Site icon Telegrafi

Pas shpërthimit të Teslës para hotelit të Trumpit, Musk: Idiotët e këqij zgjodhën automjetin e gabuar

Drejtori Ekzekutiv i Teslës, Elon Musk, ka njoftuar se do të shqyrtojë ngritjen e padive kundër mediave për raportimet e tyre rreth shpërthimit të Cybertruck-ut, që ndodhi të mërkurën pranë hotelit Trump në Las Vegas.

Aktivisti konservator Robby Starbuck ndau në platformën X një artikull të Business Insider-it, ku incidenti përshkruhej si “shpërthimi i Cybertruck-ut”.

“Musk duhet të mendojë për paditjen e mediave që e kanë formuluar historinë në këtë mënyrë. Titujt e tillë sabotojnë markën Tesla, duke i bërë njerëzit të mendojnë se Cybertruck-u ka marrë flakë. Tesla merr zjarr afërisht çdo 130 milionë milje të përshkuara. Ndërsa automjetet e tjera çdo 18 milionë milje”, shkroi Starbuck.

Musk, miliarderi që është një aleat i ngushtë i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në një seri postimesh në rrjetin social X, kritikoi raportimet mediatike mbi incidentin dhe mbrojti sigurinë e automjetit, raporton politico.

“Fakti që bëhej fjalë për një Cybertruck me të vërtetë kufizoi dëmet që ndodhën brenda automjetit, sepse pjesa më e madhe e shpërthimit kaloi përmes automjetit dhe doli jashtë”, tha sherifi i policisë së Las Vegas-it, Kevin McMahill, gjatë një konference për shtyp këtë javë.

Musk ripostoi një video nga konferenca, duke shkruar se “Idiota të këqij zgjodhën automjetin e gabuar për një sulm terrorist. Cybertruck-u në fakt e ndali shpërthimin dhe e drejtoi valën shpërthyese lart. As dyert prej xhami të hollë nuk u thyen. Ndoshta ka ardhur koha ta bëjmë këtë”.

Ndryshe, shoferi humbi jetën dhe shtatë persona u plagosën kur automjeti, i mbushur me kanistra karburanti, shpërtheu natën e Vitit të Ri. Burri që kishte marrë me qira Cybertruck-un ishte një pjesëtar aktiv i forcave speciale të SHBA-së dhe, sipas policisë, vrau veten duke qëlluar me armë në kokë para shpërthimit. /Telegrafi/

Exit mobile version