Site icon Telegrafi

Takohen Atiq i LVV-së me Pecin e PDK-së: Komunat veriore do të bëhen të qytetarëve

Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Pecin.

Këtë e bëri të ditur vet kryetari Atiq përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Sipas tij, gjatë takimit kanë diskutuar për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e dy komunave.

Atiq u shpreh se në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike.

“Sot në zyrën time prita Kryetarit e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci. Pecin e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike”, ka shkruar Atiq.

Kryetari i Mitrovicës veriore po ashtu theksoi se komunat do të bëhen të qytetarëve.

“Komunat tona do të bëhen të qytetarëve dhe ato do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Atiq në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version