Telegrafi

Osmani flet për synimin drejt INTEROPL-it: Nga mos anëtarësimi i Kosovës përfitojnë grupet kriminale transnacionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me ndihmës sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, ka thënë se Kosova është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Byroja i ka ofruar institucioneve tona përgjatë viteve.

“Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë prezentë në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të shtetndërtimit tonë. Ndihmës sekretari Robinson ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut përgjatë viteve, dhe kjo është dëshmi sesa shumë njerëz ka edhe sot në administratën amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tëra që Kosova të jetë këtu ku është sot”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se me ndihmës sekretarin Robinson, biseduan edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“E njoftova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTPEROL, anëtarësim ky që do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve. Të vetmit që përfitojnë nga mos-anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët dhe në veçanti grupet kriminale transnacionale”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se Kosova u detyra të fillonte nga zeroja, ndërsa me ndihmën e partnerëve kemi arritur suksese duke sjellë edhe programe që kanë qenë vendimtare në përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, krimit të organizuar, trafikimit etj. /Telegrafi/