Numri i lartë i ndërtimeve të kundërligjshme në Brezovicë, ka bërë që shumë prej tyre deri tani të sekuestrohen nga ana e Prokurorisë.
Prokurori i rastit Rasim Maloku, ka treguar se ndërtimi në këtë zonë u bë me një Udhëzim Administrativ të nxjerrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2016 që legalizonte ndërtimet e paligjshme që ishin bërë në afërsi dhe mbi lumin Mërzhica.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore nxjerr një udhëzim administrativ nr.05/2016 i datës 29.09.2016, me të cilin e deformon Ligjin për Ujërat e Kosovës me të cilin në mënyre strikte parashihet që distanca në mes të lumit dhe ndërtimit duhet të jetë të paktën 30 metra. Me udhëzim thotë vetëm disa lumenj “të mëdhenj”, mund të respektohet kjo distancë, kurse lumi Mërzhica nuk e ka statusin e lumit për të përroskës edhe pse nuk thuhet shprehimisht por tek kjo rrjedhë ndërtimi lejohet deri në 5 metra”, u shpreh prokurori Maloku në një intervistë për Betimi për Drejtësi.
Telegrafi ka siguruar Udhëzimin Administrativ të MMPH-së nr.05/2016 për rregullimin e statusit të pasurisë ujore.
Ky udhëzim mbi bazën e të cilit janë lejuar ndërtimet në zonën e Brezovicës, është nxjerrë në kohën e Qeverisë Mustafa, ku ministër i Mjedisit ishte Ferat Shala nga PDK.
I njëjti udhëzim mbanë vulën dhe nënshkrimin e tashmë ish-ministrit Shala.
Neni 5 i këtij udhëzimi ku flitet për brezin bregujor, në pikën 2 shkruan: “Për ujërrjedhat e rendit të parë të dhënë në Shtojcën 1 të këtij Udhëzimi, gjerësia e brezit bregujor është dhjetë metra nga pika e skajshme e anës së jashtme të shtratit të ujërave të mëdha në zonat urbane dhe ku shtrati i ujërrjedhës është i rregulluar; 30 metra nga vija e plotave në zonat ku shtrati i ujërrjedhës nuk është i rregulluar. Për të gjitha ujërrjedhat e tjera gjerësia e brezit bregujor është pesë metra nga shtrati i ujërrjedhës”, shkruan Telegrafi.
Në nenin 14 të këtij udhëzimi ceket se në pasurinë ujore publike lejohet ndërtimi i objekteve të infrastrukturës publike (urat, rrugët, hekurudhat), për rregullimin dhe mbrojtjen e ujërave, për përmirësimin e karakteristikave hidromorfologjike dhe biologjike të ujërave sipërfaqësor, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës etj.
Gjithashtu në këtë nen në pikën 2 shkruan se “Nuk lejohet ndërtimi i objekteve tjera përveq atyre të përshkuara në paragrafin 1 të këtij neni”.
Lidhur me këtë çështje Telegrafi ka kontaktuar me ish-ministrin Ferat Shala i cili ka mohuar që të ketë shkelje në udhëzimin që ai ka nënshkruar.
“Ju them me përgjegjësi të plotë që asgjë nga ato që është e paligjshme dhe në dëm të planit hapësinor të Kosovës e as të Ligjit të Ujërave nuk ekziston në asnjë udhëzim që unë e kam nënshkruar. Nëse i referoheni nenit 5 të Udhëzimit Administrativ 05/2016 duhet ta shifni nenin në tërësi pikën 5.1, 5.2, 5.2.1 dhe 5.2.2 që përcakton qartë edhe konceptin edhe definicionin edhe distancën. Në këtë relacion duhet parë edhe Udhëzimin Administrativ 06/2016 që është udhëzim për pjesët dhe kërkesat themelore për hartimin dhe zbatimin e monitorimit të planit hapësinor të Kosovës”, ka thënë Shala.
Ai ka cituar edhe nenin 5 të Udhëzimit Administrativ 06/2016.
“Në nenin 5 të këtij udhëzimi thuhet, citoj: “përparimet specifike i cili në mënyrë të qartë tregon që asnjë dokument i cili është i pakompletuar nuk mund të jetë funksional nëse nuk është na harmoni me dokumentet e më fuqishme e më të larta me ligjin. Nëse e shihni nenin 5 të këtij udhëzimi aty specifikohen edhe parimet specifike dhe nuk bie ndesh në asnjë rast me asnjë veprim të Ligjit të Ujërave apo planeve hapësinore të parqeve”, tha Shala.
Ish ministri u shpreh se nuk ka asnjë shkelje në këtë relacion derisa tha se është i gatshëm që të bashkëpunoj me secilin institucion për këtë çështje.
“Me përgjegjësi e them se ndihem shumë mirë dhe nuk ka asnjë shkelje të asnjë parimi në këtë realcion. Interpretimet duhet të jenë të bazuara në ligj e jo në hamendje apo me vullnet politik. Udhëzimet janë publike dhe jam i gatshëm që me secilin institucion që të ulemi dhe lexojmë udhëzimin dhe ta interpretojmë drejt”, tha Shala.
Rreth 76 objekte janë sekuestruar përkohësisht në aksionin për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në Brezovicë në Zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin. /Telegrafi/