Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në Pejë në një pompë të derivateve, ku një person ka humbur jetën.
Viktima është një 45 vjeçar që dyshohet se ishte mjeshtër dhe kishte shkuar për të rregulluar një problem në pompë kur ndodhi shpërthimi i cisternës.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, për Telegrafin ka konfirmuar këtë gjë duke bërë të ditur se ekipet kompetente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Një person ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit. Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit, kryeprokurori, policia dhe të gjitha organet kompetente”, ka thënë Nikçi.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë për Telegrafin se Policia e Kosovës ka pranuar thirrjen për shpërthimin dhe kanë mobilizuar ekipet drejt vendit të ngjarjes.
“Rreth orës 09:40 kemi pranuar informatën për një shpërthim, dyshohet se ka shpërthyer një cisternë në pompë të derivateve. Jemi në vendin e ngjarjes, ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar”, është shprehur Gashi.
Ndërkohë, sipas Menaxherit të kësaj pompe të derivateve, Altin Mahmutaj, viktima nuk ishte pjesë e tyre, por i kontraktuar nga një kompani tjetër.
“45 vjeçari nuk ishte pjesë e kompanisë tonë, por ishte mjeshtër i një kompanie të kontraktuar”, ka konfirmuar Mahmutaj për Peja në Fokus transmeton Telegrafi.
Për shkak të këtij incidenti, rruga Pejë-Deçan ka mbetur e bllokuar për qarkullim deri në përfundimin e procedurave të nevojshme dhe është liruar pas ekzaminimit të situatës. /Telegrafi/