Telegrafi

Njihuni me shqiptarin e parë që barti flakën Olimpike – Shkumbin Muçolli, CEO i Burger King Kosova dhe shumë shteteve tjera nga rajoni

Shkumbin Muçolli, Drejtori i përgjithshëm apo CEO i Burger King-ut për Kosovë, Shqipëri, Bosnje, Mali i Zi dhe Bullgari është bërë shqiptari i parë që mbajti flakën Olimpike në prag të nisjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

Lojërat Olimpike Verore 2024, e quajtur zyrtarisht si Paris 2024, është një ngjarje e ardhshme ndërkombëtare shumë-sportive e planifikuar të zhvillohet nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024 në Francë, me disa gara që fillojnë sot (e mërkurë) më 24 korrik.

Para nisjes së Lojërave Olimpike zakonisht ndizet flaka Olimpike, e cila është simbol nga Greqia e Lashtë.

Flaka Olimpike për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ u nis të martën e 16 prillit nga Olimpia, vendlindja e Lojërave të lashta, në një ritual të frymëzuar nga antikiteti dhe që përcolli mesazhe shprese mes krizave të shumta globale.

E njohur edhe si Stafeta e pishtarit, tashmë ka mbërritur në Paris dhe kësaj ceremonie i është bashkuar edhe një shqiptar.

Ditën e sotme, në pritje të fillimit të Lojërave Olimpike me ceremoninë e mbajtjes së flakës Olimpike, ndër pak të ftuarit ka qenë edhe Shkumbin Muçolli, i cili është shqiptari i parë në histori që barti flakën Olimpike.

Z.Muçolli, i cili është drejtuesi i markës ikonike amerikane Burger King për Kosovë, Shqipëri, Bosnjë, Mali i Zi dhe Bullgari, ka treguar eksperiencën e tij në një prononcim për Telegrafin, nga Parisi.

“Një super eksperiencë e cila mund të përshkruhet vetëm me pjesëmarrjen dhe jam krenar që drejtoj një kompani e cila futet në renditje dhe pranon ftesa nga partnerët global të Komitetit Olimpik siç është TheCocaCola Company”, ka thënë Muçolli. /Telegrafi/