Nga: Nasho Jorgaqi
Në përfytyrimin tim, poezia lirike shqipe gjithnjë i ka përngjarë një orkestre, e cila ka përfituar muzikë të shpirtit e të botës shqiptare. Një muzikë të fuqishme dhe delikate, që më ka tingëlluar e ekzekutuar sa nga instrumentet kombëtare si fyelli e zurnaja, lahuta e çiftelia, aq dhe nga instrumentet universale si violina e flauti, kitara e lira e deri te buria e trumbeta.
Dihet se në arealin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetshme. Një përcaktim ky, nga i cili natyrisht nuk bën përjashtim as poezia shqipe. Sido që kushtet e rënda social-ekonomike i kanë diktuar struktura epike, prapë lirika ka qenë e ka mbetur komponenti parësor i poezisë sonë. Një zë i përhershëm, konstant që buronte së brendshmi, nga hovet e zemrës dhe trazimet e shpirtit, nga thellësitë e fshehta të qenies njerëzore të gjenit shqiptar.
Duke kërkuar fillet e poezisë sonë të shkruar në rrugëtimin e kohërave, jonet e saj më të hershme lirike, nuk ka si të mos befasohemi kur ato na shfaqen, të paktën deri më tani, aty nga mesi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Mendimi i parë që më vjen, tek kam parasysh këtë kohë, është fakti se klima gjallëruese e humanizmit evropian nuk kish si të mos ndjehej dhe në botën arbërore. Këtë e dëshmojnë, në një farë mënyre, vargjet lirike të fiksuara në librin e parë shqip (1555). Murgu shqiptar, Gjon Buzuku, do të rikëndonte në gjuhën amtare te “Meshari” i tij vargje lirike nga “Himnet” e Davidit (“Ngreu e eja, e dashuna eme, e bukura eme”) apo te “Këngës së këngëve” të Solomonit. Këngë këto madhore zemre, të huajtura nga lirika biblike, të ndërkallura mes predikimeve liturgjike, por që nuk do të mbeteshin zëni të vetmuar brenda Mesharit” .Themi kështu, sepse pikërisht nga hapësirat mugëta të atij shekulli të largët, na vjen dhe kënga e parë lirike e një poeti të mirëfilltë shqiptar. Është Pjetër Budi, ai që këndon këngën “Speculum”, për t’u ndjekur me një këngë tjetër lirike, një shekull më pas, siç është cikli i “Sibileve” të Pjetër Bogdanit e për t’i shfaqur në shekullin e tetëmbëdhjetë, në përmasa më të gjera, me një zë të plotë lirik, poeti Jul Variboba ne poemën “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”.
Por, këto vargje lirike, të thurura nën dritën e qirinjve të kishave dhe në vetminë e zymtë të manastireve, të shkruara në një gjuhë të ndaluar, nën robërinë osmane, do të qenë vetëm një vokacion minor në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Thënë ndryshe, një minoritet, sado që tepër i rëndësishëm, po të mendojmë se në malet dhe fushat e Shqipërisë, populli do të këndonte këngët e tij të mrekullueshme në gjuhën amtare. Këngë për jetën dhe bëmat e veta, për luftën e mbijetesën, këngë kreshnike e heroike, me tone të forta epike, por dhe këngë të shpirtit, me fllade e jone lirike. Kjo poezi orale aq e begatë dhe tronditëse do të bëhej pjesë përbërëse e substratit të identitetit të tij, që do ta shoqëronte nëpër shekuj.
Duhet të presim shekullin e nëntëmbëdhjetë që letërsia shqipe e kultivuar të merrte vetëdijen dhe përmasat e një letërsie kombëtare në kuadrin e lëvizjes së Rilindjes shqiptare. Ashtu siç kish ndodhur në thuajse të gjitha letërsitë kombëtare dhe letërsia jonë do të shfaqej kryesisht si letërsi poetike. Ishte kjo shprehje e stadit të parë, diktuar nga niveli dhe kërkesat e kohës, si një nevojë e manifestimit dhe artikulimit të jetës e të aspiratave të shqiptarëve përmes fjalës së bukur. Por, çka e bën të veçantë daljen në skenë të letërsisë shqipe në jetën tonë kombëtare është fakti se ajo u prezantua, së pari, jo vetëm si letërsi poetike, por me një vepër poetike tërësisht lirike. Poeti arbëresh Jeronim de Rada do të botonte (1836) poemën “Milosao”, vepër kjo që i vinte letërsisë sonë nga diaspora e përtej Adriatikut në një kohë, kur fjala shqipe e shkruar në dheun e të parëve ishte në përgjumje.
Do të duheshin disa dekada që letërsia jonë kombëtare të hidhte shtat, me autorë kryesisht poetë, për t’u afirmuar si e tillë nëpërmjet një vargu krijimesh përfaqësuese. Në këtë rast tërheq vëmendjen fakti se nota e tyre zotëruese do të ishte fryma lirike. Vështirë të përcaktojmë me një përgjigje të vetme se nga buronte kjo frymë, e cila, ndonëse përshfaqej në një sfond epik të një epoke të rëndë dhe heroike, nuk arrinte ta ndryshonte thelbin e saj. S’ka dyshim se janë disa arsye në të cilat bashkohen shpirti i lirë i shqiptarëve me vitalitetin e tyre, natyra krenare me optimizmin historik, të cilat do të shpreheshin kryesisht përmes këngës, në një kohë kur pushtimi i egër e kufizonte ekstremisht lëvrimin e gjuhës amtare dhe e mbante kulturën në shtratin e Prokustit.
Kështu, këngët për Shqipërinë e robëruar dhe vizioni për të ardhmen e saj, në zërin e poetëve të Rilindjes, do të paraqiteshin, në të shumtën e rasteve, në trajtën e lirikave dhe poemave atdhetare. Të tilla do të qenë vjershat dhe poemat e Jeronim De Radës e Gavril Darës, të Naim Frashërit e të Pashko Vasës, të Ndre Mjedës e të Gjergj Fishtës, të Çajupit e të Asdrenit. Vetëm nga mbarimi i Rilindjes, do të lindnin vepra të mirëfillta epik, si poemat e Naimit dhe Fishtës “Historia e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”. Kjo e fundit, e shkruar në frymën dhe verbin e rreptë të epikës popullore të veriut, ndonëse do të shënonte një akord madhor në poezinë shqipe, do të vinte paksa e vonuar; si rudiment i një poezie që letërsia evropiane e kish kapërcyer. Ndaj dhe është fakt i pakontestueshëm që një epikë e tillë nuk u përsërit më si dukuri letrare në poezinë tone.
Poezia shqipe, duke hyrë në shekullin e XX, do të vijonte të ecte në hullinë e Rilindjes. Edhe pse Shqipëria do të fitonte Pavarësinë, në fillim të dekadës së dytë të shekullit të ri, ajo prapë mbetej e rrezikuar, duke u ballafaquar me situata të rënda tragjike, që vinin seriozisht në pikëpyetje ekzistencën e saj gjeopolitike. Këtë dramë kombëtare do ta ndiente thellë dhe letërsia jonë dhe do ta pasqyronte si një përjetim aktiv të ngjarjeve e të problemeve të mëdha të ditës. Zëri i saj, jo vetëm do të ishte i pranishëm në arenën e përpjekjeve shqiptare për mbijetesë, por ajo do të tentonte dhe do të arrinte në stadin e ri, t’i zgjeronte kufijtë e pasqyrimit të jetës e të gjente trajta të reja shprehjeje. Do të lindte kësisoj romani shqiptar. do të lëvrohej proza narrative dhe ajo jetike, do të bëheshin përçapje në lëmin e dramës, publicistika Ietrare do të shënonte disa nga kulmet e saj. Por mbi të gjitha do të ishte poezia ajo që do të njihte kuota të mëtejshme zhvillimi dhe konsolidimi të vlerave të veta, duke mbetur dhe në këtë stad gjinia më përfaqësuese e letërsisë shqipe. Do të ishte kjo arsyeja, që poezia do të ndikonte në një mënyrë a në një tjetër dhe në gjinitë e tjera. Është fakt, që fryma dhe trajtat e saj do të ndiheshin në veprat pioniere të prozës e të dramaturgjisë shqiptare. Poezia, me krijimet më të mini, do të bëhej tharmi i letërsisë sonë kombëtare që po hidhte shtat nga një dhjetëvjeçar në tjetrin.
Në vitet 1920 të shekullit të kaluar, me ringritjen e shtetit shqiptar dhe me përpjekjet për një jetë të pavarur kombëtare, u çelën horizonte dhe u krijuan pak a shumë rrethana për një ecuri normale dhe të letërsisë shqipe. Ishte hapur kështu një etapë e re historike, me kushte dhe kërkesa të tjera, me koncepte dhe ide që lypte koha, mbi të cilat synonte dhe përpiqej të mëkëmbej shoqëria shqiptare. Një shoqëri, e cila pas letargjisë disa shekullore, kërkonte me ngulm rrugën e zhvillimit normal përmes kontradiktash dhe kontrastesh, ndeshjesh politike dhe ballafaqimesh të dhimbshme sociale. Ishte kjo një shoqëri më shumë rurale se sa urbane, pa një fizionomi të qartë, plot plagë dhe halle jetike, anemike dhe skajshmërisht e varfër, e zhytur në mjerim dhe e përhumbur në padije. E megjithatë, brenda saj gjallëronte një popull me shpirt vital, i paepur, plot virtyte, i prirë nga progresi, i etur për dije, që provonte të integrohej në jetën e tij të pavarur kombëtare me aspirata progresive dhe mësime të çmuara nga përvoja e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të historisë së vet. Ky ishte realiteti shqiptar, lënda dhe frymëzimi i letërsisë shqipe, me të cilën ajo u përball në periudhën e Pavarësisë.
Niste kështu për letërsinë tonë një periudhë tjetër krejt e ndryshme nga ato të mëparshmet, që e projektuar në historinë e saj do të rrokte një kohë relativisht të shkurtër, prej afro tre dekadash (1914-1944), kufijtë e së cilës, ndonëse kishin të bënin më shumë me historinë se sa me letërsinë, s’kish si të ndikonin dhe në sferën e kësaj të fundit. Në mes këtyre dy kufijve, kishin ndodhur ngjarje të përmasave botërore që kishin tronditur njerëzimin, përmbysje dhe ndryshime rrënjësore, që do të reflektoheshin në një mënyrë a në një tjetër edhe në jetën shpirtërore e mendore të shoqërisë shqiptare. Për pasojë dhe në brendinë, frymën, format dhe drejtimin që do të merrte letërsia shqipe. Në radhë të parë këto do t’i ndiente poezia, jo vetëm si gjinia zotëruese në stadin ku ndodhej letërsia jonë, por dhe për faktin se ajo përbënte vokacionin më sensibël të fjalës shqipe.
Kështu shpjegohen tiparet e reja që ajo nisi të manifestojë, të dallueshme nga periudhat e mëparshme letrare. Duke lënë pas kohën e luftës për çlirim kombëtar, që i kish frymëzuar temat patriotike dhe i kish dhënë një drejtim romantik, në epokën e re që kish hyrë, letërsia e në radhë të parë poezia e kish vendosur qendrën e gravitetit të saj në problematikën social-ekonomike, në jetën e qytetit e fshatit, në botën e brendshme të njeriut shqiptar, të psikologjisë dhe ideve bashkëkohore. Para shoqërisë shqiptare shtroheshin çështje që kishin të bënin me zgjidhjen e kontradiktave sociale, me përballimin e varfërisë e padrejtësisë, me liritë e të drejtat njerëzore, si emancipimin qytetar, por dhe ëndrrën dhe vizionin për një jetë më të mirë. Në këtë atmosferë, do të lindte lëvizja mendore shqiptare me ide e mendësi të reja, me pikëpamje dhe praktika progresiste dhe regresive, ku letërsia do të kishte vendin dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm. Tani që Shqipëria ishte bërë, jeta mendore e intelektuale shqiptare kishte kaluar përfundimisht nga diaspora në atdhe dhe do të ishte kryeqyteti ai, që sa vinte e do t’u jepte tonin dhe drejtimin si problemeve politike- shoqërore, ashtu dhe atyre kulturore-artistike. Shtypi dhe botimet, sado të kufizuara, në qendër dhe në krahina (sidomos në Shkodër e Korçë) do të luanin një rol organizues dhe nxitës.
Do të krijohej një opinion intelektual brenda të cilit do të zhvilloheshin debate e polemika midis ideve dhe praktikave të reja dhe atyre të vjetra. Për arsye historike e gjeomitike do të ndodhnin përballime dhe përplasje ndërmjet oksidentalizmit dhe orientalizmit, nga pasojat e të cilave do të ravijëzoheshin konturet e reja të botës shqiptare. Këto të fundit do të bëheshin më të qarta në përballjen me botën e huaj, me hapjen e Shqipërisë ndaj saj, me qarkullimin e kulturave dhe përvojave artistike evropiane, me shqipërimin, sado të pakët, të letërsisë së huaj. Ishte kjo tabloja e re e jetës social- kulturore shqiptare, ku do të merrte frymë e do të këndonte poezia shqipe e në radhë të parë lirika në periudhën midis dy luftërave të mëdha Botërore.
S’ka dyshim se kalimi i stafetës poetike në letërsinë shqipe nga një periudhë historike në tjetrën nuk do të ishte e lehtë. Poezia ishte si gjithë letërsia do të ndiqte fatin e shoqërisë shqiptare, duke ecur nëpër një rrugë të vështirë e duke ndryshuar në varësi të saj. Nëpër këtë proces kompleks, ajo do të evoluonte, do të fitonte tiparet e veta, individualitetin e saj që do ta bënte të dallohej nga krijimtaria e mëparshme. Natyrisht, ky proces do të zhvillohej ngadalë, plot zigzage, duke u ndeshur me pengesa të ndryshme e duke i paguar haraç kohës së vonuar dhe prapambetjes së gjithanshme, ngaherë në kërkim të vetvetes dhe të misionit për t’u bërë zëdhënëse e kohës së saj. Një kohë, që përfaqësonte një stad të ri nëpër të cilin kalonte shoqëria shqiptare, kur letërsia, e në radhë të parë poezia, nuk kish të bënte me një kohë heroike, siç kish qenë Rilindja Kombëtare, me ide dhe emocione kushtuese, me përbetime dhe vetëmohim atdhetar të lutës për liri.
Ajo, veçanërisht Iirika, në kushtet e një Shqipërie të pavarur dhe shtetërore, iu kthye jetës paqësore, problemeve të ditës, sferës së jetës shpirtërore ose siç e shpreh Lasgushi “tronditjeve shpirtërore”. Vëmendja e saj u përqendrua te raportet njerëzore e shoqërore, duke e konceptuar dhe trajtuar njeriun shqiptar si qenie sociale, marrë në raport me idetë dhe mendimet e kohës e sidomos me spektrin e gjerë të emocioneve, ku shquhej mbi të gjitha ndjenja e gjithëpushtetshme e dashurisë. Koha e re do të këndonte këngë të reja, por edhe do të rikëndonte motive paraardhëse me zërin dhe mënyrën e saj. Madje, në këtë periudhë në të cilën hyri letërsia shqipe, poezi e re do të bashkëjetonte e do të bashkë-këndonte me autorët e traditës që ishin gjallë.
Është fjala për dy breza që krijonin në një hapësirë të përbashkët dhe për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se qenë poetët që vinin nga Rilindja ata që zotëronin dhe përfaqësonin autoritetin më të lartë artistik. Sepse do të duheshin afro dy dekada që poezia e re të shfaqte vetveten e të afirmohej si një dukuri e dallueshme. Ndërkaq toni i poezisë shqipe do të vijonin t’ia jepnin poetët e brezit të vjetër, si Gj. Fishta, N. Mjeda, Asdreni etj. poezia e të cilëve, ndonëse mbahej pas ideve të mëdha të Rilindjes dhe shprehja artistike kishte vulën e saj, përbënte themelin mbi të cilin do të çohej ngrehina e poezisë së re.
Poetët e traditës do të vazhdonin të krijonin dhe këtë e dëshmojnë qartazi dhe lirika që ata lëvrojnë me sukses në kushtet e Shqipërisë së lirë. E vërteta është se ata e kishin lënë prapa apogjeun e krijimtarisë, por ndërkaq përjetonin famën dhe nderimin e thellë të opinionit shqiptar, të brezit të vjetër dhe atij të ri. Kjo ndodhte veçanërisht me Fishtën, i cili mbante dhe kurorën e poetit kombëtar, mbi të gjitha si poet epik dhe satirik, autor i poemave “Lahuta e Malcisë” dhe “Gomari i Babatasit”.Pjesë e krijimtarisë së tij madhore ishte dhe lirika, ndonëse jo në ato përmasa, aq më tepër në periudhën e re në të cilën kish hyrë poezia shqipe. Lirika e tij do të njihte kulme si poezia “I dëbuemi” dhe do të gjente shprehje të gjerë në poemën dramatike, vepra e fundit e poetit “Jerina ose mbretnesha e luleve”. Kjo lloj poezie te Fishta paraqitet sa e fuqishme aq dhe elegante, me një frymëmarrje të gjerë e hove të brendshme, gjithë harmoni e me një gjuhë shpërthyese, ku ndjehet shpirti i tij i madh dhe bota universale, me identitet të qartë shqiptar. Ajo përshkohet nga fryma e ngrohtë romantike, e harmonizuar me elemente të poetikës klasike, ku nuk mungojnë ndikime nga poezia e Tasos Ariostos e të ndonjë tjetri. Një pjesë e lirikës së Fishtës trajton tema fetare, me nota mistike e frymë kristiane, të cilat falë talentit të madh e ngrenë poezinë e tij në nivele artistike.
Një figurë tjetër qendrore e poezisë së traditës, që këndoi edhe në etapën e re ku kishte hyrë letërsia shqipe do të ishte dhe Ndre Mjeda, një poet tërësisht lirik. Nëse Fishta qëndronte në majat e poezisë epike, Mjeda pa dyshim ishte zot i lirikës shqipe. Ndonëse përmbledhjen e vetme poetike “Juvenilja” e kish botuar në 1917 dhe shumica e vjershave i takonin periudhës së Rilindjes, prapë ai përfaqësonte për brezin e poetëve të rinj lirikë modelin e mjeshtrit të vlerave të larta në këtë fushë. Edhe pse ishte prift, poezia e tij trajtonte kryesisht tema lirike, motive patriotike e sidomos sociale, duke u ngritur mbi mistikën fetare, qoftë në brendi apo në formë Ai nuk do ta ngatërronte botëkuptimin e padiskutueshëm fetar me poezinë. Në personalitetin e Mjedës misionet do të ishin të ndara dhe kjo bëri që lirika e tij të ruajë ato vlera ideo-artistike që i kanë qëndruar kohës. Poet me ndjeshmëri të lartë, romantik në thelbin e vet krijues, po dhe realist për ta dhënë të saktë e të plotë të vërtetën, poetët e rinj gjenin tek ai këngëtarin e lirisë së njeriut, të lirisë kombëtare, shoqërore e shpirtërore. Kjo frymë, që përshkonte tej e mbanë poemat e tij i shkonte për shtat atmosferës dhe aspiratave të shoqërisë shqiptare.
Mjeda dhe në etapën e re, kur realiteti shqiptar shtronte probleme të tjera dhe ai do të shkruante poemat klasikegjante (“Ussus”dhe “Scodra”), do të ishte modeli i artistit, një klasik i gjallë i lirikës që kish shumëçka për t’u mësuar krijuesve të rinj Atdhedashuria dhe humanizmi, bota e pasur shpirtërore dhe emocionet e fuqishme, dinjiteti njerëzor dhe ndjenja e progresit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, natyra e tij thellësisht lirike dhe njohja e gjithanshme e psikologjisë njerëzore e sidomos asaj të shqiptarëve, zotërimi i mjeshtërisë artistike, që shprehej në sensin e fortë të fjalës, e ndjeshmërisë së lartë artistike, e shprehjes lakonike, ku fjala e ndjen veten ngushtë e mendimi gjerë, konceptimi figurativ i jetës, këto e plot të tjera e bënin Mjedën poet me një personalitet të rrallë artistik e qytetar, që solli kontribute shumë të çmuara në lëmin që po trajtojmë.
Ndoshta i vetmi poet i Rilindjes, që qe prodhimtar dhe vazhdoi të lëvrojë lirikën gjatë gjithë periudhës midis dy Luftërave, do të ishte Asdreni. Ai do të botonte vëllimin “Psallme Murgu” (1930) dhe do të përgatiste përmbledhjen tjetër poetike “Kambana e Krujës”. Me këtë krijimtari Asdreni do të ishte poeti që bëri, më shumë se sivëllezërit e tjerë, ndërlidhjen në mes lirikës së traditës dhe asaj moderne. Kjo do të dukej nga temat dhe motivet që trajtoi, nga poetika bashkëkohore, aq më tepër nga afrimiteti shpirtëror që ndihej në raport me poezinë e re që zhvillohej në Shqipërinë e asaj kohe. Duke iu larguar temës patriotike dhe sociale aq të trajtuar prej tij në periudhën e mëparshme, ai iu përkushtua poezisë erotike, duke e dhënë atë në një spektër akoma më të gjerë, përmes baladave, trioleteve, idileve, lirikave të shkurtra apo dhe poemthëve. Vend të rëndësishëm do të zërë poezia e peizazhit si çdo të parapëlqejë dhe lirikën e mendimit të cilat, së bashku me erotikën, do të përbëjnë një trinitet poetik të dallueshëm nga krijimtaria e deriatëhershme. Kjo lloj poezie, me notat e trishtimit dhe tonet meditative, me përjetimet dhe situatat e rënda shpirtërore, me frymën mistike flet qartë për lidhjen e poetit me letërsinë bashkëkohore evropiane, për ndikimin dhe përvojën artistike që ai shfrytëzon prej saj. Asdreni sjell në lirikën shqipe variante të reja në sistemin e figuracionit, perceptime figurative origjinale, shprehje ekspresive poetike, vargje të çliruara nga rregullat e ngushta të traditës, duke u bërë madje dhe pionieri i vargut të lirë në poezinë shqipe.
Në vijën e poezisë bashkëkohore do të ishte dhe lirika e Faik Konicës, e cila, ndonëse do të qe episodike, prapë tregonte se muza e këtij poeti rilindës këndonte prore. Dëshmi për këtë është vjersha mitologjike “Helena e Trojës”dhe disa lirika të lëna në dorëshkrim, që trajtojnë kryesisht motive erotike.
Një zë tjetër i poezisë sonë që vinte nga Rilindja, edhe pse me një bilanc modest poetik, por që në vitet ’20-30 u afirmua si poet i akordeve madhore, do të ishte Fan Noli. Ai lëvroi kryesisht lirikën, atë patriotike dhe erotike, po mbi të gjitha lirikën politike, që e ngriti në nivele të panjohura, duke dhënë modele të papërsëritshme. Dhe kjo, falë identitetit të fuqishëm dhe patosit të mprehtë social, angazhimit të tij total në luftën politike të kohës, frymëzimit të gjallë nga idealet e lirisë dhe të demokracisë. Poezia e Nolit do të ishte produkt i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për të hyrë në rrugën e progresit dhe qytetërimit evropian. Një brendi e tillë do t’i diktonte poezisë së tij trajta origjinale, duke e bërë atë të shprehej me gjuhën e simboleve dhe alegorive, Nëpërmjet figurave dhe metaforave biblike, ai do të arrinte të realizonte sinteza e përgjithësime universale në adresë të historisë e të jetë shqiptare e më tej. Verbi i tij plot nerv, ritmi dramatik, akustika e fjalës do t’i jepnin poezisë së Nolit tingëllim të fuqishëm muzikor.
Nga etapa e fundit e Rilindjes, do të vinin dhe poetë të tjerë, që do të kontribuonin në periudhën midis dy Luftërave në fushën e lirikës prej të cilëve do të veçonim Vinçens Prenushin. Ai do të botonte në këtë kohë vëllimin poetik “Gjeth e lule” (1924), ku përparësi kanë lirikat fetare, që tingëllojnë si këngë të përshpirtme, por nuk mungojnë dhe vjersha me motive patriotike. Prenushi do të çmohet për frymën e butë kristiane dhe ëmbëlsinë e shprehjes, të dhënë nën një vel melankolie dhe me një kombinim të soditjeve mistike dhe ndjenjave atdhetare. Bota e tij poetike është cilësuar si një Eden kristian.
Ndryshe nga Prenushi paraqitet një poet tjetër klerik bashkëkohës i tij, Lazër Shantoja, i cili i bëri emër si publicist dhe përkthyes i hollë i poezisë së Gëtes. Penës së tij i përket tufa e tingëllimeve “Për një puthje të vetme”, e lënë në dorëshkrim, kushtuar dashurisë. Ky motiv gati i përjashtuar nga poezia klerikale, është trajtuar nga poeti zhveshur krejt nga veladoni i priftit. Dashuria e kënduar prej tij paraqitet e gjithëfuqishme, e thellë dhe e prekshme, si një ndjenjë njerëzore e lirë dhe e zjarrtë që të rrëmben e të bën për vete. E shkruar me një nivel të lartë artistik, me një gjuhë sa emocionale aq dhe mjeshtërore, në kufijtë e rreptë të sonetit, ajo shpalos dashurinë e pastër e të përkushtuar të poetit, një dashuri tokësore, larg çdo misticizmi dhe kufizimi fetar. “Për një puthje të vetme”, për vlerat e saj, qëndron krah lirikave më të realizuara të kohës.
Para syve të brezit të traditës do të debutonte e do të afirmohej nga koha në kohë gjatë tri dekadave brezi i ri i poetëve Ata do të trokisnin në derën e letërsisë dhe do të hynin në kopshtin e saj, herë të ndrojtur e herë të sigurt, duke sjellë me vete fjalën e tyre poetike. Ishte kjo pa dyshim një prurje e re që do të kalonte nëpër një proces të natyrshëm për të zënë gradualisht vendin e vet në letërsi. Nëse në dekadën e parë deri nga mezi i viteve 1920, poezia jonë do të ruante pak a shumë frymën e Rilindjes për nga temat dhe trajtat e shprehjes, nga fundi i viteve 1920 dhe fillimi i viteve 1930 do të ndjeheshin qartazi flladet e një ere të re poetike. Ishin këto risi, që dalëngadalë po konturonin poezinë e një kohe që kish ardhur. Dhe ajo çka është e rëndësishme, në pararojë të saj do të qenë poetët lirikë. Ishte poezia lirike sfera artistike, ku do të shpërthente talenti i një plejade letrarësh të rinj. Ata do të shfaqeshin fillimisht në shtypin e kohës, në radhë të parë në atë të brendshmin, po dhe në atë të diasporës (Rumani e SHBA) për t’u paraqitur më vonë me vëllime, sado që jo të shpeshta, të cilat u kthyen në ngjarje në historinë e letërsisë shqipe.
Kështu, ndër të shquarit që do të debutonte triumfalisht do të ishte poeti i ri Lasgush Poradeci, talenti lirik i të cilit, do të spikaste që në krye si një vokacion poetik krejt i veçantë dhe origjinal. Kritika me të drejtë do ta mirëpriste e përshëndeste, madje duke e krahasuar me poetët lirikë evropianë më në zë. Eqrem Çabej, në një artikull kushtuar poezisë së tij, do ta cilësonte si “një frissan neuf”, pra një dridhje të re që i vinte poezisë shqipe dhe e bënte autorin poetin me modem shqiptar. Ishte kjo një profeci që koha e vërtetoi, po të marrim parasysh vlerat e reja poetike që ai solli brenda pak viteve, të cilat u përmblodhën në vëllimet “Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve”.
Lasgushi do të shfaqej qysh në krye e do të mbetej deri në fund poet lirik. Një lirik i pastër, këngëtar fin i dashurisë, i natyrës e i mendimit. Nga kulla e tij e poezisë ai do t’u zbulonte lexuesve shqiptarë botën e bukurisë, duke e quajtur veten “zog i qiejve”. I gatuar e i brumosur shpirtërisht me botën shqiptare, por i lidhur artistikisht dhe me mat e poezisë modeme evropiane, Lasgushi do të krijonte një poezi krejt të vetën, që do të mbante vulën e tij të papërsëritshme. Duke mbetur romantik në genin artistik, ai do të ishte sa parasian në poezitë e dashurisë e të natyrës, aq dhe simbolist në poezinë filozofike. Në këtë të fundit, do të ndjehej misticizmi dhe hermietizmi, një frymë fshehtësie, që do ta shoqëronin tërë jetën, përftuar nga ide panteiste, agnosticiste etj. Por, Lasgushi do të shkëlqente mbi gjithë poezinë e tij në lirikën e dashurisë, që e bën për vete lexuesin me butësinë idilike, duke e dhënë dashurinë si një vuajtje të ëmbël, që nuk kthehet në dramë, por që shoqërohet me fllade trishtimi Ajo tingëllon, siç është cilësuar; si një përgjëratë për dashurinë, ndjenjën më të fuqishme e më fisnike njerëzore. Poezinë e dashurinë, Lasgushi do ta këndonte duke pasur parasysh dhe modele të poezisë popullore. Motivet dhe figurat e folklorit, thjeshtësinë dhe ndjesitë, psikologjinë dhe frymën e poezisë orale, ai do t’i integronte në vargjet e tij, për të rilindur brenda tyre këngë dashurie me një origjinalitet të rrallë.
Poezia e Lasgushit është bërë objekt shqyrtimi dhe vlerësimi nga disa breza studiuesish. Ai është cilësuar një nga mjeshtrit virtuozë që e ngriti lirikën shqipe në nivele të panjohura. Poezia e tij ishte një kundërvënie nga pikëpamja estetike e poetikës së deriatëhershme Ai solli një këndvështrim origjinal në konceptimin e jetës, një konceptim të ri metaforik me një sistem të ri figurativ, shprehur përmes një ligjërimi të personalizuar. Poet me spontanitet të rrallë, ai u tregua mjeshtër i fjalës e i vargut. Nga pikëpamja gjuhësore, i solli risi shqipes, në konstrukte leksik, krijoi togfjalësha e neologjizma të suksesshme, siç riaktivizoi fjalë të fjetura. Ligjërimi i tij gjuhësor do të ishte aq i ndryshëm, sa brenda tekstit poetik u dha jetë dhe funksion deri dhe retiçencave. Ndjesia artistike e fjalës e bëri vargun e tij sa muzikor aq dhe plastik. Vargjet lasgushiane karakterizohen nga një muzikë e brendshme, që përftohet nga harmonia ritmike dhe rima tingëlluese, nga kadenca dinamike e deri nga efektet onomatopeike. Me tërë këtë pasuri artistike dhe emocionale, Lasgushi arriti estetizmin në shkallë të lartë të shprehjes poetike, aq sa krijoi kultin e së bukurës. Një poezi e tillë u bë nga emblemat e lirikës jo vetëm të kohës së tij, por të mbarë poezisë shqipe.
Një zë i fuqishëm, me një vokacion krejt të veçantë artistik që i erdhi lirikës shqipe në fillim të viteve 1930, do të ishte poezia e Ali Asllanit. Ndonëse në poezinë e tij ai trajtoi gjerësisht motive patriotike dhe shoqërore, që pasqyronin jetën, mendësinë e psikologjinë shqiptare, madje u bë dhe këngëtar i ngjarjeve historike siç qe Lufta e Vlorës apo shkroi dhe poemën humoristike “Hanko Halla” aq të suksesshme. AIi Asllani ishte dhe mbeti poet i dashurisë. Erotika e tij, ndryshe nga lirika romantike e dashurisë e Lasgushit, do të karakterizohej nga nota të forta realiste. Ajo do të ishte më jetësore, më e prekshme, më e drejtpërdrejtë. Dashuria jepet si një ndjenjë tronditëse shpirtërore e fizike, që e ngre njeriun në sferat më të larta të gëzimit. Poeti e përshkruan atë si kulmin e kënaqësisë së jetës, zotëron optimizmi dhe rrallë herë lektisja dhe trishtimi. Bile dhe kur shfaqen këto të fundit janë kalimtare dhe jo parësore.
Kryesore në erotikën e Asllanit është kënaqësia e thellë që zgjon dashuria, e cila në të shumtën e rasteve nuk buron aq nga ëndrra, se sa nga endjet fizike. Kjo shpjegon notat sensuale që përcjell erotika e tij, të cilat s’ka si mos të të kujtojnë frymën epikuriane e lukreciane, apo poezinë e Anakreontit dhe Omar Khajamit, por që nuk arrijnë të prekin individualitetin e poetit tonë. Vërtetë, dashuria jepet si një ndjenjë sublime, por poeti e zbret atë në tokë dhe e konkretizon në jetën e njeriut. Një veçori tjetër e erotikës së Asllanit është pleksja e gërshetimi i dashurisë me bukurinë, të cilat ai nuk i kupton pa njëra tjetrën. Adhurimi i njëkohshëm i dashurisë dhe bukurisë i bën ato sinonim të njëra tjetrës. Për poetin ky adhurim është i përjetshëm, nuk njeh moshë. Është kjo një filozofi e shpërndarë nëpër vargjet e tij, që e bën lirikën e Asllanit aq njerëzore, të ngrohtë dhe joshëse. Disa here ajo shartohet me poezinë orale labe për nga konceptimi realist i jetës dhe i raporteve me dashurinë, në huazimin e trajtimin e motiveve popullore, të psikologjisë labe, të figuracionit dhe gjuhës, të cilat të gjitha së bashku i japin lirikës së tij ngjyra dhe tingëllime artistike.
Lirika e Asllanit mban vulën e një origjinaliteti të rrallë, që e bën atë të pikaset menjëherë, si një individualitet artistik që s’ka të dytë. Nuk janë vetëm motivet e parapëlqyera, imazhet origjinale, variacionet dhe nuancimet e gjuhës, por dhe fakti që në lirikën e tij ndjehet frymëmarrja e poetit, natyra gazmore, ironia e hollë, situatat e papritura që di t’i krijojë vetëm ai. Nga ana tjetër, vargu i Asllanit karakterizohet nga një harmoni e shkallës së lartë, nga një rrjedhshmëri spontane dhe ekspresivitet të gjallë të shprehjes, me kadenca muzikore plot aliteracione e asonanca të qëlluara, nga tone lirike krejt origjinale, që e diferencojnë nga Lasgushi. Të dy këta poetë krijuan vokacionin e tyre, me manierat e veta, që patën shumë adhurues dhe ndjekës, por të pakët qenë ata që nën hijen e tyre arritën të krijojnë individualitetin e tyre artistik dhe të bënin emër si poetë. Nga këta do të veçonim Shefqet Musarain, Nexhat Hakiun, Sotir Cacin e ndonjë tjetër, të cilët u nisën nga modelet e mjeshtërve dhe dhanë poezi me vlera.
Në rrjedhën e poezisë së kohës do të sjellin vargjet e tyre dhe dy emra, që më vonë, fatin e tyre letrar do ta lidhnin me prozën, duke u bërë nga përfaqësuesit e saj kryesorë. Këta do të ishin Ernest Koliqi dhe Mitrush Kuteli. I pari do të botonte përmbledhjen poetike “Gjurmat e stinëve”(1933), kurse i dyti vjershat e tij do t’i botonte në gazetën “Shqipëria e Re” të Konstancës. Të dy paraqiten poetë lirikë, trajtojnë temën e dashurisë, mallin për vendlindjen, i këndojnë miqësisë, qajnë hallet e mërgimit. Vargjet e tyre shquhen për ndjenja të holla dhe gjuhë të bukur e të rrjedhshme. Por, fakti është se ata nuk iu përkushtuan poezisë, ndonëse iu rikthyen shumë vite më vonë, sidomos Mitrush Kuteli cili krijoi në fillim të viteve 1940 poema që lanë gjurmë, si “Poem kosovar”, “Balta shqiptare” “Poemi i Shëndaumit” apo dhe një varg lirikash të goditura. Kurse nga Ernest Koliqi do të kemi ciklin e prozave poetike “Pasqyrat e Narcizit” që shquhen për frymëmarrjen e gjerë lirike dhe shprehjen simboliste duke përuruar një lloj letrar të pa lëvruar ndonjëherë në atë shkallë në letrat shqipe.
Me këta poetë-prozatorë mund të renditim një zë tjetër lirik që u shfaq nga fundi i viteve 1930, siç ishte Vedat Kokona. Ai do të botonte përmbledhjen “Dritë dhe hije” (1939), e cila përbënte për kohën një risi poetike. Vjershat e tij kanë një frymëzim shqiptar, por janë shkruar sipas modeleve të poezisë modeme franceze me shije e kulturë.
Gjatë viteve 1930, shoqëria shqiptare do të përballet me lëvizje social-politike, që kishin karakter demokratik, antizogist e antifashist dhe që shënuan ngjarje e bënë jehonë sidomos në vatra të hershme kulturore, si Korea, Shkodra, Tirana. Do të dilnin revista me ide revolucionare e prirje radikale, siç qenë revistat “Bota e re”, “ABC”, “Rilindja”, që u kthyen në tribuna mendimesh të lira e debatesh, por dhe djep i një letërsie me frymë të re që do ta lëvronte një brez letrarësh të talentuar. Ata do të dallonin për nga idetë e guximshme dhe për vlerat e artit të tyre.
Në pararojë të kësaj letërsie do të qenë poetët, të cilët në radhë të parë do të kultivonin poezinë lirike. Poetët e këtij brezi qenë kryesisht të rinj, në një moshë që s’i kapërcente të tridhjetat. Ata vinin nga radhët e intelektualëve të thjeshtë, qenë mësues, gazetarë, studentë etj. dhe sillnin me fjalën e tyre realitetin e drejtpërdrejtë shqiptar. Lidhjet e forta që kishin me kohën e tyre, i bënin ata që t’u shmangeshin shpesh temave mitologjike, historike e patriotike aq të trajtuara nga poezia e traditës. Por, dhe kur e trajtonin, e shihnin nga këndvështrime të tjera dhe nga pozita të avancuara. Tematika zotëruese e lirikës së re do të qe ajo sociale, e pasuar nga tema e dashurisë, e mendimit, e natyrës, dhënë me një spektër më të gjerë idesh, emocionesh, përjetimesh nga poezia e kaluar. Ajo do të gatuhej me një lëndë të re jetësore, që përftohej nga realiteti i rëndë shqiptar, ngarkuar me probleme të mprehta, me pakënaqësi e revoltë, me vuajtje e dhimbje, që zgjonte varfëria, shtypja e padrejtësia, po dhe me shpresa e ëndrra për një botë më të drejtë.
Zërat më përfaqësues të lirikës shoqërore do të kishin në qendër të poezisë së tyre mjerimin e shtresave të varfra të qytetit e të fshatit, marrë kjo në kontekstin social-politik të kohës. Poezia e re lirike, brenda natyrës së saj do të bëhej shprehëse e ideve revolucionare, e qëndrimeve antifeudale e antikapitaliste, antifashiste e antiimperialiste. Heroi i saj lirik do të ishte njeriu i thjeshtë, intelektuali përparimdashës, vetë poeti, i cili me guxim ngrinte zërin, duke rrezikuar e rënë ndesh me censurën e rreptë të kohës, gjë që e detyronte t’i drejtohej lexuesit me gjuhë alegorike, përmes simbolesh e metafonish, pas të cilave qëndronte nënteksti plot kumte liridashëse.
Në plejadën e brezit të viteve 1930 do të përfshiheshin poetë të rinj, si Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Veli Stafa, Gaspër Pali, Aleks Çaçi, Shefqet Musaraj, Qemal Stafa e ndonjë tjetër. Por, më i shquari midis tyre do të ishte Migjeni, i ai falë talentit të madh dhe artit novator u bë dhe prijësi i brezit të tij. Poezia e Migjenit do të përbënte kurorën dhe sintezën e lirikës që krijoi plejada për gjatë një dekade Ajo solli ide dhe emocione të fuqishme, një pjesë e të cilave të panjohura deri atëherë, që buronin nga jeta shqiptare dhe merrnin kuptime të thella secila nga një vetëdije e re estetike. Poeti do të tregonte një ndjeshmëri të lartë, gati sizmike ndaj mjerimit që kish përfshirë shoqërinë shqiptare, e cila do të zgjonte, siç e karakterizon Ismail Kadare, një uragan, që sado jeta e shkurtër e ndërpreu para kohe, jehona dhe ndikimi, sidomos në brezin e ri, do të qenë të mëdha.
Lirika e Migjenit, që do të ngrihej në radhë të parë mbi motive social-politike dhe meditative, do të karakterizohej nga një patos i fortë qytetar, me kurajë të lartë civile, po dhe nga një dhimbje humane, me theks tragjik. Aq e fuqishme ishte revolta dhe mohimi ndaj botës së vjetër, sa vargjet e tij do të përftojnë hapësira të reja mendimi dhe vizione të guximshme për të ardhmen. Një poezi e tillë novatore do të tronditë jo vetëm normat etike-sociale, por dhe kodet letrare dhe estetike. Vetë titulli i të vetmit vëllim poetik që botoi, “Vargjet e lini”, dëshmon për kredon e tij si krijues novator. Ai bëri që të ngadhënjejë ndërgjegjja qytetare mbi çdo gjë të vjetër e regresive, siç arriti me artin e tij origjinal të sjellë trajta të reja bashkëkohore, frymë dhe elemente të poezisë moderne, liri mendimi e liri shprehjeje. Ai goditi mitet dhe ishujt, dogmat dhe idilet boshe, iu kundërvu poezisë anakronike, kodeve dhe rregullave të ngushta që asfiksonin frymën krijuese të artit. Vështruar nga kjo pikëpamje, Migjeni do të shndërrohej në një fenomen novator dhe kjo do të ndodhte në një vatër me tradita të hershme e të pasura letrare, siç qe Shkodra, por dhe me mjedise konservatore, që i kundërviheshin të resë në fushën e letërsisë. E me gjithë këtë reaksion, poezia e tij do të afirmohej dhe do të rrezatonte jo vetëm në hapësirat e vendlindjes, por dhe në ato kombëtare.
Nga mjedisi i qytetit të veriut do të dike dhe një poet tjetër, lirika e të cilit do të çante nëpër shtigjet e poezisë modeme dhe ky do të ishte Gaspër Pali, një poet me individualitet të spikatur lirik, i ndjeshëm si Migjeni, që dallonte nga çeta e poetëve tradicionalë të Shkodrës së viteve 1930. Bashkëkohor në mendime dhe modem në format e shprehjes, ai do të trajtonte probleme sociale, por do t’i këndonte veçanërisht dashurisë me nota trishtimi e melankolie dhe vendlindjes me një frymë të theksuar moderniteti, përmes vargut të lire dhe një poezie të çlirët nga kanunet e poezisë tradicionale. Kënga e tij fatkeqësisht do të ndërpritej shpejt, ashtu siç ndodhi dhe me Migjenin apo dhe me Kolë Mirditën (Helenaun) dhe me Veli Stafën, që u ndanë herët nga jeta, pa arritur të tridhjetat. Një fat ky i përbashkët, tepër i dhimbshëm, që i ndau këta para kohe nga jeta, por që i bashkonte Shkodra, poezia, aspiratat liridashëse dhe fakti që vuajtën e vdiqën nga e njëjta sëmundje, siç është tuberkulozi, sëmundje e njohur e artistëve të asaj kohe.
Pas Migjenit, nga brezi i poetëve të viteve 1930 do të dallohej poezia e Petro Markos. Askush sa ai nuk do të shquhej për idetë e avancuara, si poet i mendimit revolucionar, i hapur dhe i drejtpërdrejtë, i guximshëm dhe i vetëdijshëm për rolin e letërsisë në progresin e shoqërisë shqiptare. Lirik i lindur, me dufe spontane, shpirt revolucionar, tepër i ndjeshëm ndaj realitetit social i cili do të bëhej zëdhënës i pakënaqësisë popullore dhe i aspiratave të rretheve revolucionare. Lirika e tij do të ishte në radhë të parë politike. Ajo kish në themel kritikën e thellë sociale, antikonformizmin dhe antifashizmin, urrejtjen ndaj shtypjes dhe padrejtësisë, mohimin e sistemeve të shfrytëzimit të njeriut.
Realiteti shqiptar në poezinë e Petro Markos do të shihej dhe shprehej në prizmin e pakënaqësisë dhe nevojës për ndryshime rrënjësore. Kështu shpjegohet trajtimi prej tij i motiveve revolucionare me ritmikë dramatike, këngët marciale të frymëzuara nga frontet e Luftës së Spanjës, vajet e hidhura dhe pamjet tronditëse të mjerimit social, dertet e hallet e njeriut të shtypur të punës, drama e mërgimit etj. Lirika e Markos me frymën e saj kryengritëse përbënte zërin më të guximshëm të brezit të viteve 1930. I lirë në mendime, ai do të ishte po aq i lire dhe në artin e tij, në ligjërimin poetik, në vargun e çlirët dhe ritmin e gjallë. Poezia e Petro Markos barte risitë poetike evropiane, që ai i mishëronte artistikisht përmes individualitetit të tij krijues.
Variacione të lirikës së këtij brezi manifestojnë dhe vargjet e poetëve të tjerë të rinj. Kështu, Dhimitër Shuteriqi, nga autorët e pakët që arriti të botojë dy vëllime me vjersha, i nxitur nga jeta shqiptare e i mbrujtur me ide të përparuara, por duke u ndjerë i afërt me poezinë franceze, sidomos me simbolizmin, shkroi poezi që zgjojnë atmosferën e trazuar të kohës, përfytyrimin e imazhe interesante, ndjenja të freskëta rinore. Në vijën e brezit të tyre krijojnë dhe poetët e talentuar që vinin nga trevat e Labërisë, si Musaraj, Çaçi, Andrea Varfi. Nëse platforma e tyre ideoartistike është e përbashkët, në mënyrën e shprehjes ata dallojnë nga njëri-tjetri. Lirika e dy të parëve karakterizohet nga tone të buta, ndjehet në to dhimbja e pakënaqësia ndaj jetës së pa drejtë, jepet vetja e vuajtur dhe përshkohet nga fryma romantike. Ndryshe paraqiten vjershat e Varfit. Ato janë më tepër poezi idesh, që tingëllojnë here si marshe, herë si etnike e poetike, me frymë polemizuese, në mbrojtje të vegjëlisë e të drejtësisë shoqërore.
Pjesëtarë të këtij brezi letrar do të qenë dhe vëllezërit Stafa. Veliu, i njohur me pseudonimin Platonicus dhe Qemali, të cilët dhanë kontributin e tyre në fushën e lirikës. Të dy do të lëvronin poezinë sociale, me theks kritik, përshkuar nga nota humaniste, me nota të dhimbshme. Poezitë e tyre frymëzohen nga ide liridashëse, po dallojnë nga njëri tjetri. Veliu thekson dhe evidenton më shumë vuajtjen dhe dhimbjen njerëzore, është hermetik dhe herë-herë ka mendime të mjegullta. Kurse, lirika e Qemalit, ndonëse shkroi më pak se i vëllai, pulson nga mendimi revolucionar dhe është transparente dhe e drejtpërdrejtë në mesazhet që i drejton lexuesit. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe Kapën (Kristaq Cepa),që i bashkohet brezit të tij me poezinë e vet satirike. Vargjet e tij stigmatizuese, sado të thjeshta, do të godisnin e tallnin dukuritë negative të kohës dhe patën jehonë te lexuesi i gjerë.
Një ngjarje për letërsinë shqipe shënon debutimi për herë të parë në historinë e saj i talenteve, sado të kufizuara, nga radhët e femrës shqiptare. Ardhja e tyre në letërsi do të ndodhte në kuadrin e lëvizjes feministe, që do të shtronte nevojën e emancipimit të gruas shqiptare. Do të qenë këto talente, që përmes shkrimeve letrare e publicistike do të bëheshin zëdhënëse të ide ve dhe kërkesave të kësaj lëvizjeje të re shoqërore. Selfixhe Ciu, Musine KokaIari, Lucie Sereqi dhe Jolanda Kodra do të ishin poeteshat e para të letërsisë shqipe. Vargjet e tyre vinin plot kunte dashurie për jetën dhe shfrime zemërimi e revolte kundër skllavërisë së gruas. Në belbëzimet poetike të këtyre vajzave të talentuara pasqyrohej bota dhe psikologjia femërore, delikatesa e ndrojtja, por mbi të gjitha përpjekja për t’u ndjerë zëri i mijëra e mijëra grave shqiptare të diskriminuara. Këto katër talente, që u bënë dhe mbeten pioniere të letërsisë femërore, kënduan këngët e para lirike në poezinë shqipe.
Së fundmi, por jo për nga rëndësia, nuk mund të lëmë pa përmendur dhe një zë të largët, që artikulonte në këtë kohë fjalën poetike në trevat e skllavëruara shqiptare të Jugosllavisë. Ky ishte poeti i ri Esad Mekuli, që i bashkohej brezit letrar të viteve 1930, jo vetëm nga mosha, por dhe nga platforma ideoartistike që shprehnin poezitë e tij. Do t’i bashkonin temat e motivet, fryma liridashëse, idetë revolucionare dhe vizioni për një botë më të mirë. Mekuli, që do të këndonte shqip, do t’i përkthente vargjet e tij dhe në serbisht e do t’i botonte në shtypin përparimtar të kohës. Ato qenë kryesisht poezi lirike e shënuan lindjen e letërsisë së kultivuar shqipe në viset shqiptare të Jugosllavisë së vjetër.
Siç shihet nga kjo panoramë e poezisë shqipe midis dy Luftërave, lirika, jo vetëm do të bëhej zhanri poetik zotërues, por ç’është më e rëndësishme do të fitonte tipare e dimensione të reja, do të forconte mëvetësinë e saj dhe do të njihte kulme të papara deri atëherë. Nga një dekadë në tjetrën, me ardhjen e individualitete të fuqishme, zëri i saj u bë më i plotë, më qytetar e më bashkëkohor. Duke mbetur gjithnjë një poezi thellësisht kombëtare, ajo do të ishte njëkohësisht dhe një poezi universale. Lirika shqipe me ndjeshmërinë e lartë dhe mjetet e saj të shprehjes, iu afrua më shumë botës shqiptare, psikologjisë dhe mendësisë së njeriut shqiptar, shpirtit dhe mendjes së tij Ajo u çlirua nga fryma anakronike, nga shtampat dhe skematizmi, duke u zhveshur nga rekuizita e vjetër e poezisë së kapërcyer dhe asaj orientale dhe veshi kostumin qytetar kontemporan. Duke fituar më shumë terren mendimi i kohës dhe reflekset e aktualitetit shqiptar, me vështrim nga modelet dhe përvoja e poezisë evropiane, lirika shqipe realizonte porosinë e një prej etërve të saj, Naim Frashërit, i cili, duke krahasuar poezinë orientale me atë të perëndimit, thoshte se kjo e dyta ka mejtim më të lartë”.
S’ka dyshim që lirika shqipe midis dy Luftërave krijoi fizionominë e saj dhe kjo në radhë të parë falë lëndës së re, temave ndryshe nga ato paraardhëset, trajtimit bashkëkohor të motiveve patriotike, forcimit të frymës lirike të poezisë e mbi të gjitha hapësirës së gjerë që i dha problemeve të mprehta dhe shqetësimeve të rënda të jetës shqiptare, ku mjerimi dhe padrejtësia shoqërore përbënin qendrën e gravitetit. Sigurisht tema sociale ishte një nga shtyllat e lirikës shqipe, por vend parësor do të zinte dhe lirika e dashurisë, që vinte me një vokacion krejt origjinal si nga perceptimi, ashtu dhe konceptimi, nga fryma dhe risitë figurative. Ishte dashuria e brezit të ri në rrethanat e jetës paqësore, emocionet e tyre suigeneris, hovet e shpirtit të ndezur, malli e dhimbja, pengesat dhe ndeshja me paragjykimet dhe mjediset fanatike, po dhe ëndrrat e idilet e bukura që zgjon kjo ndjenjë e gjithëpushtetshme. Lirika e re erotike do të këndonte duke pasur parasysh modelet e poezisë shqipe të kultivuar, të poezisë orale dhe asaj të huaj, por gjithnjë duke ruajtur veçantitë e saj, zërin dhe tonalitetet e veta.
Edhe lirika e natyrës dhe ajo e mendimit do të hapnin shtigje të reja në poezinë shqipe. E para do të dallohej për ndjeshmërinë e lartë dhe perceptimin figurativ, për harmoninë në mes gjendjeve shpirtërore dhe peizazhit, kurse e dyta për spektrin e gjerë të meditimeve, për origjinalitetin e mendimeve dhe emancipimin e ideve, të ndërthurin me emocione humane.
Pra, brendia e re e të gjitha sferave shpirtërore e mendore do t’i jepte lirikës një frymë kontemporane,do ta bënte më tokësore duke kaluar, në rastet më të mira, nga përfytyrimet romantike në ato realiste. Është e natyrshme që lënda bashkëkohore do të sillte dhe një poetikë të re të lirikës sonë të kësaj kohe Ajo do të derdhej e shprehej në trajta dhe stile të ndryshme, me variacione të larmishme vargjesh, me risi vjershërimi dhe me struktura të reja, me sisteme të tjera figurative. Poetika e re do të sillte tone dhe timbre, ngjyra dhe asociacione origjinale. Novacione do të ndodhnin dhe në ligjërimin poetik, i cili u pasurua me variacione të ndryshme, nga ai rustik në atë qytetar, nga ai bisedor në atë sintetik, nga ai retorik e deklarativ në atë metaforik e simbolik. Poetika e re solli një verb të ri e ritme plot hove, që herë-herë shmangu rimën apo krijoi rima të brendshme. Pra, mori përparësi ritmi mbi rimën, gjë që i dha më shumë nerv e harmoni poezisë. Ndryshime dhe tronditje cilësore pësoi vargu, sistemi i vjershërimit. Në poezinë shqipe të kësaj kohe hyri triumfalisht vargu i lirë duke u njohu përfundimisht legjitimiteti artistik. Por kjo s’do të thotë kurrsesi se nuk u lëvrua vargu popullor përkundrazi njohu prova të suksesshme te pjesa më e madhe e poetëve.
Edhe gjuha poetike mori tingëllim tjetër, më jetësor e më kualitativ. Nga një gjuhë herë-herë konvencionale e retorike, fitoi cilësi estetike, u pasurua me detaje dhe ndjesi të reja, u bë më e nuancuar gjë që rriti shkallën e emocionalitetit dhe sensibilitetit. Nga ana tjetër, gjuha poetike, duke vijuar traditën e Rilindjes, do të pastrohet nga fjalë e ndërtime të huaja. Krijimet e poetëve më të mirë, do të kontribuonin në trazimin e rrugës së afrimit e përbashkimit të dy dialekteve, duke iu larguar skajeve dhe duke e bërë komunikimin gjuhësor kombëtar më të qartë e më të kuptueshëm.
Në hapësirat e poezisë së re do të lëviznin e qarkullonin drejtime e rryma letrare të ndryshme. Në qoftë se poetët e brezit të vjetër do t’i qëndronin besnikë romantizmit e prirjeve klasiciste brezi i ri synonte drejt realizmit dhe frymës e shprehjes modeme si simbolizmi, surealizmi etj. Këto të fund it qenë më shumë raste episodike, që nuk arritën të kthehen në drejtim letrar. Pjesa më e madhe e poezisë së kësaj periudhe qëndroi në mes romantizmit dhe realizmit. Avangardizmi nuk gjeti terren, përjashto disa eksperimente, që mbetën në kufijtë e përpjekjeve. Por kjo nuk do të thotë që në evoluimin dhe mbarëvajtjen e poezisë sonë midis dy luftërave roli dhe ndikimi i poezisë së huaj nuk qe i pranishëm. Përkundrazi, përvoja artistike e poezisë moderne evropiane qe një model i çmuar, që u pat parasysh dhe u ndje në krijimtarinë poetike shqipe. Kjo kish ndikuar në poezinë e Rilindjes, por akoma më shumë do të ishte prezente e do të ndihmonte poetët e rinj në rrugën e tyre krijuese në rrethanat e një shteti shqiptare të hapur me botën. Kështu u ndje ndikimi i lirikës italiane nga Leopardi, Foskoli e Karduci e deri te poetët modernë. Më tepër mund të flitet për poezinë franceze si një përvojë artistike më universale, me autorë të mëdhenj që u kthyen në mësues të mjeshtërisë poetike e më gjerë, si Bodleri, Bimartini, Verleni, Hugo etj. Me poezinë ballkanike lidhjet qenë të kufizuara, me përjashtim të poezisë rumune, sidomos të ndikimit që pat Eminesku te poetë si Lasgushi.
S’ka dyshim që lirika shqipe e zhvilluar në harkim kohor midis dy Luftërave është dhe mbetet një pasuri shpirtërore, që për nga arritjet e shquara që krijoi i kaloi kufijtë e kohës së vet. Ajo tanimë është kthyer në një thesar artistik, me vlera dhe përmasa kombëtare, duke shënuar kështu një stad të ri dhe standarde të panjohura poetike në rrjedhat e historisë së letërsisë shqipe .Tradita që ajo hodhi është hallka e lidhjes në mes poezisë së Rilindjes dhe asaj që u zhvillua në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Këta poetë të traditës së re ka parasysh Asdreni kur u drejtohet me vargjet:
O ju, që vini paskëtaj plot shpresë,
Si ata, që s’dinë çaste psherëtimi,
Që s’panë vojtje e as durim mërgimi,
As zemrave pik helmi që t’u zbresë,
Na rrugën drejtë e mbajtmë gjith’ me ndjesë,
Të tretur shumë herë nga trishtimi,
Par mjaltë krejt na dukej hidhërimi,
Kur shihnim se fjala jonë se zë besë.
Por na ju lëmë, shkojmë, si shkon vesa,
Asgjë mbi dhe s’qëndron përgjithmonë,
Si trashëgimi ju lëmë shpirtin tonë.
Ne shkojmë, o shokë, po s’na shuhet shpresa,
Se fjalën që ju lamë si pasqyrë,
Gjithmonë do ta keni shëmbëlltyrë.
Ky është nderimi që u bën poetëve të kohëve të reja një mjeshtër i madh i poezisë si Asdreni.