Këtë cikël të ‘shkarravinave’ që i kam emëruar “Refleksione nga mynxyra”, dua ta përmbyll me përshtypjet e mia rreth leximit të dy librave të Platonit, ‘Apologjia’ dhe ‘Krito’. Në dy librat, personazhi qendror është ikona e mendimit filozofik helen – Sokrati. Në fakt, në vend se libra, këto vepra do mund të quheshin ‘libërtha’, për shkak të numrit të vogël të faqeve – 52, respektivisht 24 faqe. Por, për shkak të peshës që kanë këto libërtha, përbëjnë ndoshta kryeveprat e ndërgjegjes sonë morale dhe mendore.
Jo rrallë është thënë dhe shkruar se thelbi i botëkuptimeve tona mbi drejtësinë, barazinë, individin, mençurinë, estetikën, politikën, shtetin, e tjerë, e kanë burimin tek filozofia helenëve të lashtë. Madje, ka prej atyre që thonë se dija jonë sot s’është gjë tjetër veçse fusnotë e koncepteve të krijuara mijëra vite me herët nga mendje të mëdha si Sokrati, Platoni apo Aristoteli. Unë nuk kam asnjë dyshim se refleksionet e mia për këta filozofë janë krejt profane dhe si të tilla nuk pretendojnë të bëjnë një analizë shteruese filozofike mendimeve të këtyre gjigantëve të dijes.
Arsyet përse njerëzit shkruajnë refleksionet e tyre mund të janë të ndryshme. Por, ndoshta më kryesorja lidhet me nevojën që ne kemi si njerëz për të përmbrendësuar atë që mësojmë nga jeta dhe librat, por edhe me nevojën e përjashtimit të kësaj përvoje. E, kur njeriu është i detyruar të qëndrojë i mbyllur, siç është rasti jonë në këtë kohë pandemie (Covid-19), reflektimi mund të bëhet edhe i shëndetshëm.
Reflektimi mendor si koncept përdoret gjithandej. Shumë akademikë janë marrë me refleksionin si proces dhe praktikë e nxënies (të mësuarit). Mbaj mend që gjatë një kursi në Londër për mësimdhënien, një profesor me nam na thoshte se profesori i mirë përmbush misionin e vetë kur i bën studentët të reflektojnë për materien që e ligjëron. Një profesor tjetër i njohur, Chris Argyris, e përshkruante procesin e refleksionit si “double loop learning”, që në një përkthim të lirë në shqip do mund të përshtatej si proces i ‘nxënies me llupë të dyfishtë’. Kjo mënyrë e nxënies i mundëson njeriut që përmes refleksionit të ndryshojë jo vetëm sjelljet dhe veprimet e vjetra, por edhe paradigmat dhe botëkuptimet e vjetra filozofike, apo të bëj rikornizimin e ideve dhe teorive të reja mbi botën.
Pra, procesi reflektiv është një lloj ‘radioskopie’ që njeriu ia bën vetes, veprimeve të veta, si dhe ndërveprimeve me botën në përgjithësi. Përmes këtij procesi individi arrin të eksplorojë teori të reja dhe t’i zbatojë ato në jetë, në mënyrë më të strukturuar. E, kur shkruajmë, ky proces rritet, ndoshta sepse të shkruarit ndihmon strukturimin dhe organizimin më të mirë të mendimeve dhe ideve tona.
Produkt i reflektimit është ndryshimi. E, ndryshimi është i pashmangshëm, është ligj i natyrës. Siç thoshte Herakliti, çdo gjë që gjenerohet, që s’është hyjnore, është e determinuar të ndryshojë. “Në këtë botë gjithçka ndryshon, vetëm nevoja për ndryshim nuk ndryshon”. Ndryshimi si proces nuk është i lehtë. Kjo për shkak se jemi peng i së kaluarës. Në shkencën e ndërmarrësisë kjo quhet ‘path dependency’, që do të thotë se deshëm apo jo, ne jemi të varur nga e kaluara.
Siç e thash edhe më sipër, shumë besojnë se jeta jonë është e ndikuar thelbësisht nga e kaluara, nga filozofia e helenëve të vjetër. Por, në këtë rast, përbrendësimi i kësaj filozofie, reflektimi rreth koncepteve dhe ideve që përçon ajo, e ndihmon njeriun të lirohet nga veset, nga paradigmat filozofike boshe, johumane. Kjo filozofi është ushqim shpirtëror sipëror, ngjashëm me ushqimin shpirtëror që servohet nga veprat e I. Kadaresë apo të G. Markezit. Ushqime të këtilla mundësojnë iluminimin e mendjes, shpirtit, emoconit tonë. Përpunimi i mirë i këtij ushqimi ndihmon ndryshimin e natyrshëm të paradigmave tona për jetën.
Dikujt mund t’i duket thjeshtëzim i skajshëm, por fascinimi im absolut për dijen dhe filozofinë në përgjithësi, fillon dhe mbaron me Sokratin. Ai ka qenë mësuesi i jetës për shumë filozofë dhe dijetarë. Siç e thashë më sipër, duket sikur krejt filozofia jonë mbi botën, mbi dijen, mbi moralin, s’është gjë tjetër veçse fusnotë e pikëpamjeve të tij.
Në vazhdim do të fokusohem në thelbin e konfliktit të Sokratit me autoritetet politike të kohës së tij. Natyrisht, nuk pretendoj se refleksionet e mia janë krejtësisht origjinale. Librat e filozofëve të tjerë rreth filozofisë helene, veçanërisht ato të K. Popperit dhe S. Smithit, kanë pasur ndikim në ndërtimin e këtyre refleksioneve.
I lindur në Athinë me 469 p.e.s., Sokrati konsiderohet si një ndër mendjet më të mëdha filozofike që ka njohur njerëzimi, në mos më i madhi. Filozofia e tij ka pasur aq shumë ndikim, saqë edhe historia e mendimit filozofik ndahet në para dhe pas epokës së tij.
Dy biografët më të besueshëm të jetës së tij, Platoni dhe Ksenofoni, e kanë profilizuar Sokratin në mënyra të ndryshme. Sokrati i Platonit është ‘qëllimisht irritues’, tallës, ndonjëherë i pasjellshëm, por i vetëkontrolluar, i vetëpërmbajtur, imponues, misterioz dhe shumë karizmatik. Sokrati i Ksenofonit është më konvencional, më didaktik, më tokësor, më llafazan. Ka të ngjarë se ai ishte pak nga të dyja.
Nuk ka lënë asnjë libër të shkruar, sepse besonte se shkrimi e pengon dialogun, diskutimin e gjallë. Sipas tij, vetëm debati, dialogu, diskutimi i gjallë na dërgon tek e vërteta, sepse vetëm kur debatojmë ne mund të bëjmë pyetje dhe japim përgjigje. Konsiderohet si themeluesi i metodës dialektike. Besonte se përballë secilit argument ekziston një kundër argument i cili mund të jetë krejt valid. Andaj, gjatë debatit, ai që ofron argumente më të qëndrueshme, konsiderohet ngadhënjyes provizional i tij. Provizional, sepse e vërteta absolute vështirë se mund të arrihet. Sipas tij, produkti i debatit të shëndoshë është mençuria. E, sipas tij të jesh i mençur do të thotë të jesh i vetëdijshëm se njohuritë që kemi janë të limituara, sepse nuk posedojmë njohuri të plota.
Për shkak të frymës së tij filozofike dhe metodave që përdorte gjatë debateve, ai ishte paragjykuar. Autoriteti politik i kohës nuk e pranonte. Dhe, ky autoritet nuk ishte çfarëdo, ishte autoritet demokratik, që sapo kishte dalë nga regjimi despotik i ‘Tridhjetë tiranëve’. E akuzonin se me mësimet e tij po e degjeneronte rininë e Athinës, se i mësonte ata si të rrahin prindërit e tyre, madje edhe se e nxiste rininë të bënte incest.
Por, në fakt, cili ishte thelbi i konfliktit të Sokratit me autoritetet politike të kohës?
Tre ‘luftëtarët e lëvizjes demokratike’, Aniti, Meleti dhe Lyko, e akuzuan në gjykatë se përveç degjenerimit të rinisë, ai gjoja edhe predikonte mosbesim në zotat ku besonin shumica e athinasve. Mirëpo, sipas profesorit S. Smith (2012), thelbi i konfliktit ishte gjetiu. Sokrati për një kohë të gjatë ishte në konflikt me elitën intelektuale të kohës – që në gjuhën e sotme do quheshin ‘akademikë’, të tipit të Aristofanit.
Dhe, ‘akademikët’ nuk e donin Sokratin për dy arsye. E para, nuk e pëlqenin metodën e mësimdhënies që ai praktikonte. Metoda e tij nuk bazohej në përralla, duke treguar për heroizmat e super-heronjve të luftës, sesi ata vdesin duke luftuar, sesi janë të mbushur me urrejtje për armikun, etj. Përkundrazi, ai e ftonte rininë të diskutonin për tema të rëndësishme të jetës, si mençuria, drejtësia, politika, shteti, burrë shteti etj. Kjo mënyrë e të bërit debat ishte krejtësisht e panjohur për kohën. Gjatë debatit Sokrati vetë shfaqte një argument dhe inkurajonte të tjerët të ofronin kundër-argumente. Stimulonte debate të bazuara në argumente, në fakte empirike, jo në besim. Ndërkaq, metoda e elitës së vjetër akademike ishte krejt ndryshe. Librat që i atribuohen Homerit, “Iliada” apo “Odiseja”, nuk përmbajnë debat filozofik. Aty ka veç luftë, gjak, ka inspirim për gjakderdhje. Sokrati e kundërshtonte hapur këtë, duke ngjallur mosbesim tek ‘akademikët’ e vjetër.
Arsyeja e dytë e konfliktit është akoma më e fuqishme. Sokrati e kundërshtonte modelin e qytetarisë që mbizotëronte tek athinasit. Ky model bazohej në profilin e luftëtarëve trima, të pamposhtur, që vrasin, që janë të gatshëm të sakrifikohen për atdhe, njësoj si Akili, Priami, Hektori, Odiseu, Ajaksi etj. Për Sokratin, ky model i qytetarisë ‘është plot vrima’, pra nuk mban. Qytetarët e tillë i përshkruante si njerëz që s’ngopen asnjëherë me pushtet, para, pasuri, famë, seks etj.
Modeli i qytetarisë që ai mbështeste ishte ndryshe. Qytetari i Sokratit është civil, i butë, i moderuar, aspak i dhunshëm, intelektualisht dhe emocionalisht i ekuilibruar. Athinasve u propozonte qytetarin racional, që kujdeset më shumë për shpirtin, për frymën, sesa për trupin apo anën materiale.
Ndonëse e pathënë në mënyrë eksplicite, modeli i qytetarisë së Sokratit është i bazuar në vlerat humane, në besimin se nevojat tona shpirtërore dhe emocionale ne mund t’i përmbushim vetë, pa pasur nevojë t’i nënshtrohemi doktrinave ideologjike apo religjioze, çfarëdo qofshin ato.
Në fund, ndoshta edhe mund të konkludohet se qytetaria e mbështetur në individin dhe në racionalizëm, në atë individ që nuk e çan kokën për doktrina qoftë politike qoftë religjioze, është modeli i vetëm që na mundëson të bëjmë një jetë më me dinjitet.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje