Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit R.P., nën dyshimin për dhunimin e një të miture në Malishevë.

Në njoftim thuhet se R.P., dyshohet se nga koha e pavërtetuar deri më 4 mars 2025 në Malishevë, ka kryer akt seksual me personit tjetër pa pëlqimin e të miturës 15-vjeçare.


“…në atë mënyrë që më parë i pandehuri përmes rrjeteve sociale njoftohet dhe krijon lidhje dashurie me të dëmtuarën duke qenë në dijeni për moshën e saj dhe gjatë lidhjes së tyre i pandehuri në vazhdimësi ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën e mitur, në villa “…” në Malishevë, si dhe vazhdon që të mbaj kontakte me të njëjtën deri në ditën kur vëllai i të dëmtuarës e vërën të pandehurin së bashku me të dëmtuarën dhe të njëjtën e largon nga vetura dhe më pas paraqitet rasti në polici”, thuhet në njoftim.

Sipas Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe i ndikimit në prova.

“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjete (30) ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 4 mars 2025 dhe do të zgjasë deri më 3 prill 2025”, thuhet më tej.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.