Reshjet e shiut të dielën, kanë shkaktuar telashe në komunën e Prishtinës, duke përfshirë bllokim të rrugëve dhe dëme nëpër lokale nga depërtimi i ujit.
Po ashtu edhe sheshet janë mbushur me ujë nga vërshimet, përfshirë amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Kjo ka bërë që qytetarët si shenjë ironie ndaj kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, të demnstrojnë zënien e peshqve aty.
Në disa fotografi që janë publikuar në rrjetet sociale, shihen qytetarë që kanë vendosur “shtagat e peshqve”…
Ndërkaq, Ahmeti në një shkrim në Facebook, ka përmendur programin kulturor në kuadër të “Akull n’Verë”, që nuk u mbajt për shkak të reshjeve të shiut.
Ai ka thënë se programi do të zhvendoset për netët në vijim.
“Me keqardhje ju njoftojmë që edhe sonte për shkak të reshjeve të shiut, përformanca e Ylli Megi anulohet dhe zhvendoset për një datë tjetër. Programi kulturor në kuadër të Akull n’Verë do të vazhdojë. Prandaj, na ndiqni për të kuptuar programin për netët në vijim. Shihemi së shpejti”, shkroi Ahmeti në Facebook.
Ndaj tij pati reagime të qytetarëve të cilët i thanë se duhet shprehur keqardhje për gjendjen e mjerushme në Prishtinë.
“Më mirë do ishte të merakosej për gjendjen e rrugëve të Prishtinës sesa për anulimet e koncerteve”.
“Prishtinën don me marrë uji, ky flet për përformancën e Yllit”.
“Që dy mandate nuk e zgjidhe këtë problem”.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli ka deklaruar se pas reshjeve të fundit të shiut, kishte vërshime në katër lagje në kryeqytet, si dhe në fshatin Zllatar.
Selimi ka thënë se në fshatin Zllatar, ka amvisni familjare që janë të dëmtuara jashtëzakonisht shumë.
“Dy familje janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe shpresojmë se pas intervenimeve që po bëjnë ekipet e komunës, ato familje të kthehen në shtëpi”, tha ai.
Sipas tij, dëme nga vërshimet kishte edhe në shesh, konkretisht tek shtëpizat të cilat janë vendosur në pritje të bashkatdhetarëve.
Ai shtoi se pothuajse të gjitha shtëpizat janë të shkatërruara.
“Iu garantojmë se nga nesër do të jenë të gatshme për qytetarët tonë”, tha ai, duke shtuar se ekipet e komunës dhe në përkrahje të FSK-së, janë në terren për t’i dal në ndihmë qytetarëve dhe për të sanuar dëmet./Telegrafi.