Pse ishte i rëndësisshëm sulmi i fundit në urën e Kerchit?

Sulmi ndaj urës së Kerchit, fitore në aspektin e imazhit për Ukrainën.
Gjatë ditës së sotme është raportuar për pretendimet e Ukrainës se ka goditur urën e Kerchit përmes një operacioni nënujor.
Një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se sulmi ishte përgatitur prej muajsh, megjithatë shkalla e dëmeve ende nuk është e qartë.
Korrespondenti i skynews në Moskë, Ivor Bennett, thekson se që nga pushtimi rus i Ukrainës, kjo urë është bërë një objektiv për Kievin, pasi është një rrugë kyçe furnizimi për forcat ruse.
Ai kujton se Ukraina e ka goditur urën dy herë më parë dhe tani thotë se ka dëmtuar shtyllat nën ujë.
“Nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Moska, por llogaria zyrtare që jep përditësime për gjendjen e urës tha se ajo ishte mbyllur për tre orë herët në mëngjes, dhe tani është sërish e mbyllur”, shprehet ai.
Bennett shton se “nuk është e qartë se sa dëme janë shkaktuar nga ky sulm. Për Ukrainën, ky nuk është vetëm një objektiv strategjik, por edhe një simbolik. Kjo urë ishte një projekt krenarie për Putinin dhe është bërë simbol vizual i aneksimit të Krimesë nga Rusia. Për Ukrainën, çdo goditje ndaj kësaj ure përbën një fitore në aspektin e imazhit publik”.
Bennett gjithashtu vëren se ky sulm i fundit vjen pas një sulmi me dron të Ukrainës ndaj Rusisë të dielën.
“Ukraina, tani me atë që pretendon si një sulm ndaj urës së Krimesë, po përpiqet të përfitojë sa më shumë nga kjo,” shton ai.
“Ata po tregojnë se mund t’i shkaktojnë probleme armikut të tyre”, përfundoi ai. /Telegrafi/


















































