Kanë mbetur më shumë se një muaj deri kur qytetarët mund të konvertojnë në RKS targat ilegale të automjeteve të lëshuara nga Serbia, sipas vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës.
Që nga 1 shtatori kur ka filluar zbatimi i këtij vendimi e deri më sot, vetëm 5 qytetarë kanë regjistruar veturat e tyre konfrom vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Kështu kanë bërë të ditur për Telegrafin, nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga MPB gjithashtu theksuan se ka qytetarë që interesohen për procedurat e regjistrimit të automjeteve.
“Për regjistrimin e mjeteve me targa RKS nga targat ilegale ka qytetarë që interesohen për procedurat e regjistrimit të automjetit. Nga data 1 shtator deri më tani janë regjistruar 5 automjete me targa RKS”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, për Telegrafin.
Ministria e Punëve të Brendshme më tej ka bërë të ditur se regjistrimet janë bërë në komuna të ndryshme, si: Prizren, Dragash, Leposaviq, Mitrovicë Veriore dhe Gjilan.
Të pyetur se çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që nuk i kthejnë veturat në RKS pas 31 tetorit kur përfundon edhe afati i vendosur nga Qeveria, në MPB kanë thënë për Telegrafin se nuk do të lejohet qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës.
“Ndërsa pas datës, 31.10.2022, siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Kujtojmë se dy qytetarë serbë që i janë bindur vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar targat në RKS, janë sulmuar një ditë më parë.
Sipas informacioneve të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, strukturat ilegale kanë djegur veturën e një oficeri serb, si dhe depon e një qytetari nga Zveçani.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të mos i ndërrojnë targat, e ministri Sveçla e akuzoi atë për nxitje sulmesh ndaj qytetarëve që s’i binden.
“Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet e ndryshme politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”, ka deklaruar Sveçla.
Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve armatosura që ndodhën në veri të vendit.
E për mundësinë e tensionimit të situatës sërish në veri, NATO-ja ka deklaruar se është e gatshme të rrisë numrin e trupave në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve.
“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Luca Piperni.
Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/