Pas një vale të gjatë dhe të vazhdueshme vonesash dhe anulimesh të fluturimeve, Aeroporti Sheremetyevo në Moskë ka nisur një nismë për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar duke shpërndarë dyshekë për ata që janë detyruar të kalojnë natën në terminale.

Sipas dëshmitarëve, këto dyshekë u ofrohen kryesisht familjeve me fëmijë, të cilët po qëndrojnë në aeroport për dhjetëra orë pa mundësi të lëvizin për shkak të situatës së vështirë.


Kjo situatë është pasojë e sulmeve të vazhdueshme me dronë që po godasin infrastrukturën ajrore të Rusisë, duke shkaktuar paralizë totale në trafikun ajror. Si rezultat, shumë fluturime janë vonuar apo anuluar, duke krijuar një kaos të madh në aeroporte dhe duke shkaktuar stres dhe vështirësi të mëdha për udhëtarët.

Sulmet me dronë, të cilat vazhdojnë pa ndalim, po shkaktojnë jo vetëm probleme operative, por edhe humbje të mëdha financiare për linjat ajrore dhe autoritetet aeroportuale.

Përpjekjet për të rimarrë kontrollin dhe për të normalizuar trafikun ajror janë në zhvillim e sipër, por situata mbetet e paqëndrueshme dhe e tensionuar.

Në këtë kontekst, shpërndarja e dyshekëve shihet si një masë emergjente për të lehtësuar vështirësitë e udhëtarëve, duke u mundësuar atyre një disi më shumë rehati gjatë qëndrimit të detyruar në aeroport.

Megjithatë, autoritetet po përballen me sfida të mëdha për të adresuar problemin e sulmeve dhe për të rivendosur normalitetin në rrugët ajrore të Rusisë. /Telegrafi/