LAJMI I FUNDIT:

Stili muzikor i Përmetit dhe Vlorës

Stili muzikor i Përmetit dhe Vlorës

Nga: Spiro J. Shetuni

Muzika tradicionale qytetare: Stile muzikore themelore (III)

Muzika tradicionale qytetare: Stile muzikore themelore (I)
Lexo po ashtu Muzika tradicionale qytetare: Stile muzikore themelore (I)
Muzika tradicionale qytetare: Stile muzikore themelore (II)
Lexo po ashtu Muzika tradicionale qytetare: Stile muzikore themelore (II)

Parashtrim


Një art i madhërishëm, tradicional o profesionist, nuk lind domosdoshmërisht në një mjedis të gjerë etniko-socialo-gjeografik. Ndodh jo rrallë që, për art të madh, të shquhen mjedise të vegjël. Faktorë të ndryshëm, artistikë e jashtë-artistikë, i shtyjnë shpesh mjedise të tillë, sikurse edhe vetë kombet, popujt e grupet e vegjël etnikë në tërësi, drejt një kulture tradicionale me të vërtetë origjinale, individuale, të papërsëritshme. Duke qenë larg qendrave të mëdha urbane, mjediset e vogjël etniko-socialo-gjeografikë, në rastet më të mira, e lindin, e rritin, e zhvillojnë dhe e kristalizojnë trashëgiminë kulturoro-artistike me një përkushtim atdhetar shembullor.

Përvoja e zhvillimit të artit tradicional shqiptar në shekuj dëshmon qartë se, krahas një numri qytetesh të mëdhenj, janë pikërisht disa qytete të vegjël të vendit, të cilët dallohen në mënyrë të veçantë për muzikën tradicionale të tyre. Në shekullin XX, krahas Shkodrës e Krujës, Tiranës e Durrësit, Elbasanit e Beratit, Korçës e Vlorës, një vatër e shquar e muzikës tradicionale qytetare shqiptare u bë edhe Përmeti. Duke pranuar origjinën në thelb fshatare të muzikës së këtij qyteti, sidoqoftë, mendoj se, ajo është plotësisht e kristalizuar nga çdo pikëpamje.

Muzika tradicionale e rrethinave etnografike afër ose larg qytetit të Përmetit, si pjesë e universit të muzikës tradicionale shqiptare, dallohet për një larmi të shquar melodiko-modale. Pak a shumë, ajo ndryshon sipas zonave kryesore etnografike. Për këtë arsye, dëgjuesit, sidoqoftë, janë në gjendje që të diferencojnë muzikalisht Dëshnicën nga Malëshova, Cerien prej Dangëllisë, Shqerinë nga Rrëza, etj. Me përjashtim të rrethinës së Malëshovës, e cila përdor mënyrën labërishte, rrethinat e tjera njohin mënyrën toskërishte të të kënduarit, që, siç dihet, është karakteristikë thuajse për tërë zonat etnografike të Shqipërisë Juglindore, d.m.th., të rretheve: Gramsh, Pogradec, Skrapar, Berat (pjesërisht), Korçë, Kolonjë, Përmet, Sarandë (pjesërisht).

Përmbajtja ideo-emocionale

Stili muzikor i qytetit të Përmetit shquhet nga një përmbajtje ideo-emocionale e gjerë dhe e thellë. Ai rrok një tematikë mjaft të pasur. Krahas vajzës, nuses, gruas, dashurisë, bukurisë së vajzës, etj., krijime të ndryshëm tradicionalë bëjnë objekt sidomos kurbetin. Ndërkohë, ndonëse më pak, u këndohet, gjithashtu, figurave të shquara të popullit shqiptar, dëshmorëve e heronjve, ngjarjeve të rëndësishme historike, etj. Duke përjetuar këngën tradicionale qytetare përmetare, dëgjuesit ndjejnë veçanërisht: ëmbëlsi, ngrohtësi, muzikalitet, harmoni, qartësi, pastërti, poezi. Pra, atyre u zgjohet një botë e pasur ideo-emocionale, brenda së cilës spikat, më tepër, lirizmi me nuancat më të ndryshme të tij. Ky është një lirizëm i thellë dhe i ngjeshur, i cili, në varësi të tematikës konkrete, ndërsa herë-herë ledhaton shpirtin e dëgjuesve, ngroh zemrën e tyre, zgjon ëndrat më të bukura për dashurinë dhe jetën, lartëson botën shpirtërore, etj., herë-herë, shkakton edhe mall, nostalgji, dhimbje, keqardhje, trishtim, përmallim, vuajtje, brengë. Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë qytetarë përmetarë, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin: “Gjethezë,” “Mora rrugën për Janinë,” “Zura një bilbil me vesë,” “O dhëndër, ku vete kështu,” “Vetullat si napolonë,” “Çupë gjashtëmbëdhjetë vjeç,” “Seç të bie erë floku,” “Moj kunadheja leshverdh-o,” “Do marr çiftenë, do dal për gjah,” “A kanë ujë ato burime,” etj.

Brenda stilit muzikor të qytetit të Përmetit, ndoshta kënga më e njohur është ajo me titull “A kanë ujë ato burime.” Sado e pa-orthodokstë që të duket, kjo lloj kënge veçohet tipologjikisht prej shumicës së këngëve qytetare përmetare: i) melodika e saj nuk është e një natyre tipike toske, sikurse melodika e pjesës dërmuese të këngëve qytetare përmetare, por e një natyre deri-diku të papërcaktuar; ii) struktura e përgjithshme e saj nuk është shumë-zërëshe, sikurse struktura e përgjithshme e këngëve qytetare përmetare, por një-zërëshe; iii) sistemi modal/tonal i saj nuk është pentatonik, sikurse sistemi modal/tonal i shumicës së këngëve qytetare përmetare, por pentatoniko-diatonik; iv) metrika/ritmika e saj (9/8) nuk është e përbashkët me atë të këngëve të tjera qytetare përmetare, por e njëjtë me metrikën/ritmikën e këngëve të ahengut të qytetit të Shkodrës, të ahengut të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) e të disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), të ahengut të qytetit të Beratit, etj. Megjithatë, ajo është njohur historikisht si këngë qytetare përmetare! Si mund të shpjegohet një dukuri e tillë? Sipas mendimit tim, s’duhet që të habitemi aspak: Hollë-hollë, kënga përfaqëson një krijim të ahengut qytetar përmetar, i cili historikisht ka qenë disi më i kufizuar ose shumë më i kufizuar sesa ahengu qytetar shkodran, ahengu qytetar i Shqipërisë së Mesme e Kosovës, ahengu qytetar beratas, etj. Kështu, duke qenë se i mungojnë simotra, kënga ngjan e përveçuar! Më lejoni që të jap një fragment nga kënga qytetare përmetare aq e mirënjohur brenda e jashtë vendit, “A kanë ujë ato burime,” autorët e së cilës (vjershëtor e kompozitor) nuk njihen:

“A kanë ujë ato burime,
Ti, moj buz-karafilja ime?
O, aman, aman, aman-e,
O, për belin-e,
Për kokën tënde,
Aman, aman-e!”

Mjete shprehës

Duke u mbështetur qartësisht mbi shtratin lëndoro-substancial e strukturoro-formal të dialektit muzikor tosk në tërësi, stili muzikor i qytetit të Përmetit ndërtohet prej tri linjash melodike, ndër të cilat dy të parat janë më kryesoret. Solisti i parë i tij quhet marrës, i dyti–prerës, ndërsa grupi shoqërues–iso. Njësoj sikurse kënga tradicionale e qytetit të Vlorës, edhe kënga tradicionale e qytetit të Përmetit, ruan një sistem modal/tonal të dyfishtë: ose thjesht pentatonik, ose pentatoniko-diatonik. Në rastin e parë, përdoren vetëm sekonda të mëdha e terca të vogla, pra, mungojnë gjysmë-tonet; në rastin e dytë, ndonëse në mënyrë të kufizuar, përdoren edhe gjysmë-tone. Ashtu sikurse në tërë muzikën shumë-zërëshe toske, edhe këtu ndërthurja e linjave melodike i përmbahet parimit të imitacionit, në dallim prej muzikës shumë-zërëshe labe që ndjek parimin e kontrastit. Sipas një parimi të tillë (imitacionit), linja e prerësit e pasuron melodikisht, modalisht, harmonikisht, metrikisht/ritmikisht, etj., linjën e marrësit, duke ruajtur në thelb të njëjtën substancë muzikore me të.

Duke iu përmbajtur kriterit modal/tonal, brenda stilit muzikor të qytetit të Përmetit vërehen tre lloje krijimesh: i) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale fshatare toske; ii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale fshatare labe, të ashtuquajtura labikoçe; iii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale të krahinave ose qyteteve të tjerë të Shqipërisë.

Përsa i takon metrikës/ritmikës, stili muzikor i qytetit të Përmetit fut në veprim thuajse të gjitha llojet e metrave/ritmeve: të thjeshtë, të përbërë, përzier. S’mungojnë, gjithashtu, as ritmet gjysmë-metrikë. Ndër metrat/ritmet e thjeshtë, përdorim marrin sidomos ata dy-njësish (2/8, 2/4), tre-njësish (3/8, 3/4); ndër metrat/ritmet e përbërë—ata katër-njësish (4/8, 4/4), gjashtë-njësish (6/8, 6/4); ndër metrat/ritmet e përzier—ata pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj. Eshtë interesante të shënohet se, përdorim të dendur fitojnë, sidomos, dy lloj metrash/ritmesh: metrat/ritmet e thjeshtë tre-njësish (3/8, 3/4) dhe metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4). S’ka dyshim se, metrat/ritmet e thjeshtë tre-njësish, vijnë si ndikim i drejtpërdrejtë i muzikës tradicionale toske, brenda së cilës metra/ritme të tillë parapëlqehen sidomos në vallet e kënduara të grave. Ndërkohë, metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4), të cilat s’përdoren aq brenda muzikës tradicionale toske, vijnë si shfaqje e drejtpërdrejtë e përfytyrës qytetare të stilit muzikor përmetar.

Duke iu përmbajtur kriterit metrik/ritmik, brenda stilit muzikor të qytetit të Përmetit vërehen, gjithashtu, tre lloje grupime krijimesh: i) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen në një metrikë/ritmikë të matur, të qartë, të përcaktuar; ii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen në një metrikë/ritmikë të pamatur, të paqartë, të lirë, ose kapriçoze, delikate, të stërholluar; iii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen, sa në një metrikë/ritmikë të matur, të qartë, të përcaktuar, aq edhe në një metrikë/ritmikë të pamatur, të paqartë, të papërcaktuar, ose kapriçoze, delikate, të stërholluar.

Marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës

Në rrafsh të përgjithshëm, duke marrë në konsideratë marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës, brenda stilit muzikor të qytetit të Përmetit, vërehen katër grupime kryesore krijimesh: i) këngë silabike; ii) këngë melizmatike; iii) këngë silabiko-melizmatike; iv) këngë melizmatiko-silabike. Si shembuj këngësh silabike, lejomëni të përmend: “O dhëndër, ku vete kështu,” “Vetullat si napolonë,” “Do marr çiftenë, do dal për gjah,” etj. Ndërsa, si shembuj këngësh melizmatike, më lejoni të vë në dukje: “Mora rrugën për Janinë,” “Zura një bilbil me vesë,” “A kanë ujë ato burime,” etj. Sidoqoftë, pa dashur në asnjë mënyrë që të thjeshtëzoj çështjen, nga pikëpamja e marrdhënieve midis tekstit dhe muzikës, në tërësinë e saj, kënga qytetare përmetare shfaqet më tepër melizmatike.

Përfaqësues të shquar

Midis interpretuesve të stilit muzikor të qytetit të Përmetit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, lejomëni të përmend, në radhë të parë, këngëtaren Hafize A. Leskoviku (Leskovik): e mbiquajtur kështu—Leskoviku–pikërisht për emrin e mirë që gëzonte si këngëtare. Ajo lindi, u rrit, u zhvillua dhe u formua si artiste brenda një familjeje muzicienësh të dëgjuar popullorë: si babai, Asllan H. Leskoviku, ashtu edhe vëllai i saj, Selim A. Leskoviku, ishin që të dy muzicienë të lavdëruar leskoviqarë. Me aftësitë e shquara zanore, me talentin e rrallë si këngëtare dhe violiniste, me përkushtimin e saj të veçantë, Zonja Leskoviku e bëri të njohur këngën tradicionale të Shqipërisë Juglindore brenda e jashtë vendit, si, p.sh., në Stamboll (Turqi), ku jetoi, për vite të tërë, si emigrante. Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, emër të vërtetë bënë, gjithashtu, instrumentistë popullorë, si: Medi Përmeti: i mbiquajtur kështu—Përmeti— pikërisht për emrin e mirë që gëzonte si muzicien; Riza Meko: i mbiquajtur mjeshtër pikërisht për emrin e mirë që gëzonte si muzicien, etj. Sakaq, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u dalluan një radhë këngëtarësh të mirënjohur, si: Jorgo Çulli, Sulejman Lame, Ilia Nasi, Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri, etj. Emër kanë bërë ose janë duke bërë, gjithashtu, këngëtarë më të rinj të talentuar, si: Dhimitër Curri, Vaskë Curri, Adriana Daci, Luljeta Ilia, Anastas Naqe, Dhimitrulla Papa, Donika Proko, etj. Një rol të rëndësishëm në ecurinë e muzikës tradicionale qytetare përmetare të kësaj periudhe ka dhënë, pa dyshim, instrumentisti Laver Bariu (1926-2014): i mbiquajtur mjeshtër pikërisht për emrin e mirë që gëzonte si muzicien. Ai do të kujtohet vazhdimisht si interpretues i rrallë i kabasë së qyteteve të Shqipërisë Juglindore.

Eshtë e natyrshme që, brenda një mjedisi me vjershëtorë, këngëtarë, instrumentistë, valltarë popullorë të talentuar, të ketë edhe artdashës të shumtë. Në qytetin e Përmetit gjen plot njerëz të thjeshtë, të cilët, krahas magnetofonit, e përjetojnë sistematikisht artin muzikor tradicional sidomos përmes gramafonit. Ruajtjen dhe përvetësimin e këngës tradicionale ata e quajnë një detyrë me vlera të shumanshme, artistike e jashtë-artistike. Prandaj nuk është e rastit që diskoteka të familjeve të tyre me këngë qytetare përmetare të gjysmës së parë të shekullit XX ruhen në një gjendje të mirë. Lejomëni të përmend, me këtë rast, artdashësin e zellshëm, Vangjel Mango, i cili, bujarisht, vuri në dispozicionin tonë tim thesarin e tij muzikor, të ruajtur në një gjendje aq të mirë, ndonëse një thesar gati 70-80 vjeçar! Mango nuk mund t’a fshehte gëzimin e tij të madh që një studiues etnomuzikolog interesohej seriozisht për këngën e qytetit të tij! “Shumë mirë!” — u shpreh ai, me sytë plot shkëqim. “Nëse Ju do të shkruani për këngën tradicionale qytetare përmetare, arkivi im modest me pllaka gramafoni, të cilat u prodhuan nga shoqëritë perëndimore, Columbia, Odeon, etj., në vitet 30-të të shekullit XX, do të jetë plotësisht në dispozicionin Tuaj. Jam më tepër se i lumtur që të mund t’ju ndihmoj në një farë mënyre!” Bujaria e tij s’është veçse tregues i dashurisë së veçantë ndaj pasurisë muzikore tradicionale përmetare!

Origjina

Origjina, kohëlindja, mosha e stilit muzikor të qytetit të Përmetit është relativisht e re. Duke u mbështetur më tepër në burime të pashkruara, mendoj se, zanafilla e tij, duhet t’i takojë afërsisht periudhës së fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, pikërisht kohës kur, në zona të ndryshme të Shqipërisë Juglindore (e Jugperëndimore), nisën të hyjnë dhe të bëjnë jetë artistike vepruese sazet: orkestrina tradicionale, të cilat, zakonisht, përbëhen nga instrumente muzikorë modernë të fabrikuar jashtë vendit, si: klarinetë, violinë, llautë, etj. Edhe në ditët tona, sidomos në banesa të fshatrave të zonës së Shqerisë e të Ceries, si, p.sh, në fshatin Lupckë, mund të vërehet qartë vendi se ku qëndronin sazet, të cilët, midis të tjerash, shoqëronin edhe këngë shumë-zërëshe. Qartësoj se, banesa të tilla, nuk datojnë një periudhë historike më të hershme sesa gjysma e dytë e shekullit XIX. (Një banesë e fshatit Lupckë, në të cilën mund shihet vendi i sazeve, mban datën 1890.)

Njësoj sikurse origjina, kohëlindja, mosha e stilit muzikor të qytetit të Vlorës, edhe origjina, kohëlindja, mosha e stilit muzikor të qytetit të Përmetit lidhet ngushtë me veprimtarinë e sazeve në Shqipëri. Duke qenë formacione instrumentorë me mundësi të shquara shprehëse, në përgjithësi, sazet e nxitën mjaft procesin e lindjes së të ashtuquajturës kulturë muzikore qytetare në tërë vendin. Natyrisht, gjatë shekujve të shkuar, banorët e qytetit të Përmetit kanë kënduar, gjithashtu, në mënyrë shumë-zërëshe, por thuajse njësoj sikurse fshatrat përreth tij. Në ditët tona, këtë dukuri mund t’a shikojmë të konkretizuar më së miri në qytetin e Gjirokastrës, banorët e të cilit këndojnë pa asnjë dallim sikurse ata të fshatrave.

Pa u futur në analiza të imta, mund të pranohet se, stili muzikor i qytetit të Përmetit, shfaqet, në thelb, si një stil me origjinë fshatare. Konkretisht, ai është ushqyer melodikisht sidomos nga kënga tradicionale shumë-zërëshe e fshatrave më të afërta të luginës së Vjosës, kënga e fshatrave të zonës së Shqerisë dhe pjesërisht të Ceries. Mbi të gjitha, duhet nënvizuar ndikimi që ka ushtruar ndaj tij kënga tradicionale shumë-zërëshe e zonës së Shqerisë. Thelbi fshatar i këngës tradicionale qytetare përmetare duket, më së pari, në vetë sistemin modal/tonal, i cili, parimisht, s’ka asnjë dallim prej sistemit modal/tonal të këngës tradicionale shumë-zërëshe toske në përgjithësi. Ndërkohë, ekzistojnë një sërë dallimesh, të cilat i japin asaj vulën qytetare. Kështu, duke e krahasuar me këngën tradicionale shumë-zërëshe fshatare, ajo vjen në tërësi disi më e zhvilluar, më e organizuar, më e qartësuar, dhe, si të thuash, më e përpunuar, qoftë në drejtim të melodikës, qoftë në drejtim të kontrapunktit, harmonisë, metrikës/ritmikës, etj.

Për shndërrimin e këngës tradicionale fshatare në këngë tradicionale qytetare, siç duket, një rol të rëndësishëm kanë luajtur sazet, si orkestrina tradicionale tipike të mjaft qyteteve të Shqipërisë Juglindore. Në përbërje të tyre, zakonisht, kishte një numër instrumentistësh popullorë (klarinetistë, violinistë, llautjerë, dajrexhinj, etj.), të cilët, jo vetëm luanin në instrumente muzikorë, por edhe këndonin (edhe pse ndoshta, shpesh, ata nuk ishin këngëtarë të mirëfilltë). Përmes këtij roli të dyfishtë–duke kënduar vetë këngë tradicionale të rrethinave të ndryshme etnografike, si edhe duke i shoqëruar ato me instrumente muzikorë–, muzicienë të tillë, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, arritën pikërisht që t’i ndryshonin krijimet në një farë mase. Me kalimin e kohës, këngët e përcjella me saze nisën që të përhapen gjerësisht. Në këtë mënyrë, nën veprimin e orkestrinave tradicionale të sazexhinjve, u bë e mundur që, kënga tradicionale qytetare, muzikalisht, të diferencohet prej këngës tradicionale fshatare.

Natyrisht, dallimi midis këngës tradicionale qytetare dhe asaj fshatare, nuk u krye dhe s’mund të kryhej, as brenda një viti, as gjatë një dhjetëvjeçari. Duke shkuar krahas zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturoro-artistik, një proces i tillë, ka qenë vazhdimisht i ndadalshëm dhe i vështirë. Kristalizimi i plotë melodiko-modal i këngës tradicionale qytetare përmetare u arrit gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar.

Bashkëveprim muzikor

Stili muzikor i qytetit të Përmetit ka ndikuar në muzikën tradicionale të mjaft qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Rrezatimi i tij ndihet jo vetëm në qytete me kulturë muzikore të përafërt nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, siç janë: Leskoviku, Erseka, Korça, Pogradeci, etj., por edhe në qytete të tjerë, kultura muzikore e të cilave është relativisht e largët me të, përsa i takon sistemit modal/tonal, si: Vlora, Berati, Lushnja, Fieri, etj. Sa interesante, aq edhe e vërtetë, është prania në Lushnje e Fier, p.sh., e mjaft krijimeve me tematikë vendase, por me brumë muzikor, në thelb, përmetar. Midis të tjerash, në themel të këtyre afrive qëndron veprimtaria e dendur artistike për vite e vite me radhë e instrumentistëve popullorë përmetarë. Ndërkohë, stili muzikor i qytetit të Përmetit ka përthithur elemente muzikorë të qyteteve ose krahinave të tjera etnografike të vendit. Me këtë rast, lejomëni të përmend, më së pari, këngët e ashtuquajtura labikoçe, të cilat, ndonëse ruajnë një sistem modal/tonal në themel të ndryshëm, janë përshtatur aq bukur saqë qarkullojnë si pjesë vepruese e repertorit muzikor përmetar. S’mungojnë, pastaj, as elementë muzikorë karakteristikë të qyteteve të Shqipërisë së Mesme, ose të ndonjë zone të largët etnografike, siç është, p.sh., Sulova, ndikimi i së cilës ka sjellë të ashtuquajturat krijime sulovarçe, etj. Vetëm se përthithja e elementeve të tillë, është bërë gjithmonë në mënyrë krijuese. Prandaj muzika qytetare përmetare shquhet vazhdimisht për origjinalitet, individualitet, papërsëritshmëri, ose, që të mund të përdor një koncept tjetër, për magji vetiake.

Qartësim: në vend të polemikës

Shpesh herë, ngarkesa e veçantë lirike e stilit muzikor të qytetit të Përmetit është quajtuar, madje edhe nga studiues, si një pikë e dobët e tij: si thembra e Akilit. Ky gjykim mendoj se është estetikisht i gabuar. Nëse kënga tradicionale qytetare përmetare ruan nota të ndjeshme lirizmi, një dukuri e tillë i detyrohet vetë specifikës së saj estetike, sikurse edhe shpirtit të thellë e poetik të përmetarit, konstitucionit të tij shpirtëror. Pra, lirizmin e shkakton, në radhë të parë, sistemi modal/tonal, por ai buron, gjithashtu, nga faktorë me karakter shoqëror. Poqese do t’i vështronim notat lirike të këngës tradicionale qytetare përmetare, sikurse të mbarë këngës tradicionale shumë-zërëshe toske, si një mangësi, atëherë, si pikë të dobët të këngës tradicionale shumë-zërëshe labe, përkundrazi, duhet të vështronim notat epike. Në të njëjtën rrugë estetikisht të gabuar, edhe epizmi i eposit heroik legjendar të Gegërisë do të shihej si Thembra e Akilit. Në vend që të vështrohen si mangësi, nuancimet e ndjeshme lirike, që fiton, kënga tradicionale qytetare përmetare, duhen parë si shprehja më kryesore e thelbit të saj estetik.

Përfundime

Midis tipareve themelorë dallues të stilit muzikor të qytetit të Përmetit, lejomëni të vë në dukje vetëm disa prej tyre: 1) përbërja, zakonisht, nga dy ose tri linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup; përbërja, në raste të tjerë, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht; 2) melodika arioze, muzikale, e këndueshme; 3) sistemi modal/tonal herë pentatonik, herë pentatoniko-diatonik; 4) metrika/ritmika herë-herë e matur, e qartë, e përcaktuar, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar; 5) shoqërimi me instrumente muzikorë shpesh herë modernë (klarinetë, violinë, kontrabas, llautë, kitarë akustike, fizarmonikë, piano, dajre, etj.).

Përsa i takon përfytyrës tërësore melodiko-modale, stili muzikor i qytetit të Përmetit dallon në krahasim me stile të qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Por, natyrisht, ndryshimet janë relative: disi më pak ose disi më shumë të shquara. Nëse dallon mjaft nga kënga tradicionale qytetare vlonjate ose beratase, p.sh., kënga tradicionale qytetare përmetare ruan lidhje të ngushta melodiko-modale me këngën tradicionale qytetare leskoviqare, kolonjare, korçare, pogradecare, etj. Sidoqoftë, mendoj se, duhet synuar për një individualizim edhe më të spikatur të përfytyrës së saj tërësore melodiko-modale. Kështu, përcaktimi i një kënge të tillë si përmetare do të jetë praktikisht më i lehtë për dëgjuesit, dhe, teorikisht, do t’a përligjë më mirë veten. Duke krahasuar muzikën qytetare të Përmetit me muzikën qytetare të Vlorës, nga pikëpamja e shkallës së zhvillimit të mjeteve shprehës, në përgjithësi, e para vjen më pak e përpunuar sesa e dyta. Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, muzika qytetare përmetare qëndron më pranë fillesës së saj fshatare sesa muzika qytetare vlonjate.

Përmeti! Përmeti! Përmeti! Megjithse qytet i vogël përsa i takon numrit të popullsisë, Përmeti sjell një art muzikor estetikisht të madh. Mund të pranohet pa mëdyshje se, me pasurinë e vlerave, origjinalitetin, delikatesën, bukurinë estetike në tërësi, etj., ky lloj arti rrezaton në mbarë kulturën e kombit shqiptar. Derisa muzika tradicionale qytetare përmetare, prej dhjetvjeçarësh, përbën një dukuri mjaft vepruese të jetës kulturoro-artistike shqiptare, atëherë qyteti i Përmetit mund dhe duhet cilësuar pa mëdyshje si një mjedis kulturoro-artistik i rrallë në tërë Shqipërinë.

STILI MUZIKOR I QYTETIT TE VLORES

Parashtrim

Stili muzikor i qytetit të Vlorës lindi si shprehje e nevojave estetiko-artistike të shoqërisë qytetare shqiptare gjatë shekullit XX në përgjithësi dhe gjysmës së dytë të tij në veçanti. Në një kohë që këngët tradicionale labe dhe ato toske (lexo: myzeqare) ishin, sa të shumta, aq edhe të përhapura në masa; sa të njohuara ndër fshatra, aq edhe ndër qytete, etj., sikur ndihej e nevojshme një lloj përpunimi i tyre. Megjithse publiku i qyteteve nuk e refuzonte aspak këngën tradicionale fshatare, duke bërë një jetë ekonomiko-shoqërore e kulturoro-artistike të veçantë, ai sërish dëshironte edhe një këngë me natyrë estetikisht të veçantë. Shoqëria qytetare e kohës kërkonte edhe një art muzikor qytetar të kohës, art i cili do të mund të shprehte më mirë shijet estetiko-artistike të saj. Brenda këtij qerthulli, çështjet muzikoro-artistike, që kërkonin zgjidhje praktike, ishin, sa të shumta, aq edhe të vështira. Disa prej tyre, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

  • Si duhej bërë përpunimi i këngës tradicionale fshatare?
  • Në çfarë aspektesh duhej të niste përpunimi i saj?
  • Në çfarë drejtimi duhej shkuar?
  • Çfarë përfytyre tërësore melodiko-modale do të kishte muzika tradicionale e qytetit të Vlorës?

Në të vërtetë, asnjeri nuk dinte sesi duhej të bëhej përpunimi i këngës tradicionale fshatare! Askush s’kishte një ide të qartë se në çfarë aspektesh duhej të niste përpunimi i saj! Asnjeri nuk dinte se në çfarë drejtimi duhej shkuar! Askush nuk dinte se çfarë përfytyre tërësore melodiko-modale do të kishte muzika tradicionale e qytetit të Vlorës! Vetëm një çështje ishte e qartë: koha për të pasur ndryshime në muzikën tradicionale të qyteteve të Shqipërisë Jugore në përgjithësi dhe asaj Jugperëndimore në veçanti kishte ardhur! Këtë rol historik—shndërrimin e këngës tradicionale fshatare në këngë tradicionale qytetare–e luajti pikërisht muzika tradicionale qytetare vlonjate. Krijuesit e saj–vjershëtorë, kompozitorë, këngëtarë, instrumentistë–i lanë një monument të vërtetë artistik qytetit të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Sa më shumë që të kalojë koha, aq më tepër do të vlerësohet edhe vepra e tyre artistike.

Përmbajtja ideo-emocionale

Stili muzikor i qytetit të Vlorës karakterizohet nga një përmbajtje ideo-emocionale mjaft e pasur. Ai sjell një det të pafund figurash e ngjarjesh, temash e subjektesh. Krijime të ndryshëm bëjnë objekt sidomos vajzën, nusen, gruan, dashurinë, marrdhëniet midis vajzës e djalit, raportet midis gruas e burrit, zakone të së kaluarës, etj. Ndërkohë, ndonëse më pak, u këndohet, gjithashtu, ngjarjeve të rëndësishme historike, dukurive bashkëkohore, etj. Poezitë qytetare vlonjate, thuajse njësoj sikurse poezitë fshatare të krahinës së Labërisë, janë mjaft lakonike. Të ngjeshura në ide, ato sikur kërkojnë që të pasqyrojnë tërë universin e jetës së qytetit. Shpesh, brenda tyre, ndihet një lloj humori, ndoshta si shprehje e vetë konstitucionit shpirtëror të vlonjatit. Në qytetin e Vlorës gjen vjershëtorë të shumtë. Ata janë krenarë, sa për të parët dhe qytetin e lindjes, aq edhe për poezinë dhe këngën e qytetit të tyre. Duke përjetuar këngën tradicionale qytetare vlonjate, dëgjuesit ndjejnë veçanërisht një lloj gëzimi e hareje të veçantë emocionale, një lloj humori e shakaje të lehtë. Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë qytetarë vlonjatë, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin: “Thëllëzat që hedhin valle,” “Ç’të ndrijnë leshrat, moj Esma,” “Çupë, kush t’a bleu fustanë,” “Hanko pelivaneja,” “Sokakut më shkoje,” “Jelekun prej kadifeje,” “Pse m’i mban sytë mbi mua,” “Dy thëllëza në një portë,” “Më thërrasin djemtë e fshatit,” “Aromë portokalli,” etj. Më lejoni që të jap një fragment nga kënga qytetare vlonjate aq e mirënjohur brenda e jashtë vendit, “Aromë portokalli,” autorë të së cilës janë: Fahbit Beqiri (vjershëtor) dhe Reshat Osmani (kompozitor):

“Nënë portokalle,
Të ndala un’ ty,
Lulet e limonit
Të binin në sy!
Ngrije kokën lart,
Se më mori malli,
Vinte gusha jote
Arom’ portokalli!”

Mjete shprehës

Duke u mbështetur qartësisht mbi shtratin lëndoro-substancial e strukturoro-formal të dialektit muzikor lab në tërësi, stili muzikor i qytetit të Vlorës ndërtohet prej tri linjash melodike, ndër të cilat dy të parat janë më kryesoret. Solisti i parë i tij quhet marrës, i dyti–kthyes, ndërsa grupi shoqërues–iso. Njësoj sikurse kënga tradicionale e qytetit të Përmetit, edhe kënga tradicionale e qytetit të Vlorës, ruan një sistem modal/tonal të dyfishtë: ose thjesht pentatonik, ose pentatoniko-diatonik. Në rastin e parë, përdoren vetëm sekonda të mëdha e terca të vogla, pra, mungojnë gjysmë-tonet; në rastin e dytë, ndonëse në mënyrë të kufizuar, përdoren edhe gjysmë-tone. Ashtu si në tërë muzikën shumë-zërëshe labe, edhe këtu ndërthurja e linjave melodike i përmbahet parimit të kontrastit, në dallim prej muzikës shumë-zërëshe toske që ndjek parimin e imitacionit. Sipas një parimi të tillë (kontrastit), linja e kthyesit e përthyen melodikisht, modalisht, harmonikisht, metrikisht/ritmikisht, etj., linjën e marrësit, por duke ruajtur në thelb unitetin e përgjithshëm me të.

Duke iu përmbajtur kriterit modal/tonal, brenda stilit muzikor të qytetit të Vlorës vërehen tre lloje krijimesh: i) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale fshatare labe; ii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale fshatare toske (lexo: myzeqare); iii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që mbështeten në sistemin modal/tonal të muzikës tradicionale të krahinave ose qyteteve të tjerë të Shqipërisë.

Përsa i takon metrikës/ritmikës, stili muzikor i qytetit të Vlorës fut në veprim thuajse të gjitha llojet e metrave/ritmeve: të thjeshtë, të përbërë, përzier. S’mungojnë, gjithashtu, as ritmet gjysmë-metrikë. Ndër metrat/ritmet e thjeshtë, përdorim marrin sidomos ata dy-njësish (2/8, 2/4), tre-njësish (3/8, 3/4); ndër metrat/ritmet e përbërë—ata katër-njësish (4/8, 4/4), gjashtë-njësish (6/8, 6/4); ndër metrat/ritmet e përzier—ata pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj. Përdorim të denduar fitojnë, sidomos, metrat/ritmet e thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4), dhe, pas tyre, metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4). Metrikisht/ritmikisht, një dukuri e tillë vjen si afri me këngën tradicionale labe në përgjithësi.

Duke iu përmbajtur kriterit metrik/ritmik, brenda stilit muzikor të qytetit të Vlorës vërehen dy lloje grupime krijimesh: i) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen në një metrikë/ritmikë të matur, të qartë, të përcaktuar; ii) këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen, sa në një metrikë/ritmikë të matur, aq edhe në një metrikë/ritmikë të pamatur. (Këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle tradicionale, që organizohen vetëm në një metrikë/ritmikë të pamatur, të paqartë, të lirë, ose kapriçoze, delikate, të stërholluar këtu nuk takohen.)

Marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës

Në rrafsh të përgjithshëm, duke marrë në konsideratë marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës, brenda stilit muzikor të qytetit të Vlorës, vërehen katër grupime kryesore krijimesh: i) këngë silabike; ii) këngë melizmatike; iii) këngë silabiko-melizmatike; iv) këngë melizmatiko-silabike. Si shembuj këngësh silabike, lejomëni të përmend: “Dy thëllëza në një portë,” “Aromë portokalli,” etj. Ndërsa, si shembuj këngësh melizmatike, më lejoni të vë në dukje: “Hanko pelivaneja,” “Sokakut më shkoje,” etj. Sidoqoftë, pa dashur në asnjë mënyrë që të thjeshtëzoj çështjen, nga pikëpamja e marrdhënieve midis tekstit dhe muzikës, në tërësinë e saj, kënga qytetare vlonjate shfaqet më tepër silabike.

Përfaqësues të shquar

Midis krijuesve të stilit muzikor të qytetit të Vlorës, leljomëni tëpërmend, në radhë të parë, kompozitorin Themistokli Mone (1919-1995). Pikërisht në saje të ndihmesës së tij profesionale, kënga tradicionale qytetare vlonjate nisi të fitojë përfytyrën e saj të veçantë melodiko-modale. Mone është autor i një numri të ndjeshëm këngësh qytetare. Një përfaqësues tjetër i shquar i këngës tradicionale qytetare vlonjate është Reshat Osmani (1928-1994). Kompozitor, instrumentist e këngëtar, Osmani, me aftësitë, talentin dhe zellin e tij të veçantë, e bëri aq të njohur këngën tradicionale qytetare vlonjate brenda dhe jashtë vendit. Dhjetra krijime të mirënjohura mbajnë emrin e këtij muzicieni të lavdëruar në historinë e muzikës tradicionale qytetare shqiptare. Duke qenë muzikalisht të goditura, këngët e tij, zakonisht, përhapeshin shpejt, këndoheshin në mënyrë masive, qarkullonin në tërë vendin, duke u pëlqyer sidomos nga të rinjtë. Ndihmesë të rëndësishme në ecurinë e këngës qytetare vlonjate ka dhënë, gjithashtu, kompozitori Haxhi Dalipi (1943-2006). Ai ka meritën se, e përpunoi, e pasuroi dhe e kristalizoi më tej përfytyrën tërësore melodiko-modale të kësaj kënge.

Midis interpretuesve të stilit muzikor të qytetit të Vlorës, gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, përmendim instrumentistin Bilbil Vlora (1883-1948): i mbiquajtur kështu—Vlora–pikërisht për emrin e mirë që gëzonte si muzicien. Sakaq, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, doli në arenë e ashtuquajtura Treshja vlonjate. Ajo përbëhej nga tre këngëtarë të mirënjohur në tërë vendin: Reshat Osmani, Kostandin Thana (1929-), Besharete Ismaili (1930-). Më vonë, një pjestare tjetër e grupit bëhet këngëtarja Meliha Doda (1933-). Përkrah tyre qëndronte gjithmonë instrumentisti i talentuar, Rodolfo (Dola) Sareta. Treshja vlonjate interpretoi me sukses të plotë pjesën dërmuese të repertorit muzikor qytetar. Si kristalizimi i përfytyrës tërësore melodiko-modale të këngës tradicionale qytetare vlonjate, ashtu edhe njohja e saj në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, i detyrohen shumë rolit që luajti në këtë mes Treshja. Një interpretuese tjetër e shquar e këngës tradicionale qytetare vlonjate ka qenë Kleopatra Dokle-Skarço. E rritur qysh herët në mjedisin muzikor qytetar vlonjat, me mjeshtërinë e veçantë artistike, ajo sikur i dha kësaj kënge një lloj hovi, gjallërie, freskie, duke e bërë atë edhe më të njohur ndër artdashësit shqiptarë.

Brenda një mjedisi shoqëror ku zhvillohet jetë e gjallë artistike, ka pa dyshim edhe artdashës të shumtë. Në qytetin e Vlorës gjen njerëz të thjeshtë, të cilët janë në gjendje të mbajnë mend thuajse të gjithë repertorin e pasur të stilit muzikor të qytetit të Vlorës. I tillë është, midis të tjerëve, artdashësi i zellshëm vlonjat, Bardhyl Zhori. Kur e pyeta se, si ishte e mundur që të mbante mend aq shumë tekste këngësh tradicionle, Zhori u përgjegj shkurt, prerë dhe me siguri: “Unë jam rritur qysh herët me frymën e këngës qytetare vlonjate. Veç kësaj, duke vazhduar traditën e familjes sime, jam vetë autor i një numri të konsiderueshëm këngësh qytetare.” Dëshmoj, me këtë rast, se ai, bujarisht, vuri në dispozicionin tim të gjithë tekstet e këngëve qytetare vlonjate—qindra e qindra. Po kështu, me plot zell, interpretoi mjaft prej tyre. Në këtë mënyrë, sikur u qartësuan më mirë disa aspekte të rëndësishme të procesit krijues–poetik e muzikor–të këngës qytetare në përgjithësi dhe asaj vlonjate në veçanti.

Origjina

Origjina, kohëlindja, mosha e stilit muzikor të qytetit të Vlorës është relativisht e re. Duke u mbështetur më tepër në burime të pashkruara, mendoj se, zanafilla e tij, duhet t’i takojë afërsisht periudhës së fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, pikërisht kohës kur, në zona të ndryshme të Shqipërisë Jugperëndimore (e Juglindore), nisën të hyjnë dhe të bëjnë jetë artistike vepruese sazet: orkestrina tradicionale, të cilat, zakonisht, përbëhen nga instrumente muzikorë modernë të fabrikuar jashtë vendit, si: klarinetë, violinë, llautë, etj. Njësoj sikurse origjina, kohëlindja, mosha e këngës tradicionale qytetare përmetare, edhe origjina, kohëlindja, mosha e këngës tradicionale qytetare vlonjate, lidhet ngushtë me veprimtarinë e sazeve. Siç është vërejtur, duke pasur mundësi të shquara shprehëse, ata e nxitën mjaft procesin e lindjes së të ashtuquajturës kulturë muzikore qytetare në tërë vendin. Natyrisht, gjatë shekujve të shkuar, banorët e qytetit të Vlorës, sikurse edhe ata të qyteteve të tjerë të Shqipërisë Jugperëndimore, kanë kënduar, gjithashtu, në mënyrë shumë-zërëshe, por thuajse njësoj sikurse banorët e fshatrave rreth tyre. Në ditët tona, këtë dukuri mund t’a shikojmë të konkretizuar më së miri në qytetin e Gjirokastrës, atë të Himarës, etj., banorët e të cilëve këndojnë pa asnjë dallim sikurse ata të fshatrave.

Pa u futur në analiza të imta, mund të pranohet se, stili muzikor i qytetit të Vlorës, shfaqet, në thelb, si një stil me origjinë fshatare. Sipas studiuesit Haxhi Dalipi, ai është ushqyer melodikisht sidomos nga kënga tradicionale shumë-zërëshe e fshatrave gjeografikisht të afërta me qytetin, si: Kaninë, Trashovicë, Oshëtimë, Panaja, Cerkovinë (Gaçe 1996:42). Mbi të gjitha, duhet nënvizuar ndikimi që ka ushtruar ndaj tij kënga tradicionale shumë-zërëshe e fshatit Kaninë. Sidoqoftë, është e rëndësishme që të mbahet parasysh se, krahas këngës tradicionale shumë-zërëshe labe, ai është mbështetur edhe në këngën tradicionale shumë-zërëshe toske (lexo: myzeqare.) (Si shembull tipik të kësaj natyre, lejomëni që të përmend, midis të tjerash, këngën “Më thërrasin djemtë e fshatit,” me tekst dhe muzikë të Reshat Osmanit.) Thelbi fshatar i këngës tradicionale qytetare vlonjate duket, më së pari, në vetë sistemin modal/tonal, i cili, parimisht, s’ka asnjë dallim prej sistemit modal/tonal të këngës tradicionale shumë-zërëshe labe ose myzeqare. Ndërkohë, ekzistojnë një sërë dallimesh, të cilët i japin asaj vulën qytetare. Kështu, duke e krahasuar me këngën tradicionale shumë-zërëshe fshatare, ajo vjen, përgjithësisht, disi më e përpunuar ose shumë më e përpunuar, qoftë në drejtim të melodikës, qoftë në drejtim të kontrapunktit, harmonisë, metrikës/ritmikës, etj.

Natyrisht, dallimi midis këngës tradicionale qytetare dhe asaj fshatare, nuk u krye dhe s’mund të kryhej, as brenda një viti, as gjatë një dhjetëvjeçari. Duke shkuar krahas zhvillimit ekonomiko-shoqëror e kulturoro-artistik, një proces i tillë, ka qenë vazhdimisht i ndadalshëm dhe i vështirë. Kristalizimi i plotë melodiko-modal i këngës tradicionale qytetare vlonjate u arrit gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar.

Bashkëveprimi muzikor

Stili muzikor i qytetit të Vlorës ka rrezatuar në muzikën tradicionale të mjaft qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Ndikimi i tij ndihet jo vetëm në qytete me kulturë muzikore të afërt nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, si: Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, etj., por edhe në qytete të tjerë, kultura muzikore e të cilëve është relativisht e largët me ‘të, përsa i takon sistemit modal/tonal, si: Fier, Lushnje, Berat, Përmet, etj. Ndërkohë, stili muzikor i qytetit të Vlorës pa dyshim që ka përthithur elemente melodiko-modalë të muzikës së qyteteve të tjerë të Shqipërisë së Jugut. Vetëm se, përthithja e elementeve të tillë, është bërë gjithmonë në mënyrë krijuese. Prandaj muzika qytetare vlonjate shquhet vazhdimisht për origjinalitet, individualitet, papërsëritshmëri, ose, që të mund të përdor një koncept tjetër, për magji vetiake.

Qartësim: në vend të polemikës

Dëgjues të veçantë të muzikës tradicionale shqiptare, herë-herë, mendojnë gabimisht se, gjoja, stili muzikor i qytetit të Vlorës, ka lindur duke u mbështetur melodikisht vetëm mbi këngën tradicionale shumë-zërëshe labe. Një mendim i tillë nuk i përgjigjet plotësisht realitetit. Në të vërtetë, kënga tradicionale qytetare vlonjate është mbështetur edhe mbi këngën tradicionale shumë-zërëshe toske (lexo: myzeqare), e cila, ashtu sikurse kënga tradicionale shumë-zërëshe labe, është kënduar, gjithashtu, në fshatra gjeografikisht të afërt me qytetin. Për këtë bindemi më së miri nëse shqyrtojmë me vëmendje sistemin modal/tonal të saj. Nga kjo pikëpamje, lindin dy grupime kryesore këngësh qytetare: i) këngë me sistem modal/tonal pentatonik lab; ii) këngë me sistem modal/tonal pentatonik tosk. Mirëpo, me anë të përdorimit të gjysmë-toneve, sistemi modal/tonal pentatonik lab dhe ai tosk shndërrohen në sisteme modalë/tonalë pentatoniko-diatonikë, duke sjellë kështu dy grupime të tjerë këngësh qytetare. Hulumtimet tregojnë qartë se, shndërrimi i sistemit modal/tonal, bëhet një faktor i rëndësishëm i procesit artistik të lindjes së muzikës tradicionale qytetare, pra, i shkëputjes së saj prej muzikës tradicionale fshatare. Duke u mbështetur mbi dy lloj burimesh muzikore, ndoshta kënga tradicionale qytetare vlonjate e pati më të lehtë për t’u mëkëmbur. Sidoqoftë, me kalimin e kohës, ajo fitoi një përfytyrë melodiko-modale me të vërtetë të kristalizuar.

Përfundime

Midis tipareve themelorë dallues të stilit muzikor të qytetit të Vlorës, lejomëni të vë në dukje vetëm disa prej tyre: 1) përbërja, zakonisht, nga dy ose tri linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup; përbërja, në raste të tjerë, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të intepretuarit nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht; 2) melodika, sa recitative, deklamative, folëse, aq edhe arioze, muzikale, e këndueshme; 3) sistemi modal/tonal herë pentatonik, herë pentatoniko-diatonik; 4) metrika/ritmika, më shpesh, e matur, e qartë, e përcaktuar; 5) shoqërimi me instrumente muzikorë shpesh herë modern (klarinetë, violinë, kontrabas, llautë, kitarë akustike, fizarmonikë, piano, dajre, etj.).

Përsa i takon përfytyrës tërësore melodiko-modale, stili muzikor i qytetit të Vlorës, dallon në krahasim me stile të qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Por, natyrisht, ndryshimet janë relative: disi më pak, ose disi më shumë, të shquara. Nëse dallon qartë nga kënga tradicionale qytetare përmetare ose beratase, p.sh., kënga tradicionale qytetare vlonjate, ruan lidhje të ngushta melodiko-modale me këngën tradicionale qytetare tepelenase, delvinjote, etj. Sidoqoftë, përcaktimi i një kënge të tillë si vlonjate është praktikisht i lehtë për dëgjuesit, dhe, teorikisht, e përligj mirë veten. Duke krahasuar muzikën qytetare të Vlorës me muzikën qytetare të Përmetit, nga pikëpamja e shkallës së zhvillimit të mjeteve shprehës, në përgjithësi, e para vjen më e përpunuar sesa e dyta. Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, muzika qytetare vlonjate i është larguar më shumë fillesës së saj fshatare sesa muzika qytetare përmetare.

Stili muzikor i qytetit të Vlorës lindi si shprehje e nevojave të veçanta estetiko-artistike të shoqërisë qytetare shqiptare gjatë shekullit XX në përgjithësi dhe gjysmës së dytë të tij në veçanti. Ai ka luajtuar dhe luan një rol të rëndësishëm argëtues, njohës, edukues në jetën e banorëve të qytetit të Vlorës dhe të qyteteve të tjerë të vendit. Veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ky stil u bë tepër i njohur, si në rrafsh kombëtar, ashtu edhe në plan ndërkombëtar. Kënga tradicionale qytetare vlonjate shpreh, në thelbin e saj, ëndrat, dëshirat, aspiratat e një shoqërie qytetare; pasqyron jetën, kohën, shijet estetike të shoqërisë qytetare vlonjate; mbështetet tërësisht, gjerësisht, thellësisht në trashëgiminë muzikore vendase; simbolizon prirjet, aftësitë, talentin artistik të përfaqësuesve më të shquar të saj.

Vlora! Vlora! Vlora! Qyteti ku, më 28 nëntor, 1912, u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Otomane e udhëhequr nga turqit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, lindi, rriti, zhvilloi dhe kristalizoi edhe këngën tradicionale qytetare. Tërësisht origjinale përsa u takon tipareve të saj themelorë melodiko-modalë, kënga tradicionale qytetare vlonjate, pati një ndikim të ndjeshëm ndaj rrugës së zhvillimit të muzikës tradicionale të mbarë qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, herë-herë, ajo shërbeu si një model, si një shembull, si një lloj arketipi artistik, që duhej ndjekur gjurmë pas gjurme. Kënga tradicionale qytetare vlonjate, prej kohësh, është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturoro-artistike të kombit shqiptar.

***

Shpresoj se, ndoshta, studimi im, pak a shumë, ia arriti qëllimit të tij kryesor, i cili ishte nxjerrja në pah, sidomos, e përfytyrës dalluese melodiko-modale të stileve themelorë të muzikës tradicionale qyetetare shqiptare: stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, stilit muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe të disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), stilit muzikor të qytetit të Beratit, stilit muzikor të qytetit të Përmetit, stilit muzikor të qytetit të Vlorës. Mirëpo, s’ka dyshim se, hulumtimi i stileve të muzikës tradicionale qytetare shqiptare, mund dhe duhet të pasurohet në të ardhmen. Një pasurim i tillë mund të shtrihet, si në gjerësi (duke studiuar edhe stile të tjerë muzikorë), ashtu edhe në thellësi (duke rritur shkallën e analizës e të studimit të stileve muzikorë). Hulumtimi i mbarë stileve të muzikës tradicionale shqiptare—qytetarë e fshatarë—përbën një aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së studiuesve etnomuzikologë shqiptarë. /Telegrafi/