Site icon Telegrafi

Shkencëtari i njohur turk paralajmëron: Mund të goditemi nga një tërmet i fuqishëm prej 7 ballësh të Rihterit

Shkencëtari i njohur i Tokës, Prof. Dr. Naci Görür, ka paralajmëruar se një tërmet i mundshëm në rajonin e Marmarës do të kishte pasoja katastrofike për ekonominë e Turqisë ndërsa qytetin e Bursës mund ta godit, në të ardhmen, një tërmet me 7 ballësh të Rihterit.

Në një intervistë të fundit, ai theksoi se nëse ekonomia e Marmarës shkatërrohet, kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e vendit, duke e çuar Turqinë në një krizë të rëndë politike dhe ekonomike.

“Nëse ekonomia e Marmarës shkatërrohet, Turqia do të bjerë. Ne do të humbasim pavarësinë tonë politike dhe ekonomike”, paralajmëroi ai.

Lexo po ashtu Gjeoshkencëtari turk, Gorur: Hatay më 'nuk' do të goditet, radhën e ka Stambolli

Një tjetër shqetësim që profesori ngriti ishte mundësia e shkatërrimit të qyteteve të Turqisë për shkak të ndërtimit të ndërtesave të pasigurta. Ai theksoi se Bursa mund të bëhet një qytet rezistues ndaj tërmeteve brenda 10 vjetëve, nëse qytetarët dhe autoritetet veprojnë shpejt dhe me koordinim të mirë.

“Ne nuk e bëmë Stambollin rezistues ndaj tërmeteve për 25 vjet, por qytetarët e Bursës mund ta bëjnë këtë për 10 vjet ose më pak”, shtoi shkencëtari, shkruan cnnturk.

“Pozita mbi të cilin ndodhet qyteti i Bursës mund të përjetojë tërmete me magnitudë 7 ballësh të Rihterit, por edhe më fuqishëm. Bursa ndodhet në prehër të sistemit të pllakave tektonike që formojnë degën jugore të zonës së pllakave të Anadollit të Veriut. Toka, në pjesën fushore të Bursës, gjithashtu është shumë e kalbur. Ka shumë ujëra nëntokësore. Ato janë në gjendje të shkaktojnë dëme më të mëdha në një tërmet”, shtoi profesori.

Gorur theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të popullit dhe përdorimin e sistemeve ekzistuese për të përgatitur qytetet për tërmetet.

Sipas tij, nuk është e nevojshme të shpenzohen para të mëdha për ta bërë një qytet të qëndrueshëm ndaj tërmeteve; hapi i parë është të ngrihesh dhe të veprosh në terren.

Ai sugjeroi krijimin e një ekipi koordinues për të monitoruar dhe menaxhuar infrastrukturën e qytetit dhe të angazhohet populli në mbikëqyrjen e procesit, duke i inkurajuar ata të veprojnë si pronarë të pasurive të tyre.

Lexo po ashtu Akademiku turk që parashikoi tërmetet, Gorur: Stambolli duhet të përgatitet deri në vitin 2029

Nëse këto hapa nuk ndërmerren, Prof. Gorur paralajmëroi se Turqia mund të përballet me një katastrofë të vërtetë sizmike që do të ishte e pamundur të përballohej. Ai apeloi për bashkëpunim dhe angazhim të të gjithë qytetarëve për të siguruar një të ardhme më të sigurt ndaj rreziqeve natyrore.

Ndryshe, tërmeti i fundit i madh në Turqi ndodhi më 6 shkurt 2023, me magnitudë 7.8. Ky tërmet shkatërrues shkaktoi më shumë se 50 mijë viktima vetëm në Turqi. Për më tepër, ai shkaktoi dëme të mëdha edhe në Siri, duke kontribuar në numrin total të viktimave, i cili kaloi 57 mijë persona në të dy vendet. /Telegrafi/

Exit mobile version