Shtëpia e Bardhë, përkatësisht një zyrtar i saj, ka bërë një reagim të cilin mediumi britanik Daily Mail e ka vlerësuar si “tallës” me ish-presidentin amerikan Donald Trump për pretendimin se kishte dërguar ‘ambasadorin e tij’ për të mbrojtur marrëveshjen e tij Kosovë-Serbi, duke anashkaluar administratën aktuale.
Ndryshe, Trump emëroi Grenellin të dërguar special për marrëdhëniet e paqes Kosovë-Serbi në vitin 2019, në të njëjtën kohë ai shërbeu si ambasador në Gjermani.
Grenell u emërua ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në vitin 2020.
Dhe Trumpi e pat emëruar Richard Grenellin të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi ndërkohë që në vitin 2020, dy shtetet arritën marrëveshjen në Washington.
Ndërkohë të enjten, Trump tha se kishte dërguar ish-ambasadorin në misionin e politikës së jashtme, por Grenell e bëri të qartë se ishte atje si një “qytetar privat”, shkruan DailyMail, përcjell Telegrafi.
“Njerëzit e mrekullueshëm të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekjen e normalizimit ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në rrezik”, citohet deklarata e Trump.
“Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë. Sot, i dërguari im ambasadori Ric Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar rëndësinë e kësaj marrëveshje”, kishte thënë tutje ai.
Lidhur me këto deklarata të Trump, përveç mediumit britanik, një reagim nga Shtëpia e Bardhë është konfirmuar edhe nga Jennifer Epstein, reportere e Bloomberg News në Shtëpinë e Bardhë.
White House responds to former President Trump sending his “Envoy Ambassador” Ric Grenell to the Kosovo-Serbia border: “Outside of his very active imagination, Donald Trump is no longer President and doesn’t have any ‘envoy ambassadors’ representing the United States.”
— Jennifer Epstein (@jeneps) November 11, 2021
Ajo ka sjellë një deklaratë të një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë dhënë gazetarëve, përcjell Telegrafi.
“Jashtë imagjinatës së tij shumë aktive, Donald Trump nuk është më President dhe nuk ka asnjë ‘ambasadorë të dërguar’ që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara”, citohet tu ketë thënë gazetarëve një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Ndryshe, Grenell ka qenë një kritik aktiv i politikave të presidentit Joe Biden, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit. /Telegrafi/