Komisioni i Garave i Superligës ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, pasi ky i fundit pas përfundimit të ndeshjes Prishtina vs Llapi, i është vërsulur gjyqtarit Genc Nuza.
Përveç problemeve me gjyqtarin, Batatina provokoi edhe publikun në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ duke iu treguar atyre gishtin e mesëm të dorës.
Për sjelljet jo sportive që tregoi gjatë ndeshjes, Batatina ishte ndëshkuar me të kuq nga Nuza dhe për këtë veprim ishte munduar ta sulmojë atë fizikisht, por policia kishte intervenuar për ta evituar atë sulm.
“Pas përfundimit të ndeshjes është vërsulur disa herë në drejtimin të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare ofenduese dhe kërcënuese, pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ju tregon gishtin e mesit të dorës, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës”.
“Për këto sjellje jo sportive dhe vullgare ndëshkohet me karton të kuq direkt. I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi”.
“Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Prishtina – Llapi”, thuhej në vendimin e publikuar nga Komisioni i Garave./Telegrafi/