Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës, pasi në finale mposhti Gjilanin me rezultat komod 2-0.
45 minutat e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk sollën gola, përkundër rasteve që kishin dy skuadrat.
Dy ekipet e nisën me kujdes të shtuar këtë duel, duke synuar të fitonin nga gabimet.
Me kalimin e minutave, Prishtina tregoi më shumë nga loja e tyre dhe krijuan më shumë raste.
Endrit Krasniqi lëshoi një goditje të fortë në minutën e 38-të, mirëpo u bllokua nga mbrojtja kundërshtare.
Nga një goditje nga këndi për kryeqytetasit, topi u largua nga lojtarët e Gjilanit që krijuan një mbrojtje të ngjeshur.
Në minutën e 48-të, Prishtina fitoi një gjuajtje të lirë, por Endrit Krasniqi nuk ishte i saktë, pasi topi shkoi mbi portë.
Edhe pjesa e dytë nisi qetë, por me kalimin e minutave – ritmi i lojës filloi të ngritej.
Prishtina ishte më kërkuese dhe ia doli të realizonte golin e epërsisë.
Ishte minuta e 67-të e takimit, kur zëvendësuesi Genc Hamiti i kaloi bardhëekaltrit në epërsi, duke elektrizuar tifo-grupin “Plisat” që ishin në stadium.
U pa qartë se loja ka filluar të rritet në tempo, me Gjilanin që synonte t’i barazonte shifrat.
Në minutën e 74-të, skuadra gjilanase kërkoi penallti për lojë me dorë nga një lojtar kundërshtar, por VAR-i bëri të ditur se loja duhej vazhduar.
Mirëpo, për të shuar shpresat e tyre për trofeun u përkujdes Mergim Pefqeli, që realizoi një super gol nga distanca në minutën e 76-të për rezultatin 2-0.
Gjilani mendoi se kishte shënuar me anë të Mevlan Zekës në minutën e 88-të, por dhoma e VAR-it bëri të ditur se sulmuesi kishte qenë në pozicion jashtë loje.
Prishtina e mbajti epërsinë komode ndaj kundërshtarit, për të fituar trofeun e dytë më të madh në elitën e futbollit kosovar.
Me rregullore, fituesi i trofeut kualifikohet për në Ligën e Konferencës, mirëpo klubi nga kryeqyteti ende nuk është licencuar dhe këtë duhet ta bëjë sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që të marrë pjesë në kompeticion. /Telegrafi/