Komuna e Tetovës dhe bordi që organizon manifestimin ''Vera e Kulturës Tetovare'' me një njoftim në rrjetet sociale ka informuar qytetarët se ngjarja tradicionale ''Rruga e ombrellave'' nuk do të mbahet në rrugën Dervish Carra në Tetovë por këtë herë do të organizohet në qendër të qytetit, shkruan Telegrafi Maqedoni.

''Këtë vit rrugën e ombrellave e zhvendosim në Shesh, jo për të dërguar mesazh hidhërimi, as për të ndëshkuar apo shpërblyer dikend. Duam të përcjellim mesazhin i cili flet, se rrugët në kohën në të cilën jetojmë na paraqiten shumë të ngushta për të shprehur diversitetin ku secili prej nesh e gjen veten në mënyrën se si feston, argëtohet dhe shpreh hidhërimin e një fëmijërie të humbur.... ''
''Akoma kemi nevoje për sheshe, që na japin hapësirën e duhur, për të gjetur veten, për të biseduar me të tjerët, dhe për të qenë të sigurtë se kemi vendin mes të tjerëve, të cilin shpesh herë mendojmë se na takon e ndoshta edhe nuk e meritojmë.
Këtë vit, ombrellat i hapim në shesh, e në mot, kushedi ndoshta e gjejmë përsëri RRUGËN dhe kthehemi atje sërish! Veprimet individuale nuk duhet dhe nuk mund të imponojnë vullnetin kolektiv, por ndoshta një hapësirë më e sheshtë do na bëjë më të vetëdijshëm se sa jemi të vegjël kur jemi vetë, dhe sa i nevojitemi njëri tjetrit!'' shkruajnë nga Komuna e Tetovës dhe bordi për organizimin e manifestimit ''Vera e Kulturës Tetovare''.


Përndryshe, në këto ditë do të performojnë ''Vezves'' më 19 korrik, Big Mama dhe Latino Band më 20 korrik dhe Troja më 21 korrik. /Telegrafi/