ka edhe mina, hahaha’, thotë t’i ketë thënë Burimi doktorit. Doktori ishte gajasur pa masë. E po, e provoi edhe goditjen.

Doktori, siç tregon Burimi, e shpëtoi dhe ishte i gatshëm ta shëronte të tërin. Kur i kishte thënëi plagosuri se duhet ta ndërronte vendndodhjen për shkak të sigurisë së familjes, ai i kishte thënë prerazi: Kudo që je, do të vi të të mjekoj.

Këtu Burimit i vjen një buzëqeshje në buzë. Kujton kohën kur një njeri i kishte shpëtuar jetën. Më mirë të themi, i kishte garantuar një jetë të dytë, pasi ai ‘lindi për së dyti’ sipas tij, kur kujton sa afër predhës ishte.

Por, më gjithë dhimbjen për ‘shkuarjen në amshim’ të mjekut, Burimi është i prerë. Ka edhe kritika për heroin e tij.

‘Unë e ndaj në dy Bajrama. Bajrami 1 dhe Bajrami 2. Një tjetër ishte në kohë të luftës për mua, ndërkaq si politikan ishte pak tjetër. Nuk bëri asgjë për Mitrovicën’, thotë Burimi.

E kur fundi i muhabetit për luftën nuk shihet, duhet thënë se heroizmin e doktor Bajramit i cili varroset sot, ai e mban të palëkunduar, ashtu siç e mban kujtimin për luftën.

‘Gjithmonë do ta quaj heroi im. Por, për kohën e luftës e kam fjalën, aspak nuk e përziej me politikë’, thotë ai.

Fundi i muhabetit të tij me gazetarin e Metros vie, por jo edhe fundit i kujtimit për kohën e luftës dhe punën e doktorit Rexhepi. Ai sot do të marrë pjesë në varrim. Do ta përcjell për në banesën e fundit atë njeri që e përcolli në çdo hap të shërimit të tij./GazetaMetro/

Në trend Lajme

Më shumë
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët

Lajme
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Haradinaj: S'mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes sesa doracaku i edukatës seksuale

Haradinaj: S'mund të ketë sulm më të madh ndaj familjes sesa doracaku i edukatës seksuale

Lajme
Pjesëtarë të FSK mësojnë për herë të parë të pilotojnë me helikopterë – stërvitjet po i kryejnë në Shqipëri

Pjesëtarë të FSK mësojnë për herë të parë të pilotojnë me helikopterë – stërvitjet po i kryejnë në Shqipëri

Lajme
Kryeziu: Nagavci do duhej të jepte dorëheqjen pas skandalit me doracakët për edukimin seksual

Kryeziu: Nagavci do duhej të jepte dorëheqjen pas skandalit me doracakët për edukimin seksual

Lajme
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm

Lajme
Kalo në kategori