LAJMI I FUNDIT:

Samiti i BE-së: Mosmarrëveshje të vazhdueshme për paratë

Samiti i BE-së: Mosmarrëveshje të vazhdueshme për paratë

Krerët e qeverive të 27 vendeve të BE-së po diskutojnë për një paketë financiare prej rreth 1.8 trilion euro. Mosmarrëveshjet lidhen me Fondin e Rindërtimit pas Coronës dhe shpërndarjen e buxhetit shumëvjeçar.

Kancelarja Merkel zakonisht e përfytyron ditëlindjen e saj ndryshe. Por Angela Merkeli do ta kalojë 17 korrikun me 26 kolegët e saj evropianë, dhe me sa duket pas asnjë lloj atmosfere festive.

Mosmarrëveshjet për shumën dhe modalitetet për Fondin e Rindërtimit pas coronavirusit që shkon në 750 miliardë euro janë të ashpra.


Bisedimet janë të ndërlikuara edhe nga fakti se do të diskutohet edhe për buxhetin prej pothuajse 1.1 trilion euro të BE.

Dhe ky kombinim ofron shumë raste e momente për shantazhe, llogari të ndërlikuara dhe poza politike.

Pas muajsh videokonferencash, tani krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së po takohen personalisht për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, sepse shumë aspekte të paketës, të buxhetit dhe të fondeve të ndihmës janë ende të diskutueshme.

Për këtë arsye do të jenë të nevojshme shumë diskutime dypalëshe apo tripalëshe për të arritur një marrëveshje në samit.

Angela Merkel si Presidente e Këshillit të BE-së duhet të përpiqet këtë gjysmë viti që në biseda kokë më kokë t’i sjellë në një emërues të përbashkët qëndrimet dhe dëshirat ndryshme të kolegëve të saj evropianë.

Gatishmëri për kompromise

Presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel beson se mund të arrihet një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së dhe për paketën e planifikuar për ndihma për vendet ekonomia e të cilave është prekur më rëndë për shkak të krizës së coronavirusit.

“Jam plotësisht i bindur se është e mundur që me guxim politik do të arrihet një marrëveshje”, tha Michel para fillimit të samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së në Bruksel.

Në ftesën për samitin Charles Michel kishte përdorur një ton serioz dhe theksonte se bëhet fjalë për “një marrëveshje që është thelbësore për të mirën e qytetarëve tanë”.

Dhe për të ndërtuar ura midis pozicioneve të kundërta, ai bëri javën e kaluar edhe një propozim për kompromise.

Në zhargonin e BE-së, kjo quhet “kutia e negociatave” sepse përmban elemente që mund të kombinohen për të lejuar kompromise.

Kurse presidenti francez Emmanuel Macron ishte më i kujdesshëm në deklaratat e tij: “Ky është një moment i së vërtetës dhe i ambicies për Evropën”, tha Macron në Bruksel.

Fjala është për projektin evropian, dhe “unë jam i sigurt, por i kujdesshëm” – tha presidenti francez.

Katër kursimtaret kërkojnë reforma në vendet përfituese

Vendet që do të marrin në të ardhmen ndihma për Coronën e mirëpresin propozimin për Fondin e Rindërtimit.

Por Angela Merkel ende nuk ka i bindur shtetet donatore, veçanërisht “katër kursimtaret”, Austrinë, Suedinë, Danimarkën, Holandën, që kanë bërë thirrje për shkurtime dhe kërkesa të qarta për reforma të lidhura me fondin e ndihmës për krizën e coronavirusit.

Kryeministri holandez Mark Rutte nënvizoi edhe një herë rëndësinë e solidaritetit në raste krizash.

Megjithatë ai tha se në të njëjtën kohë duhet të jetë e mundur që vendeve që do të marrin ndihma t’u kërkohet të bëjnë gjithçka që herën tjetër të mund t’i zgjidhin vetë probleme të tilla për shembull përmes reformave në tregun e punës dhe pensioneve.

Presion nga anëtarët lindorë

Por presion nuk bëjnë vetëm “katër kursimtaret”. Edhe pse Hungaria do të përfitonte 7,4 miliardë euro nga fondi i ndihmave kryeministri i Viktor Orban ka kërcënuar madje se do të vërë veton ndaj të gjithë paketës financiare, nëse në buxhet do të sanksionohet mundësia e shkurtimit të fondeve të BE-së në rast se ndonjë vend anëtar shkel rregullat e sundimit të ligjit. Sidoqoftë në “kutinë e negociatave” për samitin, pasazhi përkatës duket se është zbutur.

Edhe parlamenti hungarez vendosi që nuk do ta miratojë paketën financiare e BE-së nëse nuk mbyllet procesi kundër Hungarisë për shkeljen e sundimit të ligjit. Kritikët e konsiderojnë këtë si shantazh të hapur.

Hungarisë i bashkohen edhe Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe deri dikur edhe Sllovenia.

Qeveria në Varshavë po bëhet gjithnjë e më autokratike, në Pragë kreu i qeverisë po i fut fondet e BE-së në xhepat e veta dhe edhe ndaj vendeve fqinjë ka kritika. BE-ja po nxit me paratë e saj për vite me radhë zhvillime antidemokratike në pjesë të Evropës Lindore, thotë deputeti i Gjelbër Daniel Freund dhe kërkon që Angela Merkel të shprehet qartë në këtë drejtim.

Kancelarja duhej ta mbajë premtimin e saj se do të ngulë këmbë për vlerat themelore demokratike.

Sidoqoftë, diplomatët në Bruksel presin që fondi për coronavirusin të mos dështojë për shkak të mangësive në sundimin e ligjit. /DW/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
“Urdhëro Hykmete, skena për ty” -  vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

“Urdhëro Hykmete, skena për ty” - vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

Ekonomi
Kalo në kategori