Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar për një rast të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit që ka ndodhur në qytetin e Ferizajt.
Sipas policisë më 28 mars është raportuar se në rrjetin social Facebook nga një faqe është shpërnda një video ku i dyshuari mashkull kosovar nxitë dhe bënë thirrje për urrejtje fetare në sheshin e qytetit.
Lidhur me rastin me datën 31.03.2024 njësiti i hetimeve në konsultim me prokurorin ka iniciuar lëndën e rastit e cila është në procedurë hetimore.
Telegrafi ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Ferizaj për të marrë më shumë detaje rreth këtij rasti, dhe jemi në pritje të një përgjigje.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Kosovës neni 141, thuhet se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. /Telegrafi/