LAJMI I FUNDIT:

PZAP gjobit me afro 10 mijë euro LVV-në, PDK-në e LDK-në

PZAP gjobit me afro 10 mijë euro LVV-në, PDK-në e LDK-në

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shqiptuar gjobat e radhës ndaj subjekteve politike që kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

Në vendimet e fundit që janë publikuar nga PZAP më 10 shkurt 2025, ky institucion ka shqiptuar afro 10 mijë euro për LVV-në, PDK-në e LDK-në.

Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 7 mijë euro total, si rezultat i disa ankesave të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës.


Ankesat e PDK-së ndaj LVV-së ishin kryesisht për disa postime të bëra nga kandidatët për deputetë të kësaj partie, Fitore Pacolli, Haxhi Avdyli, Albulena Haxhiu, Fatmire Kollçaku dhe zyrtares Dejona Mihali.

Partia Demokratike e Kosovës ndërkaq është dënuar me 1 mijë e 500 euro pas ankesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ankesa kishte të bënte me një tubim të PDK-së në Drenas, ku ishin vërjetur se pjesëmarrës kishin qenë fëmijë nën moshën 15 vjeçare .

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 1 mijë euro për shkak të ankesës së bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ankesa kishte të bënte me një video të kandidates së LDK-së për deputete, Serbeze Kabashi Muçaj të cilën e kishte realizuar në hapësirat e brendshme të Muzeut Komunal në Istog.

Subjektet politike që janë dënuar nga PZAP, obligohen që brenda afatit prej 15 ditëve të paguajnë gjobën. /Telegrafi/